Nurja: Kombësia dhe feja, thjesht karakteristika demografike
Rreth 15 milionë euro do të jetë vlera që do të përdoret për regjistrimin e popullsisë dhe banesave në vitin 2011. Ky fond do të përdoret për të detajuar çdo të dhënë rreth çdo qytetari shqiptar, duke nisur nga të dhënat personale, etnia, besimi etj. Me 42 pyetje për individët, INSTAT mundëson kështu të dhëna për një sërë sektorësh. Në një intervistë për “standard”, drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, tregon detajet e zbatimit të këtij programi, i cili pritet të zbatohet në vitin 2011, pas një anketimi që do të bëhet në prill të këtij viti. Nurja tregon se është përdorur si model pyetësori i vendeve evropiane, por i ngjashëm dhe me vendet fqinje madje dhe të Kosovës. Lidhur me pyetjet për etninë dhe besimin, Nurja tregon se nuk është hera e parë që janë bërë pyetje të tilla në arkëtimet e INSTAT. Pyetje për besimin janë bërë në një anketim me 9 mijë persona dhe në këtë rast 100% e tyre kanë pranuar të përgjigjen. Por nga ana tjetër, Nurja shton se para se ky projekt të vihet në zbatim, atij mund t’i bëhen ndryshime në bazë të sugjerimeve apo vërejtjeve që do të bëjnë grupet e interesit, me të cilët INSTAT po zhvillon tryeza debati. Nurja thotë se INSTAT do organizojë tryeza të rrumbullakëta, ku pjesë e tyre do të jenë dhe komunitetet fetare, institucionet e kultit etj., dhe do të merren parasysh të gjitha vërejtjet, sugjerimet e tyre dhe do të paraqiten në mbledhjen e radhës në Komisionin e Regjistrimit. Por gjithsesi pyetjet për etninë dhe besimin nuk janë thelbësore në këtë pyetësor, pasi qytetarët nuk janë të detyruar të përgjigjen. Nurja i jep një rëndësi shumë të madhe regjistrimit të popullsisë dhe banesave nga ana ekonomiko-sociale.
Sipas saj, ky regjistrim jep një fotografi të momentit mbi gjendjen sociale dhe nivelin e jetesës së popullsisë në një moment të dhënë (Momenti kritik i regjistrimit). Vetëm regjistrimi mund të sigurojë të dhëna kaq të plota dhe të detajuara dhe rezultatet e tij janë jetësore për hartimin e politikave të duhura dhe marrjen e masave efektive për implementimin e tyre.
Zonja Nurja, INSTAT është angazhuar në një program të ri të regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Si do të realizohet prej jush ky projekt?
-Projekti i Regjistrimit ka për qëllim sigurimin e informacionit bazë, në formën e të dhënave elektronike individuale, të cilat janë thelbësore për ndërtimin institucional, zhvillimin demokratik dhe qeverisje të mirë të Shqipërisë. Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave (REPOB-AL) 2011 është numërimi i plotë i të gjithë individëve, Njësive Ekonomike Familjare dhe Banesave, destinacioni i të cilave është banimi. Ky regjistrim i përgjithshëm bëhet çdo 10 vjet dhe qëllimi kryesor i tij është të japë një panoramë aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Ai jep një fotografi të momentit mbi gjendjen sociale dhe nivelin e jetesës së popullsisë në një moment të dhënë (Momenti kritik i regjistrimit). Vetëm regjistrimi mund të sigurojë të dhëna kaq të plota dhe të detajuara dhe rezultatet e tij janë jetësore për hartimin e politikave të duhura dhe marrjen e masave efektive për implementimin e tyre. Ky projekt ka filluar zbatimin që në vitin 2008 dhe gjatë këtij viti do të ndërmerren një sërë aktivitetesh të rëndësishme siç është projekt-piloti, i cili do të jetë një test për zhvillimin e regjistrimit të përgjithshëm në vitin 2011. Regjistrimi do të përdorë metodën tradicionale për mbledhjen e të dhënave – derë më derë me anketues, ndërkohë që për kapjen e të dhënave të mbledhura si dhe përpunimi i tyre do të bëhet për herë të parë nëpërmjet sistemit të skanimit, që është një prej metodave me inovatore tani në botë. Gjithashtu, risi tjetër do të jetë përdorimi i hartave dixhitale. Ky proces do të mundësojë krijimin e bazës së të dhënave hartografike të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave dhe do të kontribuojë gjithashtu në krijimin e Infrastrukturës së të Dhënave Hapësinore Kombëtare për statistikat, sipas standardeve dhe rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Ky regjistrim do të mbështetet në të gjitha përkufizimet dhe rekomandimet e Eurostatit dhe Kombeve të Bashkuara. Pyetësori i regjistrimit përmban pyetje të detyrueshme dhe jo të detyrueshme.
