E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendorët e PS kundër Këshillit të Europës

Drejtuesit e Partisë Socialiste në Bashki e Komuna, organizuan një protestë kundër asaj që kjo forcë politike e quan si shkelje të autonomisë vendore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i PS–së, Edi Rama, parashtroi 5 kërkesa dhe vuri një afat deri më 5 dhjetor për plotësimin e tyre.
Por këto pretendime bien ndesh me konstatimet e Këshillit të Europës mbi procesin e decentralizimit dhe marrëdhënieve të qeverisë qendrore me qeverisjen lokale. Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Lokale, Ian Mikalef, tha qartazi pas një takimi që pati në fillim të muajit me Edi Ramën, se në asnjë rast nuk ka konstatime negative për procesin e decentralizimit në Shqipëri dhe cënimin e pavarësisë së pushtetit lokal nga ai qendror.
Mikalef “Nuk ka pasur asnjë raport që flet për cënimin e pushtetit lokal. Ka disa deklarata apo pretendime të cilat duhen parë, por kur zhvillova bisedime me Presidenti e Republikës, kryeministrin dhe me ministrin Basha, konsatova se nuk ka asnjë vullnet nga qeveria, asnjë synim, për të ndërhyrë në autonominë e pushtetit lokal. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk po them që çdo gjë është perfekte, por siç themi ne në anglisht, në rast se ka vullnet, ka një mënyrë. Pra, në rast se ka një vullnet politik të qeverisë për të vazhduar në rrugën që siguron autonomi për pushtetin lokal, atëherë këtë do ta kemi shumë shpejt në këtë vend.“
Ndërsa nga përfaqësues të qeverisë, ato janë konsideruar si jashtë realitetit. Por pavarësisht konstatimeve të Këshillit të Europës dhe sqarimeve të dhëna nga mazhoranca, Edi Rama tha se nëse kërkesat nuk do të plotësohen, atëherë vendorët socialistë do ta përshkallëzojnë protestën e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›