E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artisti që jeton kohën e vet

Bisedë me Zef Pacin, kurator i ekspozitës "Ndër kohë" të piktorit Edi Hila. Historiani i artit mbi një ekspozitë që nuk kërkon të ekzaltojë diçka formale por "ka parfumin dhe kutërbimin e realitetit tonë"


E rëndësishme për njeriun është të dijë cilit vit i përket. Me këto fjalë Edi Hila tregonte se marrëdhënien e tij me artin, kryesisht në nivelin e asaj që shpreh se sa të mënyrës se si e shpreh, përpiqej ta ndërtonte përmes të vërtetës. Mesazhi është disa vite përpara kur Hila ekspozonte disa cikle me tematikë sociale nga tranzicioni shqiptar.

"Portrete shtëpish" ishte një seri ku paraqitej kontrasti i pasurimit të shpejtë të shqiptarëve dhe shëmtisë arkitekturore; ndërtesa të bëra me pak para, kryesisht me kontributin e emigrantëve, sidomos në zonat rurale.


Ekspozita "Ndër kohë" që u hap dje në Galerinë Zeta është, është pjesërisht vazhdim i dialogut të artit të Hilës në nivelin aktual shqiptar ekonomik, social po edhe të besimit të individit.


Ndër 6 tablotë, ajo me titull "Kërcënimi" që është zgjedhur si imazh i ekspozitës luan rolin e atij gurit që hidhet në pellg dhe përhapë rrathë. Festa në atë tablo është një banket hijesh. Prej fytyrës që ka njeriu i "Kërcënimit" (njeri i kërcënuar) ngjan se gjenerojnë realitetet e tablove të tjera të Hilës, edhe pse njeriu aty nuk është fare prezent.


Me Zef Pacin, Pedagog i Historisë së Artit, kurator i "Ndër kohë" dhe i ekspozitës së "Vizatimeve të pashfaquna" të Hilës, dy vjet përpara, bëmë një bisedë.


Kurator i ekspozitës, e keni titulluar "Ndër kohë". Çfarë raporti kanë me kohën kur flasim tablotë e Edi Hilës?


Tek kjo fjalë ka njëfarë rëndësie edhe mënyra si është shkruar. Qëllimi është që "ndër" dhe "kohë" të shprehë kuptimin e shtrirjes në kohë të tranzicionit tonë, një periudhe që edhe po zgjat edhe s'po mbaron. Është një e përkohshme e përhershme, është një situatë pezull. Këtë situatë autori e nxjerr në pah nëpërmjet këtyre veprave, ku ndërtesat nuk janë të mbaruara, apo si tek kjo tablo që kemi përballë.


Pse kjo tablo, e quajtur "Kërcënimi", është zgjedhur imazh i ekspozitës?


Te "Kërcënimi", te kjo festë ku në mënyrë indirekte edhe pse është një festë ndjen një prani kërcënuese, sikur hukat brenda një atmosfere që nuk ka asgjë.


Në kontekstin ku e ka ndalur autori momentin, gjithmonë ka diçka të pezullt. Duket sikur na jep pamje të paplota që nuk zbërthehen me vështrim të parë se cili është subjekti, por ka gjithmonë ambiguitet të asaj se çfarë do të ndodhë. Natyrisht këtë Edi Hila e bën me qëllimin jo vetëm për të konstatuar një fakt po edhe duke u munduar që kuptojë shkaqet.


Për këtë arsye edhe piktura me ngrehinën me antena parabolike që shohim përbri, tregon pak a shumë izolimin dhe vetminë tonë. Një njerëzi duke parë përtej nëpërmjet antenave, duke parë një botë përtej.


Ose tabloja e çudove. Të vjen ndër mend ideja e një sakrifice e një flijimi. Titullohet "Proces", proces në kuptimin e diçkaje pezull po edhe në kuptimin gjyqësor.


Kjo pikturë e arkave në seri në buzë të rrugës të përcjell ndjenjën e arkave të lodhura të tregut në orën 6-7 pasdite...


...dhe të nesërmen ato janë i njëjti tran-tran që përsëritet. Tabloja bën pjesë në ciklin "Objekte buzë rrugës", cikël që flet për sisteme ekonomike paralele, një mënyrë për mbijetesë. Ndoshta ju kujtohet tabloja e një akuariumi për të shitur peshk buzë rrugës, apo e cirkut të improvizuar që hapet dhe mbyllet, e një makine ambulante akulloreje.


Dyqanet e nuseve buzë rrugës...


... me petkat të varura nga jashtë apo fuoristradat të stolisura me kordele për dasma. E gjithë kjo vjen prej një vështrimi të mprehtë të realitetit. Hila është një artist që ka zgjedhur të mos jetojë në kullën e fildishtë, të kuptimin që krijon një klimë rreth vetes për të pikturuar, por duke i hapur sytë për të parë realitetin për të kuptuar shkaqet.


