Bode: 2010, rikthim në normalitet për ekonomisë shqiptare
Ministria e Financave raporton për zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2009 Viti 2010 do të jetë viti i kthimit në normalitet të ekonomisë shqiptare. Kjo ka qenë deklarata që ka bërë dje kreu i Financave shqiptare, Ridvan Bode gjatë një konference për shtyp. Bode ka bërë një bilanc të zhvillimeve ekonomike për vitin 2009 ku ka theksuar se ato rezultojnë mjaft pozitive. "Të dhënat kryesore të vitit 2009 sipas buxhetit të shtetit flasin për zhvillime pozitive krahasuar me ekonomitë globale dhe ato rajonale dhe shpresojmë se këto zhvillime si dhe
sinjalet pozitive që po vijnë nga ekonomia globale të bëjnë që viti 2010 të jetë viti i kthimit në normalitet të ekonomisë shqiptare", deklaroi ministri Bode. Sipas ministrit Bode në vitin 2009 rritja ekonomike ishte 3 %, ndërsa të ardhurat për këtë vit llogariten 299 miliardë lekë, me një rritej prej 2.3 %. "Në vitet 2008 dhe 2009 ka një rritje të moderuar të borxhit publik edhe për faktin e ndryshimit të kursit të këmbimit të monedhës vendase në raport me euron e cila, përbën pjesën dërmuese të borxhit tonë publik dhe ka detyruar një rritje artificiale prej rreth 2 pikë përqindje në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto", u shpreh Bode. Lidhur me amnistinë fiskale dhe legalizimin e aseteve të kërkuar nga biznesi, ministri Bode tha se "është momenti i duhur për këtë dhe se strukturat e ministrisë së Financave po negociojnë me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë". Ndër të tjerash numri një i Financave ka shtuar se viti 2009 është cilësuar si viti i reformave administrative dhe i modernizimit të sistemeve. Duke numëruar sukseset e njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare gjatë një viti punë, Shqipëria rezulton të jetë një ndër vendet e pakta në rajon që arriti të shmangë çdo pasojë të mundshme nga kriza ekonomike globale. Në këtë mënyrë, edhe ulja e taksave të ndërmarra nga qeveria i kanë dhënë vendit një opinion pozitiv për para botës ekonomike. Shqipëria gjatë vitit 2009, u deklarua vendi me liritë fiskale më të mëdha në kontinentin europian dhe duke krijuar kështu një avantazh për tërheqjen e vëmendjes së investitorëve të huaj në raport me ekonominë vendase. Mediat e shkruara dhe ato vizive janë njohur gjatë këtij viti me sfidat dhe arritjet më të mëdha të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Ulja e taksës së sheshtë, e cila konsistonte në uljen thelbësore të ngarkesës fiskale, të barrës tatimore mbi bizneset; Ulja me dy herë e tatimit mbi fitimin, ulja me rreth dy herë e tatimeve të tjera si tatimit mbi dividentin, tatimit maksimal mbi të ardhurat personale, heqja e një sërë taksash dhe tarifash nacionale, shtuan përpara Ministrisë së Financave, përpara organeve fiskale sfidën e përballimit me sukses, pra sfidën e mosrënies së të ardhurave tatimore. Ajo që u vërtetua në praktikë ishte se të paktën teoria funksionoi, se ulja e barrës fiskale u përkthye në një zgjerim të bazës tatimore, u përkthye në një rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Gjithashtu konstatohet fakti që gjatë vitit 2009, jo vetëm që është mbajtur niveli i arritur në 2008 për të ardhurat në buxhet në raport me PBB në, por kjo e fundit ka rritur me rreth 2 pikë përqindjeje të ardhurat në buxhetin e shtetit në raport me PBBnë. Kjo rritje është konsideruar edhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode një rritje e cila qeverisjes së mëparshme i është dashur mbi 8 vjet për të arritur 1.6 % të PBB-së. Përmirësimi ligjor Viti 2009, ishte një vit i i ndërmarrjes së një sërë përmirësimeve ligjore për gjithë sistemin. Ky vit ishte një vit i Ministrisë së Financave, për gjithë sistemin fiskal. Gjatë vitit 2009, kjo ministri zbatoi ligjin organik të buxhetit i cili kishte filluar përgatitjen, përpunimin, hartimin që nga viti 2002, ka deklaruar ministri Bode. Po në harkun kohor të një viti, sipas tij janë miratuar edhe ndryshimet ligjore mbi ligjin për Procedurat Tatimore. Një sërë aktesh nënligjore u përpunuan, u hartuan për ti dhënë mundësi biznesit që të konkurrojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të ndershme në treg. Ligjet u bënë konsistente dhe u pakësuan hapësirat e përcaktimit në vendimmarrje në raport me caktimin e taksave nga ana e administratës fiskale. Ky kuadër ligjor në këtë formë, jo vetëm e ka ndihmuar biznesin për një konkurrencë të drejtë dhe të ndershme në treg, por ka pakësuar në mënyrë thelbësore mundësitë për korrupsion në administratën fiskale. Në këtë drejtim, vlen të përmenden rezultatet e Transparency International, të cilat e konsiderojnë Shqipërinë si vendin me rezultatet më të mira në rajon gjatë vitit 2009, duke u rritur me 0.5 pikë nga 2.9 në 3.4 vlerësimi i luftës antikorrupsion. Shqipëria dhe Turqia mbeten dy vendet me progresin më të madh në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2009.
Shpenzimet për investime publike, shumë herë më të larta se në 2008Në qoftë se shpenzimet operative, korrente janë rritur me vetëm 12 %, shpenzimet për investime rezultuan të ishin gjatë 2009 shumë herë më të larta se në 2008. E gjithë kjo për herë të parë ka mundësuar një realizim gati tërësor të investimeve publike. Gjatë këtij harku kohor janë kryer mbi 700 milion dollarë investime dhe pritet që gjithë viti të kompletojë objektivin e qeverisë për të kryer investime publike në masën 1 miliard dollarë për vitin 2009. Të gjitha këto, ndjekja gjithëvjetore e realizimit të të ardhurave, kryerja e shpenzimeve në kohën e duhur dhe me eciefencë të lartë, kanë bërë që ekonomia shqiptare të përforcojë në mënyrë pozitive përballë presionit të një krize financiare që aktualisht ka përfshirë botën.
Last Updated on E Premte, 12 Shkurt 2010 20:51