E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Projekti i Ramës u votua, të rikonfirmohet

 

Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Beratit, Erjon Braçe sulmoi dje rezolutën e firmosur nga 38 anëtarë të asamblesë së socialistëve të kryesuar nga Ben Blushi dhe Kastriot Islami. Gjatë një deklarate për mediat në kohën kur po debatoheshin dy rezolutat në mbledhjen e asamblesë së PS, ish-kryeredaktori i gazetës së partisë, “Zëri i Popullit”, tha se është qesharake teza që kjo forcë të njohë zgjedhjet dhe të shkojë në Kuvend për t’i hetuar ato. “Ne nuk mund të bëjmë sikur nuk kuptojmë, as të bëjmë rolin e budallait, që të njohim zgjedhjet dhe të shkojmë në Parlament për të hetuar atë që njohim. Kjo jo vetëm që është qesharake, por është edhe një tezë shumë e turpshme që përfshihet në rezolutën e dytë si argument për t’u paraqitur”, u shpreh Braçe. Duke iu rikthyer zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat janë përdorur gjatë gjithë kësaj kohe nga grupi i Blushit si humbje e kryetarit të partisë dhe programit të tij, deputeti Braçe tha se në këto zgjedhje oferta e kësaj partie u votua më shumë se çdo ofertë tjetër e shpalosur gjatë fushatës elektorale. Sipas tij, në procesin e fundit elektoral Partia Socialiste rezulton forca me më shumë vota në krahasim me të gjitha partitë e tjera. “Çështja e kryetarit të Partisë Socialiste nuk varet as nga unë as nga zoti Blushi. Unë dhe Blushi kemi një votë në 80 mijë anëtarë të PS-së që votojnë kryetarin e PS, për shkak se projekti qoftë i Edi Ramës, qoftë i imi, qoftë i kësaj asambleje, qoftë i PS-së, nuk është kundërvotuar, por është votuar dhe është projekti më i votuar nga shqiptarët në zgjedhjet e 28 qershorit”, u shpreh më tej deputeti Braçe. Në këtë linjë ai theksoi se në kongresin e ardhshëm kryetari aktual Edi Rama duhet të marrë konfirmimin, pasi sipas tij të paktën 80% e atyre, që e votuan në zgjedhjet e 28 qershorit e duan një gjë të tillë. “Besimi për Edi Ramën duhet të rikonfirmohen dhe besoj që shpreh bindjen e më shumë se 80% të socialistëve dhe më shumë se 80% të 620 mijë shqiptarëve që votuan projektin tonë”, u shpreh në fund Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›