Pyetësori pasi është draftuar nga specialistët e INSTAT-it është konsultuar dhe rishikuar edhe nga ekspertë ndërkombëtarë në fushën e demografisë. Ky pyetësor është testuar nga INSTAT në rreth 100 familje, ndërkohë që testimi i plotë do të realizohet nëpërmjet Regjistrimit Pilot në prill 2010. Gjatë hartimit të pyetësorit është pasur parasysh që ai të përfshinte pyetje të përfshira edhe në regjistrimin e mëparshëm 2001, për të ruajtur një krahasim të dhënash, si dhe është bazuar në modelet e vendeve evropiane dhe të rajonit, të cilat përdorin të njëjtën metodologji për kryerjen e regjistrimit (pyetësori i Irlandës, Kosovës, Maqedonisë, UK, Kroacia, Zvicra, Italia etj).
Çfarë eksperience ka INSTAT në regjistrimin e popullsisë dhe kur është bërë regjistrimi i fundit nga institucioni juaj?
-INSTAT ka tashmë të gjitha kapacitetet njerëzore, profesionale, si edhe infrastrukturën e nevojshme për realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe sipas të gjitha standardeve të kërkuara. Nga ana tjetër, dua të theksoj se INSTAT kryen një sërë anketimesh me përfshirje të madhe territoriale, siç janë anketat e ndryshme. Regjistrimi është një sipërmarrje e madhe, por që INSTAT ka eksperiencën e duhur për ta zhvilluar atë brenda të gjithë parametrave të kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë. Regjistrimi i fundit i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave është bërë në vitin 2001 dhe siç e theksova dhe më parë, këto regjistrime bëhen çdo 10 vjet. Ky regjistrim, gjithashtu do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve për zhvillimin e një infrastrukture në funksion të sistemit statistikor, në përputhje me standardet dhe rekomandimet evropiane dhe ato ndërkombëtare.
Nga kush mbështeteni ju në këtë projekt, kush ju financon dhe a keni mbështetje apo asistencë nga ndonjë organizëm i specializuar në këtë fushë?
-Regjistrimi i popullsisë dhe i banesave është një projekt madhor dhe mbështetësit kryesorë financiarë janë Komisioni Evropian nëpërmjet IPA, qeveria shqiptare, Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), SIDA, UNDP etj. Kështu, vlera e tij llogaritet rreth 15 milionë euro, me donator kryesor Bashkimin Evropian, me 8 milionë euro dhe qeveria shqiptare ka planifikuar për këtë projekt 5 milionë euro.
INSTAT ka bërë dhe vazhdon aktualisht të bëjë një sërë trajnimesh, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë mbi formimin e kapaciteteve njerëzore për prodhimin e statistikave. Këto trajnime janë intensifikuar gjatë kësaj periudhe edhe për shkak të procesit të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Tashmë, ne kemi një staf mjaft të kualifikuar dhe në gjendje të realizojë projekte madhore siç është ai i regjistrimit të përgjithshëm.
Nga pikëpamja ekonomike, ku qëndron rëndësia e regjistrimit të popullsisë?
