E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muhedini: “Dule bën mirë të drejtojë ndonjë kult fetar”



Partia për Drejtësi dhe Integrim akuzon kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, se po punon kundër Shqipërisë dhe integrimit të saj në Bashkimin Europian. Në një deklaratë për mediat, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, përjashton mundësinë e ndërmjetësimit nga ana e Vangjel Dules për të zgjidhur çështjen çame. Muhedini shprehet se e vetmja gjë që kërkon të bëjë Dule është që ta kthejë Shqipërinë në ortodokse. “Dule kërkon të kthejë të gjithë Shqipërinë në ortodokse. Dule bën mirë të drejtojë ndonjë kult fetar”, - është shprehur kryetari i PDI-së, Muhedini. Pak ditë më parë, në një intervistë për gazetën “Albania”, Muhedini u shpreh se “marrëdhëniet Shqipëri-Greqi do të forcohen edhe më shumë me zgjidhjen e çështjes çame”, ndërsa theksoi se mandati i PDI-së në Parlamentin shqiptar do të ndikojë pozitivisht për zgjidhjen e çështjes çame. Përsa u përket marrëdhënieve me PBDNJ-në, Muhedini shtoi se nuk e shqetëson ardhja e PBDNJ-së në qeveri, por me kusht që Dule të punojë për çështjen shqiptare, dhe jo në të kundërt. “Mua nuk më shqetëson ardhja e PBDNJ-së në qeveri. Mendoj se do të ndikojë pozitivisht, pasi paria e grekëve ka si çështje kryesore minoritetin grek, ndërsa PDI-ja ka marrë përsipër zgjidhjen çështjes së popullsisë shqiptare çame që ka me shtetin grek. Mendoj se Vangjel Dule duhet të hyjë në rrugë të drejtë dhe të ndikojë pozitivisht që të dyja këto çështje të ndikojnë si urë bashkëpunimi dhe t’i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve me shtetin grek. Vangjel Dule duhet të ndikojë pozitivisht te shteti grek për zgjidhjen e problemeve”, - është shprehur Muhedini.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›