E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza globale, ska liberalizim vizash brenda 2009-ës

 

Ministri i Jashtëm çek shprehet pesimist për procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë në 2009-ën

TIRANË - Kriza botërore financiare do të ketë një ndikim indirekt edhe për Shqipërinë. Kjo jo në aspektin ekonomik, por në frenimin e procesit integrues të vendit tonë dhe atë të liberalizimit të vizave. Një fakt të tillë e ka deklaruar dje ministri i Jashtëm çek, Karel Schëarzenberg, i cili është shprehur pesimist për suksesin e procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë brenda vitit 2009, pikërisht për shkak të kësaj krize. Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij shqiptar, Schëarzenberg, ka thënë se “më lejoni të jem i hapur dhe i ndershëm me ju, për shkak të krizës financiare, e cila do tëketë efekte edhe në Europë, si në SHBA, shanset janë kufizuar, për shkak të problemeve dhe vështirësive, si të shtimit të papunësisë, etj. Për këtë shkak nuk jemi aq të sigurt për suksesin në këtë fushë, siç ishim nëntë muaj më pare”. Në këtë aspekt ai ka bërë të ditur se ndryshe nga sa ishte projektuar më parë, liberalizimi i plotë i vizave për shqiptarët nuk mund të ndodhë brenda presidencës çeke të Komisionit Evropian. “Natyrisht ne do të vazhdojmë të punojmë, por druaj se në fund të Presidencës sonë ky problem do të ekzistojë ende dhe do t’u mbetet pasardhësve tanë, kolegëve suedezë për ta çuar më tej. Pra, le të jemi të hapur, vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga kriza e tanishme financiare do të kenë ndikimin e tyre në këtë fushë”, - tha ministri i Jashtëm çek. Kështu, përmes kësaj deklarate, është vënë sërish në pikëpyetje liberalizimi i vizave për Shqipërinë edhe pse qeveria Berisha e ka propaganduar atë si një çështje që do të arrihet brenda vitit të ardhshëm. Dyshimi që shfaqi ministri çek në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, lidhet me faktin se, më 1 Janar 2009, Çekia do të marrë Presidencën e radhës të BE-së dhe si e tillë ajo shprehet e pasigurt në përmbushjen e këtij procesi, brenda mandatit të saj 6 mujor. Ndërkohë që Ministri ynë i Jashtëm, Lulzim Basha, i pyetur në lidhje me vlerësimet negative që bën progres –raporti i Komisionit Evropian për arritjet e Shqipërisë në fusha të ndryshme, është përpjekur t’u shmanget komenteve, duke theksuar se “progres-raporti nuk është bërë akoma publik. Sapo të njihemi me raportin do të bëjmë komentet tona. Ne presim një raport objektiv për Shqipërinë”. Në deklaratën e përbashkët për shtyp të dy ministrat e Jashtëm folën gjithashtu edhe për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes vendeve tona dhe bashkëpunimin në shumë fusha, siç është ajo e ekonomisë. Një shembull i shkëlqyer i saj është finalizimi i pritshëm i privatizimit të sistemit të shpërndarjes së operatorit energjitik të KESH-it, ku fituese e tenderit është kompania çeke “TCHES”, bashkëpunim ky që do të shtrihet edhe për ndërtimin e njësive të ndryshme të hidrocentraleve, prodhimi dhe tregtia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›