E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Buxheti 2010, rritje e qendrueshme ekonomike

Buxheti i shtetit për vitin 2010 mbështet rritjen e qendrueshme ekonomike, për të cilën ministri i Financave Ridvan Bode parashikon të jetë 6,5 për qind. Gjatë prezantimit në Komisionin e Ekonomisë, ministri Bode tha se ky buxhet është modeli i një qeverisje të vogël, taksa të ulëta, investime publike në nivelin 9,2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto dhe një defiçit të kontrolluar në nivelin 3-4 për qind.
Ministri ka garantuar vijimin e investimeve publike. Projekte të tilla si autostrada Tiranë–Elbasan apo Rruga e Arbrit do të mbështeten me kredi të buta nëpërmjet një fondi të veçantë të siguruar nga donatorët. Buxheti i 2010 ndjek dhe një politikë sociale që parasheh rritje të mëtejshme të rrogave dhe të pensioneve. Kreu i fianancave tha se të ardhurat nga reduktimi i shpenzimeve administrative, si heqja e transportit për deputetët apo për institucionet e tjera publike, do të kalojnë për fondin e pagave dhe pensioneve.
Ndër sektorët prioritarë, ministri i Financave veçoi atë të shëndetësisë ku parashikohet një reformë e thellë që ka në fokus pacientin dhe cilësinë e shërbimeve. Po ashtu në këtë buxhet parashikohet mbështetje më e madhe me fonde edhe për sektorin e bujqësisë dhe atë të arsimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›