E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat, pezullohet cmimi “Quadriga” për Putin

BERLIN- Një organizatë politike në Berlin ka vendosur të braktisë planet për t’i dhënë cmimin e rëndësishëm Quadriga, kryeministrit Rus Vladimir Putin. Një vendim i tillë erdhi pas protestave të shumta të grupeve të të drejtave të njeriut, sipas të cilëve Vladimir Putin nuk është kandidadi i duhur për të marrë një cmim të tillë.

Organizata "Verkstat Deutcland" këtë vit nuk do ta japë çmimin Quadriga. Dhënia e çmimit këtë vit do të pezullohet plotësisht, bën të ditur pas një takimi drejtuesit. Kështu, as të nominuarit e tjerë për çmimin nuk do të nderohen këtë vit. Krahas Vladimir Putinit për çmimin ishin nominuar edhe kryeministri palestinez Salam Fayyad, ministrja e Jashtme meksikane Patricia Espinosa dhe mësuesja e shkrimtarja me origjinë turke Betül Durmaz.

Plani për të nderuar me çmimin Quadriga edhe kryeministrin rus Vladimir Putin ngjalli protesta publike dhe diskutime të ashpra. Shumë personalitete të nderuara me çmimin më parë e dënuan rëndë vendimin. Artisti danez Olafur Eliasson e ktheu mbrapsht çmimin e tij dhe ish presidenti çek Vaclav Havel kërcënoi se do ta kthente. Disa anëtarë të kuratoriumit dhanë dorëheqjen në shenjë proteste, ndër ta kryetari i ekologjistëve gjermane Cem Özdemir dhe themeluesi i Wikipedia-s Jimmy Wales. Në deklaratën e tij bërë të shtunën, kuratoriumi shprehet "i prekur nga kritika masive në medie dhe një pjesë të politikës".

Të prekurve u është kërkuar falje dhe iu është kërkuar mirëkuptim për vendimin e mosndarjes së çmimit këtë vit. Përballë trysnisë në rritje dhe rrezikut të shkallëzimit të mëtejshëm të situatës, nuk kishte zgjidhje tjetër, thuhet në deklaratë. Ish presidenti dhe kryeministri aktual rus Vladimir Putin duhej të nderohej për "meritat e tij në krijimin e marrëdhënieve të besueshme dhe të qendrueshme gjermano-ruse".
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›