E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u mund PD-ja në Korçë!

Muharrem Meko 

Një ekspoze e shkurtër rreth progresit të shë-nuar nga Partia Socialiste e rrethit të Korçës në zgjedhjet e 28 qershorit, krahasuar me ato të 2005-ës ndoshta i shërben sadopak sqarimit të opinionit, por edhe në shenjë respekti për kontributin e socialistëve korçarë në rezultatin e përgjithshëm, edhe pse ky i fundit nuk është ai i dëshiruari prej të gjithëve! Ajo që është thënë dendur se, Korça nuk e do Berishën, s’është më profeci, por ka ndodhur realisht! Korça e ka refuzuar atë, natyrisht për shumë arsye, veçanërisht për armiqësinë që ai ka manifestuar vazhdimisht ndaj saj! E megjithatë në qarkun e Korçës,
PD-PS, rezultati përfundimtar; 6 me 6! Ajo që ka ndikuar në këtë përfundim, sipas meje, është vetëm një: sistemi zgjedhor i aplikuar, edhe pse eksponentë nga më të lartë të PS-së, vazhdojnë me fanatizëm ta mbrojnë si një teknologji elektorale nga më të përparuarat! Nuk marr përsipër të analizoj ndikimet e këtij farë sistemi në shkallë qarku, e aq më tepër në shkallë vendi, por disa argumente do të përpiqem t’i sjell, thënë ndryshe, nëse do të ishte votuar sipas variantit të vjetër, pra sistemit maxhoritar, do të kishim një mandat më tepër për rrethin e Korçës dhe në shkallë qarku gjithashtu!
Fitorja, natyrisht që ishte projektuar dhe menduar deri në detaje, nga qendra e deri në bazë, duke i shtuar angazhimit të masës së tremijë anëtarëve të PS-së së rrethit të Korçës, mijëra të tjerë simpatizantë, vullnetarë, pa përmendur gjithashtu bordet e ndryshme, të cilët edhe pse jo fort produktive të drejtpërdrejtë, nuk kanë qenë pa gjë në gjithë këtë histori. Dua të nënvizoj faktin se pas humbjes së 2005, Partia Socialiste e rrethit të Korçës, si e gjithë Partia Socialiste në tërësi, për shumë arsye të trashëguara në tetë vjet pushtet, shto këtu trysninë e ”pushtetit të sovjetëve” blu, përjetoi situata jo fort të këndshme, shoqëruar me peripeci nga më të ndryshmet. Pasojat tashmë dihen prej të gjithëve; deri braktisje të organizatave,  frikë e terror psikologjik tek anëtarësia e gjendur përballë sloganeve (jo pa qëllim) të tilla si: “…Sala s’lëshon pushtet më…”, “…PS-ja është përçarë…”, “tetë vjet e mbajtët ju, tetë do ta mbajmë edhe ne …” etj., etj. Më keq akoma kur “sovjetët”, spastronin aparatin shtetëror, zyra e deri pastrueset e rëndomta, për të sistemuar revolucionarët injorantë! Atëherë nga njerëz të dëshpëruar e të lodhur nga skamja, u shtua edhe shprehja aq e dëmshme për një parti që vazhdimisht ka pretenduar të ndërtojë shtetin me një administratë të aftë e me njerëz teknokratë, si: shihni se ç’bëjnë këta për militantët e tyre analfabetë, kur ju bënit sikur s’na njihnit ne me diploma!
Në gjykimin tim, në procesin e përmirësimit të gjendjes së rëndë, ka ndikuar mjaft pozitivisht edhe ndryshimi në kohën e duhur i infrastrukturës organizative të PS-së. E them këtë, pasi nga ”të qejfmbeturit”, të cilët jo për faj të kujt, kanë mbetur në periferi, qarkullojnë në vijimësi të tilla ide si: ky organizim ka dëmtuar punën e partisë në bashkëpunimin fshat-qytet, duke aluduar kështu rikthimin te kryesitë e famshme, të ngjashme aq shumë me “minibyrotë” e dikurshme etj.
Rezultatet e kësaj fushate në rrethin e Korçës, tashmë e kanë vërtetuar praktikisht, se kjo skemë mbi të cilën është ndërtuar infrastruktura organizative e Partisë Socialiste, është mjaft rezultative dhe e efektshme. Sikundër, jam tërësisht i mendimit se kompetencat e strukturave të bazës kanë nevojë për një ridimensionim total në të ardhmen! Një parti si PS-ja, që ka marrë përsipër të jetë lokomotiva e zhvillimit të vendit të vet, detyrimisht në radhë të parë duhet të pranojë ndryshimin e vetvetes, rregullave të jetës së saj të brendshme në dinamikë. Dialektika ka ligjet e saj të hekurta dhe prej saj kurrkush nuk mund të bëjë përjashtim! Pikërisht kjo fushatë na vërtetoi se atje ku strukturat funksionojnë mirë dhe drejtojnë njerëz të përgjegjshëm, që njohin realitetin e organizatës, komunitetit e më gjerë, përpiqen e punojnë për t’i ndryshuar ato në favor të alternativës së tyre, rezultati përmbyset. Siç edhe ndodhi në rrethin e Korçës! Duket disi e vështirë dhe gati e pamundur që brenda këtij sistemi, të mund të analizosh gjithçka që ka ndodhur në harkun kohor të katër vjetëve të shkuara, apo që duhet ndrequr për të ardhmen, në një rreth si Korça, shkëputur nga gjithë territori, qarkut të identifikuar si një zonë e tërë, por kur të dhënat nuk mungojnë, kjo bëhet e mundur.
Në vitin 2005 funksiononte një sistem ndryshe nga ky i sotmi, pra ai maxhoritar, me zona e kandidatë respektivë, por që gjithsesi votat e tyre së bashku realizojnë bilancin absolut. Në 2005-ën, rrethi i Korçës kishte pesë kandidatë, PS-ja fitoi vetëm dy, Ben Blushin dhe Pandeli Majkon!
Ta lemë paksa retrospektivën, për t’iu kthyer rezultatit të 28 qershorit, për të cilin kishim shpenzuar aq shumë kohë e mund. Tabela e mëposhtme jep saktësisht, sipas të gjitha të dhënave të nxjerra nga faqet elektronike të KQZ-së, ngjitjen e fuqishme të PS-së të rrethit të Korçës, por që e gjitha kjo e shkrirë tashmë ”në shportën” e këtij qarku, s’ka edhe aq duk.
Janë të tepërta komentet! Partia Socialiste krahasuar me vitin 2005 ka një rritje prej 5799 votash, referuar koalicioneve, rezulton se "rrëshqitja" e votave majtas shënon një numër jo të vogël, 9541, ndërkohë që e njëjta tabelë tregon se PD-ja ka rënie prej 233 votash! Diferenca e "majtë" e "djathtë" shënon shifrën, në favor të së majtës prej mbi 5000 vota. Nuk duhet lënë jashtë  vëmendjes edhe pjesëmarrja e lartë e votuesve në shkallë qarku, me rreth 133.000 vota të vlefshme, ku rrethi i Korçës ka vetëm 10.000 votues më tepër se të tria rrethet e tjera të këtij qarku, Pogradec, Devoll dhe Kolonjë, por që shportës së "majtë" si qark, i ka sjellë 11.000 vota më shumë.
Sa për ilustrim të këtij argumentit shihni tabelën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›