E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bluzat e bardha dhe skepticizmi ndaj reformës

Takova dy ditë më parë disa prej miqve të mi të vjetër, mjekë të qytetit të vogël të Librazhdit. Sapo kishin dalë nga një takim, le ta quaj promovues, ku dy prej kolegëve të tyre, kishin ndarë detyrat administrative të drejtimit të Shëndetit Parësor dhe Spitalit Rajonal në kuadër të reformës së re që po nis në shëndetësi prej fundvitit të shkuar.

Madje, sipas tyre, sapo kishin pirë dhe kafetë e këtij fillimi të ri, që njëherësh shënonte dhe startin e reformës tashmë të shpallur nga qeveria dhe miratuar nga Parlamenti, për përfshirjen e sistemit në skemën e Sigurimeve Shëndetësore.

Në një konfidencë më të madhe, me njërin prej mjekëve veteranë të spitalit rajonal, e pyes dhe përgjigjem në një retorikë, me një lloj entuziazmi, se tani kjo reformë e munguar prej vitesh, do jetë një nga gurët e themelit të ndryshimit pa kthim edhe në shëndetësinë e aq përfolur, për fat të keq të degraduar edhe në vitet e fundit?

Më vështroi dyshues dhe ma ktheu:

-Nuk e besoj se do ketë ndonjë ndryshim kushedi se çfarë….

U befa dhe disi më ra e papritur.

Miku im ishte një prej mjekëve që kishte gëzuar dhe gëzonte respekt në atë qytet të vogël dhe i njohur si reformator dhe mbështetës i së resë. Mbështetës i PD-së, e pandeha se "do hidhej në zjarr" duke mbështetur pohimet e mia! Përkundrazi. Nëse nuk ishte kundërshtues, ishte një dyshues i madh në atë që pritet të ndodhë me reformën e nisur nga qeveria..

E vërteta është se vetëm pak kohë më parë, mjekësinë dhe institucionet mjekësore të këtij qyteti, jo fort larg kryeqytetit, i drejtonte një mësues fshati dhe punët patën shkuar zi dhe më zi. Pa ilaçe dhe kujdes mjekësor, me mungesa kushtesh profilaksie dhe urgjence. Mbi të gjitha me shtimin e një makutërie mitëmarrjesh dhe pazaresh të paskrupullta dhe të bëra hapur dhe në mes të ditës me zë të lartë, si kudo në të gjitha spitalet tona.

Në këtë katrahurë, pa vënë dorën në zjarr, besoj, se, në një farë mase, nuk ka mbetur jashtë valles edhe mjeku veteran, miku im, në këtë sistem mjekësor me hapësira shqyese në fitimin e parasë së pandershme.

Dhe të njëjtën pyetje po në atë ditë ia drejtova edhe tim kushëriri, mjek në Korçë.

-Kot fare, - ma ktheu me nihilizmin e tij mosbesues,- as gjë nuk ndihet. Do presim dhe do shohim.

E njëjta situatë, më patën thënë se ekziston edhe në qarqet mjekësore të spitaleve të kryeqytetit.

Ata që ngrenë zërin dyshues dhe nihilistë janë një kastë e mirënjohur si "stekat e vjetra në mjekësinë tonë" dhe që përpos betimit të Hipokratit në spitalet e sistemit tonë publik shëndetësor, prej vitesh janë "betuar në zë" edhe në një hulli tjetër, për përfitime të pamerituara të ryshfeteve të majme prej pacientëve dhe familjarëve të tyre.

Kjo është një sjellje e njohur botërisht tashmë prej shoqërisë shqiptare, ku zor se kanë mbetur të papërlyer, qoftë edhe një mjek i vetëm!

Nga ana tjetër, të parën gjë që do shënojë kjo reformë e munguar apo e çalë dhe e fragmentare në mjekësi prej vitesh, do të jetë goditjen e korrupsionit, prerja e sa më shumë rrugëve të tij dhe ngritjen e nivelit të shërbimit ndaj pacientit.