Për nga tematika piktura e Edi Hilës duket e zbritur në rrugë, një pikturë e angazhuar në përvoja sociale të drejtpërdrejta. Autori nuk e bën këtë për hir të një ideologjie, jo në kuptimin e angazhuar.


Ky piktor ka shumë vite që merret me temën e ndërtesave të papërfunduar. Kujtoj tablonë mbi ndërtesën e asaj që u bë më vonë Tajvani, kur Hila pikturonte restorantin si krokodil, barin Lady Diana përballë me Hotel Dajtin. Ishin vitet '95-96, para se Parku Rinia të kthehej në parkun që shohim sot.

"Portretete shtëpish" është një cikël që përfaqësohet me një a dy tablo te kjo ekspozitë. Ju duket se e ka mbyllur Hila me trajtimin që i bën arkitekturës?


Arkitektura është një fenomen i cili të aksidenton edhe ekzistencën, kur bëhet agresive dhe pa e kuptuar fillon e vepron edhe në pavetëdijen e njeriut.


Njerëzit janë barometri i asaj çka mund të ketë shkaktuar arkitektura me agresivitetin, me dhunën. Për këtë arsye unë mendoj që është një është një shqetësim aktual dhe që ky piktor e ka vënë në dukje qysh në krye të herës.


E vetmja "tablo me klorofil" në tërë grinë e pikturave që shohim është kjo e ndërtesave binjake si dy bunkerë në mes të fushës.

Vetë ato ndërtesa gjeometrike që ia behin mes një are janë një akt, një ndërhyrje.


Çfarë përfaqëson në trajektoren e krijimtarisë së Hilës ky moment ekspozimi?


Para pak vitesh në këtë galeri është hapur një ekspozitë e Hilës me vizatime të paekspozuara më përpara. Ato ishin një shenjë rezistence ndaj një realiteti shtypës ndrydhës.


Unë e kam quajtur "Vizatime të pashfaquna 1970-1989 ose një luhatje mes anonimatit e mosasimilimit", sepse mund të rrezikonte që të rrinte në hije, por ishte edhe një rropatje për të mos u asimiluar, për të mos hyrë në rendin e artistëve që iu shërbenin me ose pa dëshirë diktaturës.


Pastaj ka pasur në krijimtarinë e Edi Hilës në vitet nëntëdhjetë një frymë poetike ku i thurte lavdi qytetit të tij të lindjes ashtu siç e mbante mend ai, duke e lidhur pak me një situatë edhe surreale, me bandën muzikore të qytetit, me rrugicat, me gratë që shëtisnin, me pjacën, e gjithë këto. Mirëpo pikërisht këtu, qëndron edhe virtyti i këtij piktori.


Tek kjo periudhë ndihet një dëshirë ikjeje. Në periudhën e mëvonshme nuk është më kjo dëshirë, përkundrazi ajo kthehet në një dëshirë për ta vështruar në sy realitetin. Ai çmon realizmin, siç e ka thënë dhe vetë, atë lloj realizimi që është problematik. Në këtë drejtim them që ka patur lëvizje në krijimtarinë e tij.


Ndërmjet ciklit të pikturave që marrin shtysa sociale ku ndihet pakënaqësia me realitetin e ri shqiptar, të vjen ndërmend një tablo e një dekade përpara: një autoportret i Hilës i zhytur në vaskë. Ndjenja e pakënaqësisë që nis prej vetes dhe prej këte, ndërgjegjësimi për të marrë një rol nëpërmjet artit... Tabloja ka bërë përshtypje atëkohë dhe fitoi "Onufrin".


Mendoj se bëri përshtypje sepse nxirrte në pah atë lloj artisti që përmendëm më lart: artistin të mbyllur në kullën e fildishtë. Një artist që vetëkënaqet ka një lloj narcizizmi. Këtë gjë Hila nuk e pëlqen. Artisti sipas tij mundohet të kapë parfumin po edhe kutërbimin e realitetit, pra të jetë artist që e jeton kohën e vet. Impenjimi në jetë i njeriut si qenie sociale për të është shumë i rëndësishëm.


Për këto arsye duhet të vijnë ta shohin njerëzit këtë ekspozitë?


Për të gjitha këto arsye që thamë. Për të parë një ekspozitë e cila nuk kërkon të ekzaltojë diçka formale por ka parfumin dhe kutërbimin e realitetit tonë, këtë ndjesi indirekte që ndjehet tek peizazhi jonë dhe ne jemi mësuar ta kalojmë ngaqë kemi fituar imunitet.


Kjo është shumë e keqe. Në këtë mënyrë vështrimi i Hilës është shumë i freskët, pa stoli të tepërta. Është një ekspozitë me një impenjim shumë serioz social të autorit.


Personalisht përse e pëlqeni Hilën?


Ndër të tjera për kurajën dhe që nuk i është nënshtruar komercializmit.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›