E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinumërimi, sfidë e KQZ-së për respektimin e standardeve

22-07-2013 / Gazeta 55

Flet Klement Zguri, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, deklaroi dje se rinumërimi i votave në qarkun e Lezhës përbën një sfidë për KQZ-në, pasi lidhet me respektimin e standardeve zgjedhore dhe transparencën e procesit. “Për KQZ-në nuk ka rëndësi nëse rinumërimi në Lezhë do të sjellë ndryshim rezultati. Kjo mund të jetë ngacmuese për subjektet zgjedhore apo për opinionin publik, ndërsa për Komisionin sfida lidhet me standardet dhe me përputhshmërinë mes rezultatit përfundimtar dhe vullnetit të zgjedhësve. Në rast se fiton këtë sfidë KQZ ka bërë gjithçka”, deklaroi Zguri. Ai vlerësoi ecurinë e rinumërimit të votave në KQZ, i nisur paraditen e sotme, ndërsa tha se procesi po monitorohet nga afër nga trupa e Komisionit. “Procesi po shkon mirë dhe KQZ po e monitoron me kujdes. Besoj se po ecim me ritme të shpejta për të mbyllur rinumërimin e votave të katër KZAZ-ve të qarkut Lezhë”, tha Zguri. Lidhur me vendimmarrjen e djeshme të KQZ-së për hapjen e të gjitha kutive në këtë zonë zgjedhore, një procedurë e iniciuar prej tij, Zguri thotë se vendimi u mor pas shqyrtimit të ankesave të PD-së dhe PS-së dhe sidomos pas konstatimit të shifrave të manipuluara, gjatë hapjes së 10 kutive të qarkut Lezhë. “Nisur nga ky grumbull faktesh dhe duke respektuar të drejtën ligjore që KQZ-së i jep neni 124, pika 6 e kodit zgjedhor më lindi dyshimi i arsyeshëm për të kërkuar rinumërim për të gjithë zonën zgjedhore Lezhë”, shpjegoi Zguri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›