Mungesa e dallëndyshes së parë të shtangës, Lumturi Sylaj, flet me heshtje
Përvjetori
Nëse do të ishte gjallë, sot do të ishte 40 vjeçe. Lumturi Sylaj lindi në qytetin e Bajram Currit dhe që kur ishte fëmijë ëndërronte të ishte një sportiste. Ndoshta ky pasion e mbajti gjallë dhe rininë e saj, që ia dedikoi sportit. Pasi mbaroi studimet në Shkollën e Mjeshtërisë, ajo konkurroi në institutin e fizkulturës Vojo Kushi dhe fiton të drejtën për të vazhduar për katër vjet në këtë fole të rëndësishme të sportit, si mësuese e së ardhshmes. Por forca dhe karakteri që kishte e bënë ti përgjigjej menjëherë ftesës së trajnerëve dhe drejtuesve të federatës së peshëngritjes, për të konkurruar në këtë sport. Kësisoj ajo bëhet femra e parë që merrej me peshëngritje, e thënë ndryshe dallëndyshja e shtangës shqiptare. Interesant është fakti se në veprimtarinë e parë ndërkombëtare, ajo fiton medaljen e parë në Athinë. Madje dy të tilla, njërën në shkëputje dhe tjetrën në shtytje. Me dy medalje, njëra argjendi dhe tjetra bronzi, kthehet në atdhe më e lumtur se kurrë. Ishte viti 1993 dhe kështu vazhdoi për disa kohë. Ish-drejtuesi i Federatës së Peshëngritjes, Ferit Berberi, kujton me nostalgji këtë emër, që për fat të keq i mungon sot familjes dhe sportit shqiptar. Ai vlerëson guximin dhe kurajën e një vajze, që mori përsipër të ngrinte flamurin tonë në peshëngritje dhe e sheh si një dritare për brezat e ardhshëm, që u morën me këtë sport. Me fjalë të ngrohta dhe vlerësime maksimale flet edhe ish-kolegia e saj, atletja kampione Valbona Laukaj, që ndihet e pezmatuar për një mungesë kaq të rëndësishme sot. Lumja, ishte modeli se si duhej të merrej një femër me sport dhe këtë model ajo e kultivoi te nxënësit e saj kur mbaroi studimet dhe doli mësuese. Nëse do të ishte gjallë, Lumja sot do të ishte 40 vjeçe dhe do të festonte përvjetorin e lindjes së saj. Por ëndrrat e sportit dhe të jetës iu ndërprenë në mes, duke lënë pas një dhimbje dhe një hendek të madh për djalin Kristin, prindërit, motrat e vëllezërit, por edhe për familjen e madhe të sportit shqiptar. Ky shkrim, është sot një homazh, në respekt të vlerave të saj, në vend të një kartoline urimi, që nuk qe e thënë tia bënim në 40-vjetorin e lindjes.
Medaljet
Lumturia ishte femra e parë që u mor me peshëngritje dhe më pas edhe femra e parë solli dy medaljet e para në Shqipëri
Mungesa e dallëndyshes së parë të shtangës, Lumturi Sylaj, flet me heshtje burimi: Gazeta Shqip