E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredimarrësit në bankat shtetërore, ATK-ja “në gjuajtje” të emigrantëve debitorë



Ervin KOÇI
Agjencia e Trajtimit të Kredive ka nisur dy muajt e fundit “gjuetinë” ndaj debitorëve emigrantë në ish-bankat shtetërore. Këta muaj janë konsideruar si më të volitshmit nga drejtuesit e ATK-së, pasi në këto kohë është dhe momenti kur mjaft individë që dikur kanë marrë kredi të ndryshme në ish-bankat shtetërore kthehen në vend nga shtet ku kanë emigruar. Sipas të dhënave të ATK-së, rreth 20 për qind e debitorëve të ish-bankave shtetërore në të gjithë vendin janë emigrantë. Për këtë arsye, kjo agjenci, duke filluar nga dita e parë e ardhjes së emigrantëve në vendlindje e në vijim, është vënë në ndjekje të tyre, pasi këta të fundit ose nuk kanë qenë të rregullt në shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj kësaj agjencie në lidhje me kreditë që kanë tërhequr nga bankat e nivelit të dytë, ose nuk kanë filluar t’i shlyejnë ato. Puna më intensive ka nisur në degët e kësaj agjencie në rrethe, nga ku janë evidentuar dhe është mundur që të arkëtohen shuma të ndryshme parash. Ajo çka është konstatuar nga punonjësit e ATK-së është fakti se shumë nga debitorët emigrantë, edhe pse kanë qenë në dijeni të borxhit ndaj shtetit, nuk kanë ardhur që të bëjnë asnjë shlyerje të kredisë, në një kohë që në këto vite një pjesë e madhe e tyre kanë bërë jo pak investime dhe blerje si në sektorin imobiliar (prona të patundshme), ashtu dhe blerje të tjera, si dhe kanë hapur llogari bankare. Kjo gjë është konsideruar si një mundësi më tepër nga ATK-ja për të gjetur adresat dhe pronat e tyre, ku nëpërmjet Përmbarimit të kryejnë dhe akte sekuestrimi për ata borxhlinj që nuk pranojnë të vijnë për të derdhur detyrimet.

Borxhlinjtë

Qeveria, me anë të një vendimi të posaçëm të nxjerrë para pak kohësh, ka vendosur faljen e interesave, gjobave dhe kamatëvonesave për të gjithë debitorët që kanë marrë kredi në ish-bankat shtetërore. Kjo është bërë me kusht që këto subjekte të bëjnë pranë ATK-së shlyerjen e principalit (bazës) së kredisë të marrë në vite. Por edhe pse qeveria vendosi bërjen e këtyre lëshimeve jo të vogla, përsëri ata që kanë bërë shlyerjen e kredive janë vetëm një pjesë e vogël. Sipas ATK-së, më problematikë janë emigrantët, të cilët jo vetëm që nuk interesohen për shlyerjen e kredive, por dhe në një pjesë të madhe të tyre nuk kanë adresa për t’u kontaktuar. Mjaft prej tyre, ndërsa ishin larguar nga vendi, nuk kishin lënë asnjë lloj adrese, shpeshherë në pamundësi për ta bërë këtë gjë, ose me synimin për t’iu shmangur detyrimeve që kishin me ATK-në. Tashmë duket se ky problem ka hyrë në rrugën e zgjidhjes, pasi punonjës të ATK-së kanë filluar të kontaktojnë me emigrantët e ardhur nga Greqia apo shtete të tjera. Burime pranë kësaj agjencie bëjnë të ditur se përpjekjet për të kontaktuar me ta kanë qenë të mira. Në lidhje me këtë çështje burime pranë ATK-së theksojnë se këto përpjekje kanë sjellë rezultate të kënaqshme, pasi jo vetëm që kanë mundur të kontaktojnë me emigrantët e ardhur, por në të njëjtën kohë edhe të krijojnë një lidhje për të pasur një komunikim të vazhdueshëm dhe të ndërsjellë. Mbi të gjitha emigrantët e ardhur kanë filluar t’u përgjigjen detyrimeve të tyre, duke i shlyer ato. Kjo gjë ka bërë të mundur që tashmë çdo muaj të arkëtohen 2 deri në 3 milionë lekë.

