ISHP, pesë persona të prekur me virusin AH1N1 në vend
Emanuela Sako
Disa persona të tjerë kanë rezultuar të prekur me virus nga ekzaminimet e kryera në ISHP. Aktualisht, priten përgjigjet për pesë persona të moshës 16 deri në 23 vjeç, ku laboratorët Rumun do të përcaktojnë nëse virusi që ata mbartin i përket AH1N1. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë të ditur se analizat e këtyre personave do të bëhen publike brenda kësaj jave. Tre persona nga këto raste të mundshme me gripin e derrave kanë shfaqur shenja të menjëhershme të sëmundjes, pasi kanë udhëtuar në Angli dhe Rumani. Ndërsa dy rastet e tjera nuk kanë udhëtuar jashtë vendit dhe nuk kanë pasur lidhje me persona të tjerë që mund të kenë qenë mbartës të këtij virusi.
Simptomat
Specialistët e ISHP-së shprehen se të gjitha rastet paraqiten me shenja klinike të lehta të gripit dhe me temperaturë 38 gradë celsius, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulore si dhe lodhje. Këto raste nuk janë shtruar në spital dhe izolimi i tyre është bërë në kushtet e shtëpisë. Të 5 pacientët janë në moshë të re dhe i përkasin moshës 16-23 vjeç. Ata nuk kanë shfaqur simptoma të sëmundjeve të tjera shoqëruese si ato me origjinë respiratore, sëmundje zemre, diabet, shtatzëni apo sëmundje që dëmtojnë imunitetin. Specialistët theksojnë se deri tani vlera mesatare e mostrave të marra në javë ka arritur deri në 30, të cilat dërgohen menjëherë për ekzaminim në ISHP. Në laboratorin e ISHP-së kryhet testi i imunofluoreshencës direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake brenda 2 orësh. Më pas kryhet kultura në linja qelizore nga ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat nga 24-72 orë.
Ankesat
ISHP përpunon çdo ditë mostrat e dyshuara të ardhura nga poliklinikat e Tiranës dhe të rretheve. Specialistët shprehen se kanë vërejtje për mostrat e marra në spitalet e rretheve, ku të dhënat nuk kanë qenë të sakta dhe të plota. Specialistët në Tiranë duan të dhëna më të sakta dhe kampione të cilët plotësojnë të gjitha kushtet dhe kriteret për t’u ekzaminuar. Sipas premtimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë, tashmë kanë mbërritur në vend një sasi e madhe dozash Tamilu, të cilat mendohet të përdoren për rreth 1200 persona. Shumë shpejt, do të vijë një sasi e madhe për rreth 10-15 mijë pacientë. Kjo sasi është e konsiderueshme për të përballuar situatën edhe gjatë sezonit të dimrit. Gjatë sezonit të vjeshtës dhe atij dimëror, pritet që të ketë një shtim të madh të rasteve të personave që do të preken nga ky virus. Në këtë periudhë, qytetarët preken nga gripi i zakonshëm dhe janë më të prirur për t’u prekur edhe nga gripi i derrit. Shëndetësia shqiptare do të ofrojë falas këtë preparat për individët që kanë nevojë në të gjitha spitalet rajonale. Tamifluja që do të blihet nga vetë qytetarët në farmaci kap shifrën e 3700 lekëve. Ndërkohë që sasia e sapoardhur do t’u shpërndahet urgjencave, spitaleve rajonalë etj. Medikamenti mban përsipër dhe datën e skandencës, ku tek dozat e ardhura është përcaktuar që të skadojnë në janar të vitit 2011. Sipas të dhënave të mbledhura ditën e djeshme, shtrirja e hartës së prekjes nga virusi mbetet e njëjtë. Deri tani, ISHP-ja ka marrë mbi 195 mostra, në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Devollit, Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Lushnjës, Sarandës. Specialistët mendojnë se shtrirja e prekjes nga virusi mund të jetë më e gjerë, por qytetarët duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj simptomave që kanë. Ata duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku i familjes për kryerjen e vizitës dhe në rast se dyshohet duhet të qëndrojë në shtëpi për të mos u bërë i rrezikshëm për të tjerët.
29 Korrik 2009