E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy pedagogët e Kamzës në gjykatë, shtyhet gjyqi i masës së arrestit

 TIRANE – Gjykata e Tiranës vlerëson sot masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë në mungesë për dy pedagogët e Universitetit Bujqësor të Kamzës të arrestuar pak ditë më parë të akuzuar për korrupsion. Ndonëse pedagogët e dyshuar për “shpërdorim të detyrës” Astrit Frakulla dhe Vasil Kushta u paraqitën dje në Gjykatën e Tiranës, vlerësimi i masës së tyre të sigurisë do të bëhet sot. Kjo për shkak se gjykata pranoi dje kërkesën e avokatëve mbrojtës të pedagogëve, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet e dosjes. Gjykata pranoi kërkesën dhe i dha 24 orë kohë avokatëve. Bashkë me dy pedagogët në gjykatë do të paraqiten edhe pesë personat e tjerë të arrestuar nga të njëjtat operacione policore. Operacionet “Provimi i suksesshëm 1” dhe “Provimi i suksesshëm 2” çuan në pranga të martën dy pedagogë, dy studentë, një punonjës të Universitetit të Kamzës dhe një infermier të spitalit Nr.2 në Tiranë. Sipas Prokurorisë, dy pedagogët e Universitetit Bujqësor të Kamzës, akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën për shkak se me ndërhyrjen e personave të tretë, kanë kaluar në provime studentët në mënyrë të padrejtë. Hetimi ndaj pedagogëve filloi pas denoncimeve që i akuzonin ata për marrje ryshfeti, por një fakt i tillë nuk u konfirmua pavarësisht më shumë se 15 ankesave të depozituara në polici. Prokuroria arriti të verifikojë vetëm faktin se dy pedagogët u kishin treguar përgjigjet e testeve disa studentëve për të cilët kanë pasur ndërhyrje nga persona të tretë. Ndërkohë sipas Prokurorisë, të arrestuarit si sekserë provohet se kanë marrë para nga studentët, por nuk i kanë dorëzuar ato te pedagogët, por ndërhyrja ishte bërë mbi bazën e njohjeve personale. Në këtë mënyrë, sipas akuzës, të dyshuarit si sekserë kanë bërë “biznes” në kurriz të dy pedagogëve që janë lënë në arrest shtëpie dhe që pritet të njihen me këtë masë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.                          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›