MASH vonon hapjen e procedurave për specializimin e studentëve të Mjekësisë
Ministria e Arsimit vonon procedurat për kryerjen e aplikimit dhe më pas provimit për specializimin e studentëve të mjekësisë në profilet përkatëse. Propozimet e Fakultetit të Mjekësisë janë dorëzuar që në muajin nëntor të 2008-ës pranë Ministrisë së Arsimit dhe ende nuk është marrë një përgjigje. Aktualisht pritet që MASH-i të shqyrtojë propozimet dhe t’i kalojnë për miratimin Këshillit të Ministrave. Ndërkohë që drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë dhe studentët që presin të aplikojnë për specializime janë në pritje të hapjes së procedurave. Por, e rëndësishme është që këtë vit do të ketë specializime, pasi për 3 vite ato u ndërprenë. Studentët e mjekësisë që kërkojnë të kryejnë një specializim janë të shumtë të numër, por përzgjedhja do të bëhet nëpërmjet konkurrimit në specialitetet e miratuara nga qeveria. Fakulteti i Mjekësisë tashmë ka përcaktuar specialitetet dhe kapacitetet që ka QSUT-ja dhe Fakulteti i Mjekësisë për të përballuar specializantët e rinj. Specialitetet nuk do të kenë ndonjë ndryshim nga viti i kaluar, ndërsa kuotat pritet të vendosen me vendimin e qeverisë. Kështu, degët që do të trajtohen studentët janë Alergologji, Anatomi Patologjike, Dermatologji, Gastroenterologji, Hematologji, Imazheri, Kardiologji, Kirurgji Maxilo -Faciale, Mikrobiologji, Nefrologji, Neurologji etj. Vitin e kaluar, qeveria vendosi 166 kuota për studentët e mjekësisë, të specialiteteve të ndryshme. Pas vendimit të qeverisë, Fakulteti i Mjekësisë do të vendosë për kriteret e konkurrimit të studentëve dhe më pas përzgjedhja e tyre, sipas kërkesave të bëra dhe pikëve të marra nga konkurrimi. Konkurrimi do të jetë i hapur edhe për studentët që kanë mbaruar jashtë vendit dhe duan që të kryejnë specializimin në vend. Studentët e mjekësisë për t’u bërë mjek profesionist në një specialitet të caktuar duhet të përmbushin një numër të caktuar kriteresh për të ndjekur specializimet afatgjata në një degë të caktuar të mjekësisë. Specializimet afatgjata për studentët e mjekësisë, janë studimet e vetme pasuniversitare 3 apo 4 vjeçare që bëhet për kualifikimin e mjekëve. Të gjithë studentët që mbarojnë sistemin 5 vjeçar, me të cilin cilësohen si mjek të përgjithshëm, duhet të ndjekin studimet pasuniversitare për t’u kualifikuari si mjekë specialistë.
Mjekët, shtohen vizitat në poliklinika me problemet e stinës
Specialistët e poliklinikave të kryeqytetit bëjnë të ditur se janë shtuar rastet e vizitave për shkak të probleme nga sezoni i nxehtë. Një pjesë e madhe e pacientëve kanë dhimbje të veshëve, syve apo infeksione në vesh. Kjo vjen si rezultat i ndotjes nga tymi i rrugës apo nga ndotja në plazhe. Specialistët shprehen se tymi i rrugës shkakton infeksione apo alergji të ndryshme tek sytë dhe në lëkurë. Lëkura e syve dhe lëkura irritohen nga kontakti me tymin. Por, një situatë e vështirë krijohet edhe nga uji i ndotur i detit dhe pishinave. Mjekët rekomandojnë që qytetarët të shmangin ambientet e ndotura, si dhe të drejtohen menjëherë në poliklinikë për të marrë mjekimin përkatës. Në të kundërt, gjendja shëndetësore e tyre mund të përkeqësohet. Specialistët shprehen se dhimbjet e veshit mund të shkaktohen nga probleme të shumta gjatë verës. Disa prej dhimbjeve mund të jenë të lidhura me shëndetin në përgjithësi, dhe me pjesët e tjera të trupit, por ato mund të shkaktohen edhe nga qëndrimi në ambiente me zhurmë të lartë. Dhimbja e veshit është e njohur si “otalgjia”, dhe është një ankesë e zakonshme tek të rriturit, por më shumë tek fëmijët. Shkaqet e dhimbjes duhet të jenë të qarta, sepse shërimi nuk mund të bëhet pa e gjetur problemin e vërtetë. Ndër shkaqet kryesore të dhimbjes së veshit, përfshihen edhe infeksionet e veshit të mesëm, infeksionet e veshit të jashtëm, cipën e infektuar, tinitusin ose të rrahurat në vesh, tensioni nga fluturimi ose zhytja, trauma dhe osteoarthritisi. Por, disa shkaqe nuk janë të lidhura me kanalet e veshit, por mund të jenë probleme dentale, problemet e sinusit etj.
29 Korrik 2009