E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, konferencë për arsimin

Durrës (start)-Partia Socialiste ka zhvilluar në qytetin e Durrësit, Konferencën Kombëtare të Arsimit, konferencë e cila mbyll turin e Edi Ramës në të gjithë Shqipërinë për çështjen e arsimit, e pas kësaj çështje duket se turi i radhës do të jetë për bujqësinë.

Kjo konferencë ku ishin të pranishëm mësues dhe pedagogë, ishte e para ndër shtyllat e programit të ri që PSSH ka marrë përsipër të ndërtojë për zgjedhjet e vitit 2009. Mësues, pedagogë, dekan, studentë dhe nxënës nga Shqipëria, patën mundësinë të vinin “dorën mbi plagë” në lidhje me problematikën që e shqetëson më shumë arsimin sot, ku mes temave të prekura, ishin mungesa e teksteve, mësuesve të kualifikuar, klasave jashtë çdo lloj kushti normal për zhvillimin e mësimit, apo edhe kurikulave në universitete.

E veçanta e punimeve të Konferencës, ishte fjala e një prej nxënësve të ngujuar në Veri të Shqipërisë, i cili kërkoi më shumë vëmendje në lidhje me këtë shtresë fëmijësh, të cilët e kanë të pamundur të shkojnë nëpër shkolla, për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.

Në fjalën e rastit, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama tha se arsimi do të jetë prioriteti i prioriteteve të axhendës qeverisëse, për t’i dhënë një tjetër dimension këtij spektri jetik për të ardhmen e Shqipërisë dhe për ta nxjerrë nga degradimi që e ka çuar edhe më shumë qeverisja e sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›