Favorizimet

Nisur nga numri i lartë i debitorëve në ish-bankat shtetërore, punonjësit e ATK-së kanë qenë të detyruar që t’u shpjegojnë emigrantëve edhe vendimet më të fundit të qeverisë, të cilat ofrojnë favore dhe lehtësi për të gjithë kredimarrësit që paguajnë rregullisht këstet mujore. Veç sa më sipër, emigrantëve u janë shpjeguar edhe sanksionet që ndërmerren kur ata u shmangen detyrimeve. Ndërkohë, burimet në fjalë sqaruan gjithashtu se, për të gjithë debitorët që synojnë t’u shmangen detyrimeve do të ketë sekuestrim të pasurive të paluajtshme, ashtu siç është vepruar edhe më parë. Sipas punonjësve të ATK-së, nga puna e bërë në degët në qarqe, në çdo rreth numërohen me qindra debitorë që aktualisht janë emigrant dhe duhet të bëjnë në kohën e duhur shlyerjen e kredive të mara para shumë vitesh. Në të kundërt, këta individë do të përballen me sanksionet e reja të vendosura nga ligji i ri për trajtimin e kredive të vjetra, si dhe do të përballen me sekuestrime të pronave të patundshme nga ana e Përmbarimit. Por nuk kanë qenë të pakët edhe emigrantët që kanë nisur të bëjnë shlyerjen e kredive, por kryesisht për kreditë në shuma të vogla, duke përfituar edhe nga lehtësirat që parashikohen në ligj. Sipas burimeve pranë ATK-së, askush të mos mendojë se kreditë e tërhequra do të falen.

ATK-ja, ose agjencia e rikthimit të miliardave

Agjencia e Trajtimit të Kredive u krijua me një ligj të posaçëm në vitin 2002, kur u vendos që të përllogaritej dhe të rikthehej borxhi që shumë subjekte u kishin bankave. Është për t’u theksuar se dosjet më të vështira janë ato të krijuara rreth viteve '92-‘96, kur masa e kredive të dhëna dhe menaxhimi i aseteve ka qenë thuajse tërësisht jashtë kontrollit. Ky problem është ende një plagë e rëndë financiare e pambyllur. Sipas ligjit të ri, ATK-ja ka kompetenca të plota për të vepruar me të gjithë të drejtat në sekuestrime kapitale pronash të patundshme, llogarish bankare etj., deri në shlyerje të masës së detyrimit ndaj shtetit. Në Shqipëri, gjatë viteve 1992-1996, u dhanë 313 mijë kredi. Këto kredi janë dhënë me "urdhër dore" prej deputetëve, kryetarëve të partive të rretheve, apo dhe funksionarëve të pushtetit lokal, duke mos respektuar asnjë rregull financiar bankar. Vetëm brenda vitit 1992 u dhanë 2.3 milionë dollarë kredi në qytet dhe 1.9 milion dollarë kredi në fshat. Atëherë nisi boshatisja e bankave dhe mbushja e firmave piramidale. Lekët që dolën nga bankat e shtetit, si Banka e Kursimeve, Banka e Shtetit, Banka Tregtare, Banka Bujqësore etj., u depozituan në piramidat financiare, të krijuara po nga njerëzit e pushtetit dhe të politikës. Këto kredi janë dhënë në mënyrën më të paligjshme dhe më absurde edhe për një komunitet pa banka. Sipas pasqyrës së ATK-së për këtë periudhë, kredia më e vogël e dhënë ka qenë 3.5 milionë lekë të vjetër.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›