Rama: Prisja që Berisha t’u kërkonte ndjesë shqiptarëve
Socialistët i bëjnë thirrje kryeministrit që të shprehet publikisht për çështjen “Pango”, duke kërkuar ndjesë në radhë të parë shqiptarëve për personin, që e zgjodhi në postin e ministrit të Kulturës. Kjo kërkesë erdhi direkt nga ana e kryetarit të PS-së Edi Rama. Tre ditë pas skandalit, kryetari i PS-së i bëri thirrje kryeministrit të kërkojë ndjesë publike për episodin me ministrin Pangon. Rama preferoi t’i përgjigjet akuzave të Kryeministrit nga Bashkia, duke i kërkuar që përpara se të sulmojë punën e tij si kryebashkiak, Berisha t’i kërkojë falje shqiptare për ngjarjen e ndodhur. “Në vend që të shajë punën e Bashkisë, Berisha të kërkojë ndjesë për episodin me Pangon dhe të inkurajojë të gjithë ata që duan punë në administratë. Prisja sot që Kryeministri të bënte ndjesën e tij para opinionit, administratës së këtij vendi dhe të inkurajonte të gjithë ata që duan punë në shtet”, tha Rama. Ai e theksoi se “episodi ka të bëjë me një shpërdorim të besimit të popullit tek shteti. Abuzim konstant me ligjin e shërbimit civil. “E llogarit apo jo këtë episod Berisha, nuk dua t’ia di, prisja që ai të fliste sot para qytetarëve për këtë. Por Berisha vazhdoi projektin e vjetër atë për rrënimin e imazhit të Bashkisë së Tiranës, paçka se ky projekt është dënuar nga vetë opinioni tiranas”, shtoi Rama. Kryesocialisti akuzoi Berishën se e ka kthyer kabinetin e tij në një tufë shërbëtorësh duke anashkaluar shërbimet ndaj popullit. “Fatkeqësisht Shqipëria sot nuk e ka kryeministrin që i duhet, por kjo flet qartë për dështimin e njeriut që drejton qeverinë. Pasi ai s’ka zgjedhur njerëz që i shërbejnë popullit, por ka krijuar një oborr shërbëtorësh... Jam i bindur se Sali Berisha do ta marrë përgjigjen në 28 qershor”, theksoi kryebashkiaku. Në debatin parlamentar të dy ditëve më parë socialistët kërkuan heqjen e imunitetit të deputetit të PD-së, ish-ministrit Ylli Pango. Gjithashtu, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj kërkoi që Pango të ndiqet penalisht për veprën që ka kryer.