I marrin për huliganë, dëbohen ukrainasit
Incident diplomatik dje në Londër para sfidës Fulham-Shaktar Donetsk. Futbollistët ukrainas nuk janë lejuar që të futen në dyqanet “Harrods”, në pronësi të Mohamed Al Fayed, padroni i Fulhamit, me mendimin se janë një grup huliganësh. Drejtuesit e Shaktar, të ofenduar në kulm kanë deklaruar më pas për mediat gjithë ironi: “Sa keq për ta. Lojtarët tanë ishin gati të shpenzonin goxha para në ata dyqane”. Futbollistët e Shaktar, të gjendur në Londër para ndeshjes së Europa League kishin dalë për shoping duke zgjedhur pikërisht dyqanet e pronarit të Fulhamit, skuadër me të cilën do të luanin në mbrëmje. Por punonjësit e sigurimit të këtyre dyqaneve duke mos i njohur nuk i kanë lejuar që ata të futen në këto ambjente edhe pse veshja sportive që ata kishin veshur tregonte qartazi se ishin lojtarë dhe i përkisnin Shaktar Donetsk. “Futbollistët tanë i shpjeguan njerëzve të sigurimit se ishin të Shaktar por ata nuk u bindën për një gjë të tillë, ndaj edhe skuadra vazhdoi shopingun e vet në një tjetër dyqan ku natyrisht pronari mbeti shumë i kënaqur me atë që shpenzuan lojtarët”, ka pohuar një drejtues ukrainas. Ndërkohë një zëdhënës i “Harrods” ka replikuar menjëherë duke shpjeguar që askush nuk kishte qëllim që të ofendonte lojtarët e Shaktar. Ndërsa më diplomat është treguar trajneri i Fulhamit, Roi Hodgson: “Më vjen keq për sa ndodhi. Zakonisht presidenti ynë i do shumë ata persona që shpenzojnë para në dyqanet e tija”.