Eftiola Laçka rikthehet e shëruar në teatër pas rrëzimit në provat e “Virxhinia Woolf”
Premiera e shfaqjes “Kush ka frikë nga Virxhinia Woolf” me regji të Bekim Kushtrimit, që pritej të vihej në skenë më 19 nëntor në skenën e Tetarit Kombëtar, u shty për shkak të aksidentit që i ndodhi aktores së re në momentin e provave të fundit. Për Eftiola Laçkën nuk ishte e lehtë, pasi nga një rrëshqitje e papritur përfundoi në spital pas aksidentit, ku pësoi dëmtime në brinjë. Kështu pa dashjen e saj ajo u bë personazh gazetash para se publiku të shijonte shfaqjen e shumëpërfolur, që do të vihej në Teatrin Kombëtar pikërisht “Kush ka frikë nga Virxhinia Woolf”. Padashur aktorja u bë shkaktarja që anulloi premierën dhe e mbajti peng, ndërkohë që ishin afishuar njoftimet dhe ishin shitur biletat. E për fat të saj ajo është shëruar shpejt dhe ka rifilluar provat e premierës që pritet të shfaqet pas një jave në skenën e Teatrit Kombëtar. Pas aksidentit aktorja Laçka kaloi vetëm një natë në spital, dhe më pas vazhdoi mjekimin në kushtet e shtëpisë. Drejtori i TK-së, Kristaq Skrami pas anulimit të premierës vendosi të mos zëvendësohej Laçka me ndonjë aktore tjetër, por të pritej përmirësimi i gjendjes së saj shëndetësore dhe rikthimit të saj në rol. Kjo shtyrje e premierës u komentua dhe si fat ters i regjisorit të ri maqedonas Kushtrimi, pasi vonesa e parë ndodhi për shkak të largimit nga oferta të aktorëve Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani.”Kush ka frikë nga Virxhinia Woolf” sipas kalendarit zyrtar të Teatrit Kombëtar, duhej të shfaqej në datat 19, 20, 21 dhe 22 nëntor. Vepra më e njohur e dramaturgut amerikan Edward Albe luhet nga aktorët: Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Helidon Fino dhe Eftiola Laçka. Vepra trajton dramën e gruas në familje, marrëdhëniet me bashkëshortin dhe dyshimet që lindin në çift. E gjithë shfaqja luhet nga dy çifte, Marta nga Eva Alikaj, një grua rreth të pesëdhjetave në konflikt me bashkëshortin Xhorxhin, që luhet nga Viktor Zhusti. Si për të evidentuar ndryshimet mes brezave, luajnë dramën e tyre Hani dhe Niku që interpretohen nga Helidon Fino dhe Eftiola Laçka.