-Regjistrimi i ri i popullsisë dhe banesave 2011, vjen si nevojë e domosdoshme dhe prioritare për qeverinë shqiptare. Ky regjistrim është thelbësor, për përcaktimin e qëllimeve ekonomiko-sociale dhe planet e zhvillimit në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe për projektet e kooperimit multilateral dhe bilateral. Gjithashtu, regjistrimi do të ketë kontributin e tij të padiskutueshëm në procesin e vazhdueshëm të demokratizimit dhe zbatimit të vetëqeverisjes lokale. Regjistrimi i popullsisë dhe banesave do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave bazë të qëndrueshme në kohë, si demografike ashtu dhe social-ekonomike, në nivel kombëtar, lokal dhe rajonal për thjeshtimin e formulimit, monitorizimit dhe vlerësimit të planeve dhe programeve të zhvillimit social-ekonomik, si dhe për qëllime të tjera administrative dhe studime kërkimore-shkencore. Thënë me thjesht, nëse në një zonë të madhe apo të vogël administrative do të ndërtohet një shkollë, spital, ujësjellës etj., duhet minimalisht të kuptosh zhvillimin demografik. Pra sa banorë janë, çfarë zhvillimi arsimor kanë, apo çfarë aksesi ndaj këtyre shërbimeve publike ata kanë.
Kush është përcaktuar prioritet në regjistrimin e ri që INSTAT do t’i bëjë popullsisë, duke qenë se këtë herë janë përfshirë dhe tregues të tjerë në deklarim, ku hyn etnia dhe besimi?
-Etnia është një karakteristikë demografike e personit. Në ndryshim nga karakteristikat e tjera si mosha, vendlindja, seksi, gjendja civile, shtetësia, kjo karakteristikë i lihet e lirë personit ta deklarojë. Pra çdo individ është i lirë të deklarojë ose jo etninë dhe besimin e tij fetar. INSTAT ka parashikuar një program konsultimesh me bazë të gjerë ku do të përfshihen të gjitha grupet e interesit, do të përfundojë në fund të qershorit 2010 dhe do të përfshijë institucionet e qeverisjes qendrore së bashku me institucionet në varësi, autoritetet lokale, institutet, organizatat dhe agjencitë joqeveritare përdoruese të të dhënave, komunitetin e akademikeve, organizatat me interesa në çështje të veçanta (të tilla si paaftësia, minoriteti, feja etj). Pyetjet/komentet do të analizohen dhe do të merren në konsiderate nëse janë një nevojë e qartë e demonstruar, si dhe në rastin se kërkesat e përdoruesve nuk mund të arrihen me informacionet nga burime të tjera. Pyetja lidhur me përkatësinë fetare nuk përbën fokusin kryesor të regjistrimit. Ajo është një prej pyetjeve që përfshihen në grupin e pyetjeve jo të detyrueshme në rekomandimet e Eurostat dhe është një pyetje që përfshihet nga shumë vende evropiane, të rajonit tonë, si dhe vende të tjera në botë. Por siç e përmenda më lart, shumë vende i bëjnë këto pyetje me qëllim që të marrin të dhëna mbi këto karakteristika demografike.
Deklarimi i fesë mos ndoshta krijon një përçarje mes komuniteteve fetare, pasi në disa raste kjo është kundërshtuar?
-Nuk është hera e parë që INSTAT mat besimin fetar në vend. Vetëm para një viti, ne kemi realizuar anketën e demografisë dhe shëndetit (demograpihc health survey) dhe ne kemi marrë përgjigje të plota mbi besimin fetar. Përgjigjet e të anketuarve, që është bërë me një kampion prej 9 mijë familjesh, kanë qenë thuajse 100%. Kjo eksperiencë na mbështet të themi se nga pikëpamja e realizimit të kësaj pyetjeje nuk ka problem. Por, unë dua të theksoj se në ditët në vijim do të organizohet tryeza të rrumbullakëta me grupet e interesit, ku pjesë e tyre do të jenë dhe komunitetet fetare, institucionet e kultit etj., dhe këto do të merren parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e tyre dhe do të paraqiten në mbledhjen e radhës në Komisionin e Regjistrimit.
Zonja Nurja, a plotësohen standardet evropiane në projektin e regjistrimit që ju do të kryeni?
-Shpreh bindjen dhe garantimin e plotë se regjistrimi që do të kryhet në përputhje me të gjitha standardet evropiane dhe ato ndërkombëtare. Në të gjitha pyetjet dhe hapat që po ndiqen për realizimin e këtij projekti ne kemi marrë parasysh rekomandimet e Eurostat dhe OKB-së, të përmbledhura në një manual, që është si të them bibla e hartimit të pyetësorit.