E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bob Dylan, një rrebesh në stuhi

Nga Express më 18 korrik 2011 në ora 09:46

“Strehë nga stuhia” (Plejad, maj 2011 botuar me rastin e 70 vjetorit të artistit), shqipëruar nga Edvin Shvarc, është një tufë poezish të përzgjedhura nga përkthyesi, që veçoi nga krijimtaria 50 vjeçare e këngëtarit dhe poetit Dilan, lirikat më të ndiera dhe më të fuqishme.

“Po udhëtoja në një karrocë me zonjushën Marihuanë, zonjusha Marihuanë ka një shtëpi në Baltimorë. Rreth e rrotull i kam rënë botës, djema, ndërsa tani po përpiqem të hyj në Parajsë para se të mbyllet dera”. Kështu rrëfehet Bob Dylan (pseudonim i Robert Alen Cimermanit) në këngën “Përpiqem të hyj në Parajsë” (Tryin’ to Get to Heaven, 1997), më e vlerësuara e albumit “Time out of mind” dhe e vetmja performancë me harmonikë e albumit. Siç kërkon parajsën, Dylan kërkon edhe ndihmën e Zotit për t’i “mataruar shtratin e vdekjes”, kërkon të bien kambanat e lirisë, ngre zërin për barazi, për të drejtat e afro-amerikanëve. Dylani di ta kuptojë gruan kur i thotë: “Bën dashuri porsi një grua, ndjen dhimbje porsi një grua, por thyhet si të ishte një vajzë e vogël”, por di edhe ta largojë me fjalët “ti s’ia vlen. Ti përdor metodat e një djalli që në strofkullën e luanit fle”.

“Strehë nga stuhia” (Plejad, maj 2011 botuar me rastin e 70 vjetorit të artistit), shqipëruar nga Edvin Shvarc është një tufë poezish të përzgjedhura nga përkthyesi, që veçoi nga krijimtaria 50-vjeçare e këngëtarit dhe poetit Dilan, lirikat më të ndiera, më të fuqishme.

Libri është një rrugëtim në kulmet e krijimtarisë të një artisti që ka krijuar me qindra këngë, ka regjistruar rreth 45 albume, ka fituar çmime si Grammy Awards, Golden Globe, Academy Awards, Kennedy Center Honor në vitin 1997, “Pulitzer” në vitin 2008, kur katër vite më parë ishte kandidat për Çmimin Nobel për letërsi. Lexuesi gjen te “Strehë nga stuhia” lirika të zhanreve të ndryshme që ai krijoi nga folk-u, blues-i, country, për të vazhduar me rock end roll-in, muzikën gospel, jazz dhe swing.

Gjen aty “Blowin in the wind”, “The times that are A-Changing”, që u bënë himne të luftës për të drejtat shoqërore në Amerikë, “Like a Rolling stone”, kënga që shënoi kthesën në krijimtarinë e Dilanit dhe në historinë e kohëzgjatjes së këngëve të rok end rollit, por edhe kujtimet e dashurisë me gruan e parë “Sara”, “Knockin’ on Heaven’s Door”, “Gotta Serve Somebody”. Bashkë me këngët kuptohet edhe filozofia e një njeriu që diti “si t’u shpëtonte tallazeve të jetës”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›