E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti 2009, Berisha zgjidh qesen për fushatë

 

Kryeministri premton rritje pagash për të gjithë gjatë vitit elektoral. Kundërshton Bode: Kujdes, është vit elektoral

TIRANË - Qeveria ka miratuar dje buxhetin e vitit 2009, duke parashikuar rritje pagash për mjekët, infermierët, arsimtarët, si dhe rritje pensionesh. Në mbledhjen e djeshme, Berisha, e ka cilësuar buxhetin si një garanci për stabilitetin makroekonomik. Por ai u ka vënë një kusht shqiptarëve, duke u kërkuar që të votojnë sërish PD-në vitin e ardhshëm, nëse duan të ketë rritje më të madhe buxheti. Ai ka premtuar rritje të madhe ekonomike dhe projekte madhore, në një kohë që kjo gjë është pothuajse e pamundur. Përveç faktit që 2009-a është një vit elektoral, kriza globale pritet që të ndikojë ndjeshëm në financimet e huaja. Gjatë një konference të zhvilluar pak ditë më parë, bankierët, paralajmëruan qeverinë shqiptare për “pezullimin” e projekteve të mëdha. Ata shpjeguan se kriza globale ka ndikuar në të gjithë sistemin bankar dhe asnjë bankë nuk ka mundësi reale të japë kredi, aq më tepër vendeve të tilla si Shqipëria. Por këto nuk kanë ndikuar aspak tek kryeministri, i cili ka vazhduar me premtimet e tij për të rritur paga pa fund, pikërisht gjatë vitit 2009, që është edhe vit elektoral. Në prezantimin e buxhetit ai ka “harruar” të ndalet në shifrat konkrete të investimeve, por është mjaftuar me faktin që do mbështesë veprat e mëdha.

***

"Me shtesën që do të bëhet vitin e ardhshëm, arsimtarët, mjekët dhe infermierët do të ndjejnë dyfishimin e rrogave, pensionistët në qytet do të kenë një rritje të ndjeshme prej 10 për qind, ndërsa pensionistët në fshat do të kenë një rritje prej 20 për qind ", - tha kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Në buxhet është parashikuar që administrata shtetërore do të “kushtojë” sa 6.2 për qind e prodhimit të brendshëm të vendit. Ndërkohë, një pjesë tjetër e buxhetit, është parashikuar edhe për Forcat e Armatosura. “Realizimi i shpenzimeve bëri të mundur buxhetin në 2 për qind për Forcat tona të Armatosura, në përputhje me zotimin që kemi para NATO-s ", - tha Kryeministri Berisha. Kjo rritje është kryer në kuadrin e kushteve që duhen plotësuar që Shqipëria të hyjë në NATO. Kreu i qeverisë është krenuar dje se ky buxhet do të sjellë rritje financiare për të gjithë dhe nuk preket aspak nga fakti që jemi në një vit elektoral. Porm menjëherë ka reaguar ministri i Financave, Ritvan Bode, i cili ka pohuar se kjo nuk është e realizueshme. "Meqenëse ky është buxheti i një viti elektoral ne jemi treguar më të matur në programimin e të ardhurave. Nëse ritmi i rritjes së të ardhurave, nga viti në vit, ka qenë të paktën 15 për qind, në vitin 2009 ne kemi programuar një rritje prej 10-11 për qind të të ardhurave të buxhetit. Pra, me qëllim kemi ecur me një marsh më të lartë sigurie nga pikëpamja e të ardhurave", - tha Ministri Bode, duke kundërshtuar kryeministrin Berisha.

***

Një tjetër zë i rëndësishëm në buxhetin e vitit 2009 është çështja e fermerëve. "Buxheti shoqërohet me rritje të ndjeshme të mbështetjes për fermerët shqiptarë, projekteve për mbrojtjen e mjedisit, infrastrukturës së institucioneve të vuajtjes së dënimit, por edhe institucioneve gjyqësore dhe sistemit të drejtësisë ", - tha kryeministri Berisha. Por ai nuk ka shpjeguar se në çfarë shifrash apo në çfarë mënyre do të bëhet kjo rritje e mbështetjes ndaj fermerëve. Pothuajse çdo vit atyre u është premtuar ndihmë e madhe, por asnjë herë nuk e kanë marrë. Gjatë prezantimit të buxhetit të ri, Berisha, është ndaluar edhe tek arsimi dhe shëndetësia, por pa dhënë shifra. Ai është mjaftuar vetëm duke thënë se do të mbështesë fuqishëm reformat në arsim dhe shëndetësi. Specifika e këtij buxheti, sipas Kryeministri Berisha, qëndron edhe në një përqendrim më të madh të tij në projekte të rëndësishme. "Qeveria u ka dhënë fund praktikave të fragmentimit absurd të parave të taksapaguesve në mijëra e mijëra projekte dhe ka realizuar përqendrimin e madh të këtyre fondeve në projekte të rëndësishme", - tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›