E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: “Buxheti i ri, prioritetet do të përputhen me ato të LSI-së”



Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë një interviste dhënë dje për mediat vizive, deklaroi se buxheti i vitit 2010 do të përqendrohet sërish në disa investime të mëdha.
Bode nuk parashikon rritje të reja taksash, por thotë se prioritetet e qeverisë së re vitin e ardhshëm do të përputhen me ato të LSI-së dhe se nuk mendon se ato do të cenojnë frymën liberale të të djathtëve. “Administrata është duke punuar për të përfunduar projektbuxhetin brenda këtij muaji. Qëllimi është që kabineti të përfundojë procedurat dhe të dërgohet në parlament për t’u miratuar”, - u shpreh ministri Bode. Sipas tij, edhe këtë radhë përqendrim do të ketë te infrastruktura, përshpejtimi i investimeve në sektorin e bujqësisë, si dhe vijimi i politikave të infrastrukturës rurale.

Eksporti i energjisë, KESH-i fitoi 16 milionë euro vitin e fundit

Viti i mbarë hidroenergjetik ka bërë që sektori i prodhimit të energjisë në vend të sigurojë për herë të parë të ardhura të larta nga eksporti i energjisë. Bujar Nepravishta, drejtori i Entit Rregullator të Energjisë, ka deklaruar se për këtë periudhë është shitur një sasi energjie me një vlerë prej 16 milionë eurosh. "Ky vit ka qenë një vit i favorshëm nga pikëpamja hidroenergjetike, dhe veç kësaj rezerva hidroenergjetike është shfrytëzuar me efektivitet. Kjo ka bërë të mundur që të ruhet rezerva dhe njëkohësisht janë krijuar mundësitë për eksport të energjisë elektrike nga keshgjenerimi. Aktualisht janë eksportuar mbi 300 milionë kilovatë/orë dhe kjo gjë vlerësohet në një të ardhur prej rreth 16 milionë euro",- bën të ditur Bujar Nepravishta, kryetar i ERE-s. Është e para herë që KESH-i arkëton një shifër kaq të lartë nga shitja e energjisë. Kjo veç situatës së mirë i dedikohet edhe mirëmenaxhimit të kaskadës së Drinit, e cila aktualisht ka rezervën më të mirë të periudhës krahasuar me vitet pararendëse.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›