E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset: Amnisti të plotë fiskale dhe legalizim asetesh

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka materializuar dhe formalizuar iniciativën e saj për amnisti të plotë fiskale dhe legalizim asetesh, në fillim të Janarit 2010. Për të shqyrtuar këtë kërkesë Ministria e Financave ka këkruar një tryezë diskutimi me përfaqësueist e dhomës së tregtisë për tu njohur më konkretisht me këto kërkesa. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ka thirrur në këtë tryezë përfaqësues nga bota akademike, drejtues

 të tatimeve dhe doganave, përfaqësues të shoqatave të biznesit, si dhe përfaqësues të bizneseve sipas sektorëve specifikë, me të cilët Dhoma afron bashkëpunim dhe mbron interesat e tyre. Ministria e Financave është përfaqësur në këtë tryezë nga zv/ministrin Alfred Rrushaj dhe Moza Vokshi. Nga kjo tryezë, u dol në një emërues të përbashkët: Kërkohet një amnisti e plotë fiskale e detajuar dhe e studiuar mirë. Sot jemi përballë një situate të re dhe për këtë duhet njohje reale nga aktorët politikëbërës, legjislativ dhe ekzekutiv të shtetit, është shprehur kryetari i dhomës së tregtisë Nikolin Jaka duke shtuar në këtë linjë qartazi se bizneset tona janë në vështirësi financiare, ndaj kërkohet njohja e kësaj situate si dhe një studim i hollësishëm i mundësive për një qëndrim të ri politik në raport me ta. Duke qëndruar nën këtë zë, zoti Jaka bëri të qartë se amnistia e plotë fiskale do ti jepte një frymëmarrje të re ekonomisë shqiptare, duke zbutur faktorët e ndikimit të krizës globale, por kjo amnisti të jetë e plotë e cila presupozon shumë legalizim asetesh, amnisti për detyrime që kanë të bëjnë me borxhin tatimor apo doganor të paqartë, apo shuarjen e detyrimeve tatimore për pasurinë e vënë në vite, në kohën kur kuadri ligjor dhe administrativ tatimor nuk ishte as i plotë dhe as i konsoliduar. Ishte ky një emërues i përbashkët që u mbështet nga të gjithë të pranishmit në këtë takim ku përfaqësues të botës akademike si zoti Dhori Kule, Ardian Civici, Sherif Bundo, Artan Hoxha etj. apo përfaqësues të biznesit, kërkuan që të jenë të matur, por të qartë në hartimin e një amnistie të plotë, të bërë një herë dhe me të gjithë parashikimet e pas aplikimit të saj.  Pasi përfaqësuesit e Ministrisë së Financave u njohën më gjerësisht mbi pretendimin e biznesit për ndërmarrjen e një hapi të tillë, që për herë të parë kërkohet në mënyrë të plotë nga vetë biznesi, u shprehën të hapur dhe të gatshëm për bashkërendim dhe bashkëpunim në hartimin e draftit ligjor për amnistinë fiskale dhe legalizimin e aseteve.  Nga ana e saj drejtuesit e Dhomës së Tregtisë po hartojnë me kujdes dhe gjithëpërfshirje grupin e punës ku në përbërje të tij do të jetë bota akademike me specialistët më të mirë të fushës së ekonomisë dhe jurisprudencës, me përfaqësues të shoqatave të ndryshme të biznesit si dhe biznese dhe aktorë të tjerë që janë të interesuar për amnisti të plotë fiskale dhe legalizim asetesh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›