E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në PBDNJ, nënkryetari Miço i kërkon dorëheqjen Dules



Nënkryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Thoma Miço, ka kërkuar dorëheqjen e kreut të PDDNJ-së, Vangel Dule. Miço deklaroi dje se "kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Dule doli nga koalicioni me PD-në për shkak të një marrëveshjeje të fshehtë që kishte bërë me Edi Ramën 7-8 muaj para zgjedhjeve, të cilën nuk e kishte publikuar asnjëherë në organet drejtuese të partisë.
Për të mbajtur fjalën që i kishte dhënë zotit Rama për të qenë në koalicion me të majtën, ai priti derisa Berisha të nënshkruante një marrëveshje me PDI-në që të aludonte se pikërisht përçarja ose divorci politik me Sali Berishën ka për shkak këtë marrëveshje”, - tha Miço. Sipas Miços, "Dule është futur në tratativa edhe me krerët e PDI-së, duke u premtuar atyre se në një të ardhme të ndryshimeve politike në Greqi ai do të negociojë për zgjidhjen e problemit të tyre për pronat. Por kjo është një çudi që nëse do të ishte e vërtetë, do të thotë se zoti Dule ka marrë një përgjegjësi shumë të madhe", - tha më tej Miço, i cili u shpreh se do të shpallë kandidaturën për postin e kryetarit të PBDNJ-së. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, gjatë 8 viteve të kaluara ka qenë njëherë pjesë e koalicionit të majtë qeverisës dhe njëherë i së djathtës, ndërsa për zgjedhjet e 28 qershorit nënshkroi marrëveshjen elektorale me PS-në duke u bërë pjesë e koalicionit të majtë. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, PBDNJ-ja fitoi mandatin e 1 deputeti. Ndërsa kryetari i kësaj partie, Dule, nuk ka dhënë asnjëherë dorëheqjen nga posti i kryetarit, ashtu si shumë kryetarë të tjerë të partive të vogla në Shqipëri.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›