Shqiptarët krenarë, kroatët të ftohtë për anëtarësimin në NATO
Një orë gjigante në ndërtesën më të lartë në Tiranë numëron në zbritje minutat, derisa ish-vendi stalinist të bashkohet këtë javë me Aleancën e urryer njëherë e një kohë.
Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë, është tejmbushur me krenari dhe shpresë për bashkimin me Aleancën, së bashku me shtetin e afërt të Adriatikut, Kroacinë, në samitin e NATO-s, që do mbahet në Francë dhe Gjermani të premten dhe të shtunën.
Ndërtesat e parlamentit dhe të qeverisë janë dekoruar me flamuj të anëtarëve të NATO-s dhe janë planifikuar koncerte në rrugë.
Çdo mbrëmje, një projektor jashtë zyrës së kryeministrit, Sali Berisha, shfaq simbolet e NATO-s në rrugën kryesore, në të cilën dikur ishte zyra e diktatorit komunist, Enver Hoxha.
“NATO është një gjë shumë pozitive. Do të mbrojë sigurinë tonë kombëtare dhe të huajt që duan të investojnë këtu do të ndihen të sigurt”, - thotë Iliri, një kamerier 30-vjeçar nga qyteti i minatorëve, Përrenjasi.
Asnjë nga këto gjëra nuk po ngjet në Kroaci, ku bashkimi me NATO-n shihet si i dhuruar dhe ku fitorja reale mbetet anëtarësimi gjithmonë e më i papërcaktuar në Bashkimin Evropian.
Që kur Shqipëria aplikoi për anëtarësim në NATO në vitin 1992, mbështetja për anëtarësimin është rritur ndjeshëm deri 96 për qind pas fushatës së NATO-s, drejtuar nga amerikanët ndaj forcave serbe, të cilat kishin mësyrë shqiptarët etnikë në Kosovë në vitin 1999.
Gjysmë milionë kosovarë që u dëbuan për në Shqipëri, mundën të kthehen në shtëpitë e tyre nën mbrojtjen e NATO-s dhe trupat e Aleancës vazhdojnë të mbeten në Kosovë për të ruajtur sigurinë dhe administrimin e provincës nga OKB.
Në kontrast, NATO qëndroi neutrale gjatë luftimeve mes Kroacisë dhe Serbisë në vitet 1990, kur Jugosllavia u shpërbë.
Kroatët injorojnë NATO-n
Analistët thonë se demokratët në pushtet të Berishës po e trumbetojnë NATO-n që të inkurajojnë partinë e tyre përpara zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, të cilat do të vëzhgohen nga afër nga BE, për shenja progresi.
Vëzhguesit thonë se Shqipëria nuk ka mbajtur kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe se këto zgjedhje janë të rëndësishme për progresin drejt BE.
“Problemi me këtë spektakël propagande është se përpiqet ta paraqesë anëtarësimin në NATO si paradhomën e hyrjes në Bashkimin Evropian, pak a shumë po aq të mirë sa hyrjen në BE”, - thotë kolumnisti dhe ish-disidenti Fatos Lubonja.
“Ky nuk është rasti, siç dhe insistojnë të na e bëjnë të qartë evropianët, por politikanët tanë bëjnë injorantin.”
Shqipëria ka një marrëveshje asociimi me BE dhe tani do të aplikojë për anëtarësim. Kroacia është përpara dhe shpreson të bashkohet në vitin 2011, nëse zgjidh dhe një mosmarrëveshje me Slloveninë për çështje kufijsh. Të dy vendet kanë trupa në misionet jashtë vendit, të udhëhequra nga NATO, përfshi këtu Afganistanin dhe Irakun.
Zoran Kusovaç, një analist strategjik për Ballkanin, thotë se zgjerimi ka pak efekt praktik për anëtarët e rinj apo për Aleancën, edhe pse është një mburojë e mirëpritur sigurie për rajonin, që ndjen akoma pasojat e luftërave etnike në vitet 1990.
“As Kroacia dhe as Shqipëria nuk kanë rëndësi gjeostrategjike për NATO-n, ato nuk shihen si pjesë e sferës së interesit të Rusisë. NATO po zgjerohet për inerci në territore që i sheh si të sajat”, - thotë ai.
Mungesa e festimeve apo dhe e organizimeve formale në Kroaci nuk është një surprizë. Edhe kundërshtarët e NATO-s dhe antiglobalistët nuk u dukën gjëkundi javën që shkoi, kur parlamenti miratoi hyrjen në NATO, suksesin më të madh ndërkombëtar të Kroacisë, që kur është bërë e pavarur në vitin 1991.
“NATO ka më shumë vlerë simbolike se praktike. Por, puna e rëndësishme është bërë tashmë, anëtarësimi është një shenjë se vendi ka plotësuar disa standarde”, - thotë Kusovaç.