E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmoset kredia 91 mln euro me gjermanët



U nënshkrua dje marrëveshja për kredinë prej 91 milionë eurosh, të cilat do të shkojnë për financimin e dy projekteve të rëndësishme energjetike. Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, dhe Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, kanë konkretizuar dje marrëveshjen në një takim. Financimi i ardhur nga Banka Gjermane KFW do të ndihmojë në realizmin e linjës Unazore 110 KV në Jug të Shqipërisë, si dhe linjës së Transmetimit 400 kV Shqipëri –Kosovë. Në fjalën e tij ministri Prifti i ka vlerësuar këto dy projekte si mjaft të rëndësishme dhe ka vënë theksin në faktin që Qeveria gjermane është një nga donatorët prioritarë të vendit tonë. “Projekti i linjës me Kosovën, prej 42 milionë euro mundëson një linjë të re 400 KV teknikisht të fuqishme, për të bërë shkëmbimin e energjisë. Kurse linja Unazore në Jug të vendit, për të cilën do të shkojnë 49 milionë euro do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji të banorëve të zonës dhe do të luajë një rol të madh edhe për zhvillimin e sektorit të turizmit”, tha ministri Prifti. Në vazhdën e mbështetjes së Qeverisë gjermane edhe ambasadori Borchardt u shpreh se kjo kredi nuk është e vetmja. “Vetëm pak javë më parë kemi premtuar për Shqipërinë një ndihmë prej 130 milionë eurosh në një hark kohor prej 2 vitesh dhe sot nënshkruam një marrëveshje prej 91 milionë eurosh”, u shpreh ambasadori, duke theksuar se bashkëpunimi dypalësh do vijojë edhe në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›