Blushi, replika me Ruçin për Asamblenë me dyer të mbyllura
Asambleja Kombëtare e socialistëve regjistroi dje edhe një precedent të ri. Ajo u zhvillua pa praninë e mediave, pasi në të nuk kishte një fjalim të kryetarit socialist, Edi Rama për zgjedhjet apo rezolutën, por u kalua menjëherë në diskutime. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi që në nisje të mbledhjes komunikoi se është menduar që kjo mbledhje të zhvillohet me dyert të mbyllura, e konsideruar si një mbledhje pune. “Nuk do të jetë me dyer të hapura, pasi është një mbledhje pune, për çështje që më parë se të jenë publike duhet të diskutohen brenda familjes. Mos harrojmë se kjo është dhe një praktike e shumë partive evropiane”, është shprehur Ruçi. Ben Blushi nuk ka qenë dakord me këtë qëndrim dhe ka shprehur arsyet pse mbledhja duhet të ishte e hapur. “Mendoj se mbledhja e asamblesë, duhet të jetë e hapur për mediat, pasi ne jemi parti e hapur, evropiane në një vend anëtar të NATO-s dhe opinioni shqiptar është i interesuar të dijë se si zhvillohen proceset në një parti moderne si PS. Jo vetëm kaq, por ne kemi debatuar në parlament me Jozefinën që heq kamerat dhe sot në asamble largojmë mediat”, është shprehur Blushi. Ndërsa në përgjigje të këtij propozimi, Ruçi është shprehur se: “Nuk duhet që kjo mbledhje e asamblesë t’i ngjajë KPD-së së 2001". Më pas në zbatim të rregullores së Asamblesë Kombëtare, propozimi i Ruçit është hedhur në votë dhe është miratuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke treguar njëkohësisht dhe forcat e palëve brenda asamblesë kombëtare kur pritej të votoheshin dy rezoluta. Gjatë gjithë kohës mediat kanë qenë të interesuara për të mësuar se çfarë ndodhte brenda mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, ndërsa anëtarë të saj, herë pas here dilnin jashtë për të komunikuar me mediat përmes lidhjeve direkte televizive.