E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Do ulim buxhetin me 5 për qind



Bode ka zyrtarizuar dje uljen e buxhetit të vitit 2010 me 5 për qind. Sipas shifrave, pritet që nga fondi i shpenzimeve të ulen rreth 20.5 miliardë lekë ose rreth 105 milionë dollarë. Sipas buxhetit të miratuar në dhjetor nga Kuvendi, totali i shpenzimeve ishte 410,721 miliardë lekë. Ulja me 5 për qind, e bën totalin e shpenzimeve 390,185 miliardë lekë. Kjo është hera e parë që kjo Qeveri, që nga viti 2005, merr një nismë për uljen e buxhetit. Duke u ndalur te ulja e shpenzimeve, Bode theksoi se, kjo ulje konsiston në një zvogëlim të buxhetit të shtetit prej 5% të vëllimit total të shpenzimeve, e cila tashmë është adresuar në të gjitha ministritë e linjës në të gjithë përdoruesit e buxhetit. “Kjo ulje prej 5 % nuk do të prekë aspak politikat e deklaruara nga Qeveria, programin e saj politik të miratuar në Parlament për rritjen e pagave dhe pensioneve. Nuk do të prekë aspak mbështetjen për sektorë prioritarë në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe ato shoqërore, siç është arsimi dhe shëndetësia, mbrojtja. Nuk do të prekë aspak vepra të mëdha të infrastrukturës tashmë të deklarua dhe të bëra pjesë e programit tonë politik të votuar në Parlament. “Sipas deklaratës së Bodes, por edhe parashikimeve buxhetore të Ministrisë së Financave, ekonomisë do t’i mungojnë fondet e investimeve të dyta. Pra fondet për rrugët dytësore, ujësjellësit, apo investimet e tjera të vogla. Por, në deklaratën e tij, Bode la të kuptohej edhe për ndryshime të tjera në administratë, që do të sillnin uljen e shpenzimeve. “Këto ndryshime kanë të bëjnë jo thjesht vetëm me një shkurtim shpenzimesh, por ndryshime në thelb për reforma strukturore në të gjithë administratën, në të gjithë sektorët e jetës publike të cilët do të mundësojnë një qeverisje më eficente”. Ky është një lajm i keq për administratën, pasi ndryshimet strukturore në administratë, në raste shkurtimesh të shpenzimeve, do të thotë më pak vende pune. E thënë thjesht, shkurtimi i buxhetit, do të prekë edhe vendet e punës në administratë. Sipas parashikimeve pritet që fondi i shpenzimeve korente, të ulet me rreth 5 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë USD, ndërsa ai i investimeve të ulet me 15 miliardë lekë, ose rreth 150 milionë USD. Në fakt, Ministri i Financave e ka mbrojtur zvogëlimin e shpenzimeve, duke shtuar se këtë vit, do t’i lihet ekonomisë reale, pra biznesit, që të marrë në duar zhvillimin ekonomik të vendimit. “Ne mendojmë që kjo politikë aktive për sa i takon sferës monetare dhe sistemit financiar, që konsiston në rritjen e kapaciteteve kredituese për ekonominë reale, Qeveria ka vendosur të tërhiqet duke mundësuar uljen e lehtë të vëllimit të shpenzimeve, uljen e deficitit, uljen e borxhit publik, për të hapur më shumë hapësirë për ekonominë private”. Pra qeveria ka vendosur të mos marrë më borxh publik, për të financuar investimet e veta, por të “detyrojë” bankat, që sasinë e parave të destinuara për financimin e Qeverisë ta hedhë në treg për biznesin privat. Për të mbrojtur këtë tezë zhvillimi të ekonomisë, Bode ka ritheksuar para deputetëve edhe arsyen pse Qeveria ka dalë në tregun ndërkombëtarë, për të shitur borxhin me anë të eurobondit. Sipas tij, shuma mbi 300 milionë euro që do sigurohet nga tregtimi i eurobondit, do të bëjë presion mbi bankat vendase që të kreditojnë ekonominë dhe do të bëjë presion mbi tregun valutor. Rreth 200 milionë euro të kësaj shume do të përdoren për shlyerje kredie sindikale të marrë një vit më parë me interesa shumë të lartë. Pjesa tjetër e parave do të shërbejë për shlyerjen e pagesave të euro të Qeverisë, siç janë rruga Durrës-Kukës, apo pagesa e kontratës së re të Ministrisë së Mbrojtjes për blerjen e helikopterëve. E thënë më thjesht, borxhi i Qeverisë do të financohet nga para jashtë sistemit tonë bankar dhe Qeveria nuk do të tërheqë më euro nga tregu për të paguar faturat e veta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›