Sulejman Krasniqi, iku duke shkruar jetën e tij
Iku duke marrë me vete ëndrrën e realizuar për lirinë e Kosovës. Iku duke shkruar fjalët e fundit në letrën e bardhë
Iku duke marrë me vete ëndrrën e realizuar për lirinë e Kosovës. Iku duke shkruar fjalët e fundit me dorën që i dridhej nga sëmundja në letrën e bardhë. Shkrimtarit Sulejman Krasniqi (74-vjeç) iu dha dje lamtumira e fundit nga të afërmit, kolegët, miqtë, të njohur e të panjohur. Ashtu siç e pat cilësuar vite më parë miku i tij Dritëro Agolli, ai ishte Balzaku i shqiptarëve. Jeta e tij kaloi përmes burgjeve, internimeve andej e këtej vendit, sepse kishte dëshiruar gjithmonë Shqipërinë e madhe deri në një moment kur ai vendos të studiojë e t’i përkushtohet studimeve dhe letërsisë. Atë që nuk e bëri dot me pushkë (çlirimin e Kosovës) punoi gjithë jetën që ta bënte me penë. Prej vitesh sëmundja e kishte dënuar të mos lëvizte përtej kolltukut që ishte bërë vetëm për të. Ishte “burgosur” brenda atij kolltuku, por lirinë e gjente teksa shkruante. Në vitet e fundit të jetës ai po shkruante autobiografinë. “Jetëshkrim. Roman atubiografik” e ka ende në dorëshkrim, ashtu si dhe shumë shënime të tjera, të cilat një ditë me siguri do ta shohin dritën e botimit. Sepse ai ka shumë për të treguar. I ka lënë të shkruara për t’u rrëfyer të tjerëve, pasi ai të kishte ikur nga kjo botë, sesi hija e keqe e komunizmit e ndoqi ngado që shkoi. Sulejman Krasniqi u lind më 7 dhjetor të 1937 në Hocë të Vogël të Komunës së Rahovecit, në Kosovë, në një familje atdhetare. U arratis për në Shqipëri me përkushtimin për të bërë të pamundurën për çështjen kombëtare. Pas vdekjes së mistershme të të atit në Jugosllavinë komuniste, ai vendosi të arratisej nga vendlindja e tij Kosova. “Shpëtimin” mendoi se do ta gjente në Shqipërinë nënë, kur më 1958 i dolën lot gëzimi teksa shkelte për herë të parë në tokën nënë Shqipërinë. Fjala shqip e ushtarëve të kufirit teksa i thoshin “Ndal” iu duk si përshëndetja më e ëmbël në atë vend që akoma se kishte mirëpritur dhe nuk do ta mirëpriste edhe për një kohë të gjatë. Kaloi 13 ditë në burgun e Tiranës, ku u thoshte hetuesve se ishte larguar nga Kosova sepse serbët e përndiqnin sepse donte çlirimin e Kosovës. Pas hetuesisë e çuan në vendqëndrimin e emigrantëve jugosllavë në Llakatund të Vlorës, sepse për shqiptarët e vendit mëmë ai ishte jugosllav. Në fund e internuan në Levan të Fierit. Këtu u njoh me të tjerë të internuar, si Drita Kosturin, Osman Kazazin, Dali Ndreun e Liri Gegën. Të gjithë vuanin dënimin me internim pa gjyq (ashtu si dhe ai) si të pakënaqur me regjimin. Këto ishin vitet e para të Sulejman Krasniqit në Shqipërinë nënë, por pas disa vitesh jeta e tij ndryshon. Nis studimet në Universitetin e Tiranës dhe merr madje dhe nënshtetësi shqiptare. Iu përkushtua studimeve dhe letërsisë, të cilat i bënë shoqëri deri në fund te jetës. Romanin e parë e shkroi kur ishte mësues në Klos të Matit, ku ditën jepte mësim e natën ulej të shkruante. Sot ai është shkrimtari i rreth 20 veprave historike, autori i një sërë artikujve dhe shkrimeve gazetareske. Ka shkruar romanet: “Në shpellën e banditëve”, “Qielli i përflakur” (1974), “Prijësja e komitëve” (1975), “Beteja të nëndheshme”, “Besëlidhja shqiptare”, “Pushka top”, “Mic Sokoli” (1979), “Bajram Curri” (1982), “Dardanët” (1985), “Oso Kuka”, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, “Rrëfimet e Majorit” (1993), “Rapsodia e kosovares” (1999) dhe libri më i fundit i tij “Rebeli i Bajraqeve” (2010), një libër që u botua 10 vjet nga botimi i romanit të tij “Makthi i hijeve”. Është shkrimtar që ka shkruar kryesisht për Kosovën. Shkrimtari Sulejman Krasniqi është fitues i çmimeve të ndryshme letrare, si ai i Republikës për romanin “Mic Sokoli” dhe i medaljeve e urdhrave të punës. Ndarja nga jeta e Sulejman Krasniqit është një humbje për letërsinë shqipe, së cilës ai iu dedikua me përkushtim edhe pse i sëmurë dhe i paralizuar që nga viti 1994. Të gjitha këto vepra historike do të mbeten testamenti i Balzakut të letrave shqipe, i cili u përcoll dje për në banesën e fundit nga miqtë dhe të afërmit. Personalitete të larta të letrave dhe politikës zhvilluan homazhe përpara arkivolit të tij të vendosur në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar.
Presidenti Topi: Krasniqi, një prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne
Presidenti Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, ngushëlloi dje familjarët e shkrimtarit Sulejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë të shtunën në Tiranë, në moshën 74-vjeçare. “Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me origjinë nga Kosova dhe njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit. Duke iu gjendur shpirtërisht pranë në këto çaste të rënda, shpreh besimin se jeta dhe vepra atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë të gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë” - shpreh vlerësimin për personalitetin e spikatur të shkrimtarit, presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Kryeministri Berisha: Humbëm shkrimtarin dhe atdhetarin
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, zhvilloi dje homazhe në nderim të shkrimtarit Sulejman Krasniqi. Duke vlerësuar se ndarja nga jeta e shkrimtarit Sulejman Krasniqi është një humbje e madhe për botën intelektuale shqiptare, kryeministri Berisha u shpreh se “Letrat shqipe, bota intelektuale shqiptare, humbi sot këngëtarin e atdhetarisë, heroizmit, trimërisë dhe përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarëve për liri e dinjitet. Sulejman Krasniqi në veprën e tij lë si trashëgimi apoteozën e heroizmit, patriotizmit, sakrificës, përkushtimit dhe trimërisë së shqiptarëve. Sulejman Krasniqi në të gjithë personazhet e tij, personalitete të historisë kombëtare, personazhet e tij të veprave letrare, frymëzon shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga pushtimi. Vepra e tij ishte një frymëzim i madh edhe për ata që bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.”- tha Berisha. Homazhe në nderim të shkrimtarit zhvilloi dhe kryebashkiaku i ri i Tiranës, Lulzim Basha.