E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2012, shtohen ethet tri ditë para startit të turneut

Altin Manallari

Ndizet atmosfera në prag të hapjes së kompeticionit kontinental. Ja kuriozitetet e fundit

Italia ka humbur 0-3 kundër Rusisë, prandaj për bandën e Prandelit do të jetë absolutisht e ndaluar të nënvlerësojë kundërshtarët

Euro 2012 logoShtohen ethet në pritje të Euro 2012, kompeticioni kontinental i futbollit, që këtë vit zhvillohet në Poloni e Ukrainë. Ndeshja e parë e Europianit do të jetë Poloni-Greqi në Varshavë në orën 18:00, dhe pritja është entuziaste për të zotët e shtëpisë. Skuadra e Smudas ka rizgjuar në atdhe shumë shpresa dhe futbolli polak do të donte më në fund të rikthehej te lavdia e viteve 70 pas dekadash zhgënjimi e mediokriteti. Por nuk do të jetë e lehtë për polakët të kualifikohen në një grup, ku përveç Greqisë janë edhe Rusia e Republika Çeke. Edhe Ukraina është e fokusuar, duke qenë e zonja e dytë e shtëpisë së Euro 2012, edhe pse në tone më të vogla në krahasim me Poloninë, që ka shpresa serioze se do të mund të lërë një shenjë të rëndësishme në këtë Europian. Skuadrat favorite për fitoren finale janë pa asnjë dyshim Gjermania dhe Spanja, dy finalistet e Europianit të katër viteve më parë. Spanjollët do të debutojnë më datën 10 qershor, pikërisht kundër Italisë së Prandelit dhe trajneri i kampionëve në fuqi të botës dhe të Europës, Vinsente del Boske, ka deklaruar në mënyrë të drejtpërdrejtë se ambicia e tij do të jetë fitimi i trofeut dhe se është në gjendje që ta përballojë presionin që qëndron mbi të në këtë periudhë. Por fakti se në Spanjë besojnë te tripleta surprizë (Europian-Botëror-Europian), Del Boske ka vendosur të ndalojë rrjetin social Twitter në grumbullimin e “Furisë së Kuqe, pasi mendon se mund të jetë burim i shpërqendrimit të vëmendjes së lojtarëve të tij. Ndërsa Gjermania e Joakim Lëvit do të debutojë të shtunën e ardhshme kundër Portugalisë, që vjen direkt pas një humbjeje të turpshme në Lisbonë ndaj Turqisë. Pra, që në fillim do të kemi një ndeshje të rëndësishme për gjermanët, të cilët do të kenë kështu mundësinë të kuptojnë menjëherë çfarë roli do të mund të luajnë në këtë turne. Nuk do të kënaqemi vetëm duke fituar, dëshirojmë edhe të shprehim një futboll të bukur, ka thënë të dielën trajneri i gjermanëve në konferencën për shtyp, edhe pse në Berlin ndonjë trofe do të donin më në fund ta shikonin pas shumë komplimenteve, por pa asnjë triumf në vitet e fundit. Pavarësisht se Spanja ka pritur 50 vite të gjata përpara se të fitonte diçka dhe italianët 24 vjet, në Gjermani janë tashmë të paduruar dhe i kanë besuar Lëvit detyrën për ti dhënë fund pritjes. Ka probleme tek Anglia, ku trajneri Roi Hoxhson nuk do të mbështetet te Frank Lampard e Geri Kahill, të nxjerrë jashtë luftimit nga një frakturë e dyfishtë në nofull. Në vendin e tij do të grumbullohet Kelli i Liverpulit, edhe pse për të zëvendësuar një kampion si Lampard nuk do të jetë e lehtë. Italia ka humbur 0-3 kundër Rusisë, prandaj për bandën e Prandelit do të jetë absolutisht e ndaluar të nënvlerësojë kundërshtarët.

Euro 2012, shtohen ethet tri ditë para startit të turneut burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›