“Mafia e lidhur me Ramën, do t’i konfiskohet pasuria”
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha tha dje nga Gramshi se në bazë të ligjit të miratuar në Parlament për Antimafien, do t’i konfiskohet pasuria atyre që nuk e justifikojnë atë. “Ka edhe një problem tjetër që s’ka të bëjë me borxhet e qershorit që shkoi, por me borxhet që mafia shqiptare i ka shoqërisë dhe qytetarëve shqiptare dhe ka të bëjë pikërisht me ligjin Antimafia, i cili parashikon që ata që nuk justifikojnë dot pasuritë e tyre të pafundme, do t’i konfiskohet kjo pasuri sipas ligjit. Sepse prezumohet se janë vënë në konflikt të hapur me ligjin dhe kushtetutën e këtij vendi, si rezultat i aktivitetit kriminal”, tha Basha. Sipas tij “nuk është çështje politike, nuk është as çështje parimore është thjeshtë dhe vetëm çështje parash. Të atyre qindra dhe mijëra euro të derdhura në këtë rreth, të atyre milionave euro të derdhura anë e mbanë qarkut e Elbasan, të atyre dhjetëra e miliona euro të derdhura anë e mbanë Shqipërisë për fushatën elektorale të Edi Ramës nga mafia e ndërtimit dhe përfaqësuesit e tjerë të mafies ekonomiko politike me të vetmin qëllim për të kapur pushtetin politik me çdo kusht në Shqipëri”.