E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinumërimi - shkon në 1500 numri i votave të PD, të tjetërsuara nga strukturat e numëruesve

22-07-2013 / Gazeta 55

KQZ përfundon rinumërimin e votave për rrethin e Mirditës. Pas rinumërimit, shkon në 1500 vota diferenca mes PD dhe PS. Manipulimi i faktuar në kutitë e Lezhës i vë një pikëpyetje të madhe të gjithë procesit zgjedhor

Diferenca mes koalicionit të djathtë dhe atij të majtë në qarkun e Lezhës, pas rinumërimit të ½ së kutive, arrin në 1500 vota në favor të të djathtës, shifër kjo që nuk ekzistonte në tabelat e dorëzuara në KQZ nga KZAZ-të. Ndërsa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vijon për të dytën ditë rinumërimi i kutive të Qarkut Lezhë, Partia Socialiste kërkon nga Kolegji Zgjedhor, shpalljen të pavlefshme të rinumërimit të votave jo vetëm për Lezhën, por edhe për Qarkun Shkodër. Por, mendimet janë krejt të ndryshme mbi ligjshmërinë e vendimit të KQZ. Komisioneri Klement Zguri thotë se gjatë procesit të rinumërimit janë konstatuar deformime të mëdha dhe të qëllimshme sipas tij në rezultate. Deformime në një qendër votimit janë vënë re edhe në dëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, votat e të cilës janë llogaritur për socialistët. Gjetjet gjatë procesit të rinumërimit, sipas Zgurit duhet të gjejnë përgjigje në reformën e ardhshme zgjedhore.
Për përfaqësuesin e PD, Njazi Kosovrasti manipulimi i faktuar në kutitë e Lezhës, i ve një pikëpyetje të madhe gjithë procesit. “Jam i shqetësuar se diçka e madhe ka ndodhur. Në 10 qendra ishte një batërdi që ka ndodhur. Ishalla nuk është një e keqe në të gjithë procesin. Shqetësimi që erdhi nga hapja e gjithë procesit do të thotë që standardi në këtë qark ka pësuar deformime të mëdha. Ideja se vazhdimisht duhet tu besojmë komisionerëve rezultoi që është me mjaft negativitete”- tha përfaqësuesi i PD, Njazi Kosovrasti. Por, përfaqësuesi i LSI-së, thotë se ligji është i mirë dhe se parregullsitë vijnë nga njerëzit. I renditur në krah të PS-së kur e quan antiligjore vendimmarrjen me 4 vota të KQZ-së për rinumërim, Ilirian Muho i Lëvizjes Socialiste për Integrim thotë se kjo forcë nuk rrezikon mandatin e saj nga ky proces. Gjithsesi, ai thotë se LSI nuk rrezikohet nga rinumërimi. “Nga informacionet që kemi ne, nga numëruesit tanë nuk ka asnjë surprizë në ato çfarë ka në kutitë e votimit brenda. Gjithçka është në përputhje me ligjin. Kjo është një gjë që po konstatohet. Gjithçka që kanë kutitë brenda është pasqyruar në mënyrë korrekte në tabelën e grupeve të numërimit e në këtë kuadër nuk shoh asnjë rrezik apo asnjë surprizë në efektin e ndarjes së mandateve në qarkun e Lezhës”- tha Muho. Nga rezultatet e deritanishme, në Qarkun e Lezhës, koalicioni i djathtë merr 4 mandate për deputet, ndërkohë që të majtët ndahen, 2 mandate për PS dhe një për LSI. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi paradite numërimin e kutive të qarkut të Lezhës. 248 kuti të këtij qarku dhe 417 të qarkut të Shkodrës do të duan të paktën një javë për t’u numëruar nëse do të mbahet ritmi i deritanishëm. Në KQZ janë ngritur 8 grupe numërimi dhe deri tani janë hapur 174 kuti. KQZ vendosi hapjen e kutive të qarkut të Lezhës pasi rinumëroi 10 kutitë me manipulim në tabelën e rezultatit.
     Qarku Lezhë, mbeten 74 kutitë e Kurbinit/Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vijim të procesit të rinumërimit dhe rivlerësimit të kutive të votimit të Qarkut Lezhë, ka rinumëruar 63 kuti votimi të KZAZ-së 14, që i takon rrethit Mirditë. Deri më tani, KQZ ka numëruar në total 174 kuti votimi dhe i mbeten 74 kuti në Qarkun Lezhë. Nga konstatimet e rinumërimit deri tani, janë vërë re deformime të rezultatit në pak qendra votimi. Nga procesi i rinumërimit, koalicioni i djathtë merr 4 mandate dhe ai i majtë tre mandate.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›