E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon ultimatumi, nis protesta

 

Aristir Lumezi

Të zgjedhurit vendorë të PS-së do të protestojnë sot para kryeministrisë për cenimin e autonomisë. Sot përfundon ultimatumi që bashkiakët dhe komunarët përmes një peticioni të firmosur prej tyre iu drejtuan qeverisë.  Në mungesë të një reagimi të saj, ata do të protestojnë kundër ligjit, që sipas socialistëve do t’u pakësojë atyre të ardhurat nga taksat, ndërsa taton biznesin e vogël si biznes të madh. Një ditë para protestës “Të drejta sipas ligjit” që do të zhvillohet nesër para Kryeministrisë, kundër cenimit të Kushtetutës dhe ligjit për autonominë vendore, Kryebashkiaku Rama është ndalur në disa biznese, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre pranë rrugës “Mihal Duri”, në Njësinë Bashkiake nr.10, të cilëve u ka drejtuar njëkohësisht ftesën për t’iu bashkangjitur protestës së nesërme, në sheshin para Kryeministrisë. Protesta e nesërme është njëkohësisht një thirrje e Bashkisë së Tiranës, por edhe e bashkive të tjera të vendit, kundër cenimit të autonomisë vendore nga ana e pushtetit qendror, duke e orientuar këtë protestë drejt problemeve me të cilat përballet shoqëria dhe komunitete të caktuara të saj. “Biznesi i vogël kërcënohet nga një falimentim masiv në janar, për shkak të një mase që është kundër Kushtetutës dhe kundër ligjit për autonominë vendore, që kalon të gjithë biznesin me xhiro mbi 5 mln lekë në vit me TVSH dhe tatim fitimi njësoj si të ishte biznes i madh”, informoi Kryetari i Bashkisë më të madhe në vend, pronaren e një dyqani të cilin shkoi ta takonte sot paradite. Nga ana e saj pronarja e këtij biznesi tha se i vetmi veprim që i mbetej ishte mbyllja e biznesit më 31 dhjetor 2009, pasi rrezikonin të falimentonin. Si pjesë e ndërgjegjësimit mbi këto probleme, takimi i djeshëm i Kreut të Bashkisë kishte si qëllim komunikimin me biznesin e vogël, për të kundërshtuar ligjin e ri të taksave, ligj i cili i detyron bizneset e vogla të kthehen në biznese të mëdha, nëse kalojnë limitin prej 5 milionë lekë xhiro, duke rrezikuar kësisoj që mjaft prej tyre të mbyllin aktivitetin e duke shtuar në këtë mënyrë numrin e familjeve që jetojnë në varfëri.