Mungesa e kësaj reforme deri më tani, është shoqëruar, me mosbesimin dhe kundërshtinë, e të gjithë këtyre aktorëve të lidhura me interesat e përfitimeve të paligjshme dhe e justifikuar nën petkun e mungesës së legjislacioni apo kapaciteteve njerëzore, stafeve të kualifikuara dhe mjeteve financiare e logjistike. Mungesa, edhe më tutje, e kësaj reforme në sektorin e shëndetësisë, do të shënonte një hendek të madh në tërësinë e reformave dhe realizimeve të qeverisë të ardhur në pushtet katër vite më parë. Ndaj dhe përfshirja e saj në sistem nuk ka qenë e lehtë. Veç e domosdoshme dhe e pakthyeshme. Një hulli ku ka ecur bota mbarë në kushtet e një ekonomie tregu.

Kundërshti, rrudhje buzësh dhe mospajtim apo "vërejtje" nga pjesë maxhore të bluzave të bardha, siç po ndodhte dhe me miqtë e mi, dukej se vijnë nga prishje të ekuilibrave të mitëmarrjes së derisotme dhe rrudhjen e fitimeve të pamerituara dhe futjen e shërbimit spitalor në skemën e rimbursimit dhe të financimit sipas kostos së llojit të shërbimit të përftuar prej pacientit.

Puna e filluar nga ISKSH dhe drejtuesja vizionare, Elvana Hana, që sigurisht ka peshën kryesore në këtë reformë madhore, përkundër një tymnaje të tentuar nga një media e pavarur muaj më parë, duket se ka mbi vete pranimin e risqeve të një reforme që pa dyshim, në fillimet e saj, ka mbi shpinë gurin e sizifit. Aq më shumë kur rezultatet priten të vilen pas disa muajsh dhe mbase edhe një viti.

Por le ta lëmë zonjën Hana në përpjekjen për vërtetimin e të kundërtave të përbaltjes së ndonjë gazete ndaj saj dhe reformës dhe të kthehemi edhe njëherë te thelbi i dukurisë së skepticizmit të një pjese të madhe bluzave të bardha.

Planifikimi dhe futja në tregun e spitaleve rajonale të të gjitha llojeve të kostove të shërbimeve, medikamenteve dhe shtratit të të sëmurit, do ta nxjerrë mjekësinë shqiptare nga kolapsi dhe do ta vërë në binarët e zhvillimit.

Sigurisht si në çdo gjë të re, edhe këtu do ketë ngërçe dhe shkopinj nën rrota.

Të parat po i provon vetë ministrja Godo, prej kolegëve të saj, në formën e një presioni gjoja "profesional" dhe jashtë administrativ. Të cilat ka gjasa të vijnë edhe në formën e kundërshtive dhe debateve "në frymë konstruktive ndaj kësaj reforme", prej atyre që i quajta "stekave të vjetra" që realisht i japin sot tonin jetës spitalore dhe asaj profilaktike në vend, por që në prapaskenë kanë vetëm interesin e ngushtë të përfitimeve të pandalshme dhe të pandershme.

Këtu dhe vetëm këtu ka vend thirrja ndaj ndërgjegjes së tyre dhe formulës së betimit të Hipokratit. Pasi ky vend ka nevojë për një dorë dhe zemër të madhe prej mjeku të vërtetë dhe human, e jo pazarxhiu që të ndjek nëpër pavijone duke kërkuar kokërr më kokërr paratë "për punën e kryer".

Dyshimet, skepticizmi, qejfmbetjet, dhe hamendësimet për reformën që "ende nuk po ndihet" "dhe s‘dihet se ç‘rezultat do shënojë" nënkuptojnë goditjen ndaj korrupsionit dhe ryshfetet këtej e tutje, pas futjes dhe zbatimit të kësaj reforme të gjithëpritshme nga shoqëria shqiptare dhe që jashtë skepticizmit, do fillojë të shënojë rezultatet e para pas disa kohësh, me fillimin e një mandati tjetër qeverisjeje pas 28 qershorit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›