Rama: Bojkot edhe pas datës 7 mars, mandatet nuk digjen

Alfred Peza

“Nuk do largohemi nga bojkoti”. Kryetari socialist Edi Rama i ftuar në emisionin “Ora e debatit” në televizionin ‘Ora News” me gazetarin Alfred Peza tha se do të PS do të qëndrojë stoike në pozicionin e saj të bojkotit edhe përtej 7 marsit, ditë kur sipas Kushtetutës, deputetët socialistë humbasin mandatin.  Cilat janë provat për manipulimin e zgjedhjeve? Nard Ndoka ka çuar disa prova në prokurori, pse dhe ju nuk e keni bërë këtë?
Prova është kutia e mbyllur forcërisht dhe jo ligjërisht e 28 qershorit. Ajo nuk po hapet edhe pasi është mbyllur procesi juridikisht. Ne bazohemi tek fishkëllima e arbitrit ndërkombëtar, i cili thotë se në 22 QNV numërimi është bërë keq ose shumë keq. Këtu nuk është fjala vetëm për votat por dhe për listat dhe procesverbalet. Këtu është fjala për shtrembërim të vullnetit të njerëzve, është fjala për një ndeshje ku rezultati nuk u përcaktua nga një prekje me dorë, por u trukua që nga fillimi i saj. Arbitri është ndërkombëtar dhe ka ardhur në Shqipëri, i cili pasi ka arbitruar edhe ndeshje të standardeve ndërkombëtare, vjen dhe në Shqipëri të arbitrojë ndeshje të kategorisë së tretë. Ndërsa këtu lojtarët hynin në fushë me armë.
Mos ka të bëjë kjo rezistencë me postin tuaj si kryetar i PS-së?
Kjo pyetje mund të bëhej para disa muajsh. Unë dhashë dorëheqjen time dhe i kërkova të gjithë anëtarësisë të thotë nëse është dakord të bëjë këtë betejë apo jo. Rezultati i betejës brenda PS e ka mbyllur njëherë e mirë edhe këtë ekuivok që ka lidhje me postin e kryetarit. Ky nuk është progresi që ne meritojmë. Sipas kësaj logjike, vlen fjala “i sëmuri është pak më mirë, por nuk është shëruar”. Kjo çështje duhet ët marrë fund dhe lidhet me çështje objektive, që ka të bëjë me vullnetin e qeverisë. Unë ia kërkoj këtë Sali Berishës, të cilët sot kanë një pushtet ilegjitim.
Politika e re njëlloj si ajo e Berishës ‘97-‘05. Përveç kësaj mos keni probleme me institucionet?
Ajo që Sali Berisha ka arritur në gjithë këto vite është ta kthejë politikën në një karikaturë të shëmtuar të vetvetes dhe të diskreditojë politikën, ku i suksesshëm është ai që gënjen dhe në fund për t’ia dalë mbi tjetrin pavarësisht se mjeti nuk është i moralshëm. Nuk është kjo politika. Nuk e pranoj që kjo që po bëjmë është e ngjashme me atë të Sali Berishës. Unë kam premtuar një ndryshim rrënjësor dhe kjo është në zbatimin të këtij vizioni. Sot nuk jemi në ato kushte që ishim. Sot kemi përballë një qeveri që vjen nga deformimi i votës dhe nuk pranon të bëjë transparencën që të shohim sa i madhe është ky deformim dhe nuk na le shpresë të korrigjojmë këtë defekt. Cilin institucion keni parë ju të rrethuar?
Kryeministrinë në ditët e protestës?
Ne nuk e morëm peng kryeministrinë siç bënte Sali Berisha, por iu vumë përballë me kërkesat tona.
Vjen një pyetje nga një socialist i cili thotë se kam firmosur një projektligj për hapjen e kutive. Pse nuk po çohet projektligji në Parlament?
Është bërë një projekt dhe ka marrë firmat e mjaftueshme prej kohësh dhe është nisëm e një grupi prej kohësh që në momentin e duhur do ta çojmë atë në Parlament. Bojkoti i opozitës nuk do të ishte aspak problem sikundër nuk ishin problem bojkotet e Sali Berishës kur pushtonte institucionet, në kuptimin e jetës normale të shtetit. Themelet e jetës demokratike janë cenuar se kanë rënë kolonat e demokracisë. Unë nuk e di nisa ka apo jo Shqipëria Prokuror të Përgjithshëm. Një investim kolosal për popullin shqiptar si rruga Durrës-Kukës është keqpërdorur deri në pikën sa vepra e madhe e kombit është sot e shembur. Hapja e hetimit për tunelin është shumë e rëndësishme, sepse në atë vepër janë investuar jo vetëm miliona euro, por dhe ëndrrat e shumë njerëzve që shumë prej tyre u mashtruan me një inaugurim false. Edhe tuneli ka të bëjë me grabitjen e zgjedhjeve. Sot shembet një vepër e tillë me një kosto që ende nuk e dimë por padyshim qindra milionëshe. Konfirmohet nga ministri shembja dhe sot asnjë prokuror nuk ka shkuar të shohë ngjarjen të hetojë shembjen.
Tani përfundojnë dy afatet e reflektimit, tuajin dhe atë të pushtetit vendor. Çfarë do të ndodhë pas kësaj?
Përfundimi i afateve është lidhur me një fushatë tërbimi që nga kryeministri e deri tek ministrat që kujtojnë modelet diktatoriale duke përdorur çdo mjet dhe çdo skutë të fjalorit njerëzor kundër kundërshtarit për të kallur frikë dhe për të vendosur atë që këta nuk e vendosin dot më, për të vendosur qetësi në opinionin publik. Qeveria e ka blerë shtrenjtë belanë e këtij mandati. Në këto kushte ne do të rezistojmë dhe do të përballemi pa lëshuar asnjë fije nga e drejta jonë, pa falur asnjë milimetër liri që na jep Kushtetuta e republikës.
Do të hyni në Parlament në 7 Mars?
7 Marsi është festa e mësuesve dhe në respekt të tyre, ne do të rezistojmë dhe do të qëndrojmë stoikë në pozicionin tonë të bojkotit.
Ku dhe kur do të jetë protesta e radhës?
Jemi në një protestë që nuk ndalet dhe do të bëhet pjesë e çdo qytetari që nuk pranon këtë regjim dhe këtë formë të qeverisjes që është një formë sundimi në mes të Evropës. Kjo nuk është betejë për pushtet, por është një betejë për të gjithë shqiptarët.
Deri kur do të vazhdojnë protestat?
Jemi në protestë të vazhdueshme deri në fitoren e lirisë. Sali Berisha ka internuar personalisht njerëz të pafajshëm, nuk mundet dot të rikthejë në këtë vend frymën e frikës dhe të represionit përmes pushtetit ndaj kundërshtarëve të tij.
Na jepni emrin e atij që ka internuar zoti Berisha, pasi ai e ka hedhur poshtë këtë akuzë?
Berisha ka insistuar në internimin e dy njerëzve të pafajshëm. Arsyeja pse nuk them emra është se nuk kam as njohje dhe as autorizim nga këta persona. Kjo është një e vërtetë që nuk do harrojë të dalë në sipërfaqe. Po të doni ju mediat mund t’i gjeni emrat në gjykatë.
Do të digjen mandatet e 65 deputetëve socialistë, si do veprohet?
Ta harrojë Sali Berisha dhe kushdo tjetër se do të vijë ajo ditë. sot jemi në një fazë të re të reagimit tonë dhe me një slogan të ri, “Hap kutitë, ose largohu”.
Do të rikandidoni si kryetar i Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e ardhshme?
Është shumë larg dhe nuk kam një vendim për këtë. Kemi shumë punë te tjera për të bërë deri atëherë.
Është larg dhe afër, sepse zgjedhjet mund te jenë pas një viti dhe dua të kujtoj një deklaratë tuajën kur keni marrë mandatin e parë, ku keni thënë se për të realizuar projektin tuaj për Tiranën ju duhen tre mandate..
Po e kam thënë. Prisni të vërtetoni atë që kam thënë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›