E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej kryeministrave

Elsa Ballauri

Shprehja e Berluskonit në takimin e tij me Berishën, ishte një shprehje tipike e një lideri liberal që prodhon lojëra fjalësh, pothuajse një herë në tre muaj, dhe me të cilin Evropa tashmë është mësuar. Këtë radhë shprehja ishte për të qeshur e për të qarë... Personalisht, u ndjeva më shumë afër të qarës sesa të qeshurës por kjo, jo sepse pata dëshirën e reagimeve heroike dhe patriotike që kam dëgjuar dhe lexuar ditët e fundit: jo nga fakti se ajo që tha Berluskoni ishte një aprovim apo një lejim i asaj që ka ndodhur e ndodh me femrat shqiptare: trafiku dhe nami që Shqipëria ka marrë për të… Kjo është njëra anë, tepër e zbehtë për t’u bërë e vërtetë… Batuta e Berluskonit ishte e tipit të tij, mbante me vete kulturën e mbartur nga formimi i tij si person, nga ekstravaganca e tij guximtare dhe ky kombinim është një nga elementët tipikë, për të cilën ai mbahet mend më shumë. Nëse kishte ndonjë keqardhje apo ofendim, mua m’u duk se kjo i duhej adresuar atij burrit që e tha këtë batutë, dhe aspak nuk më adresohej mua që e dëgjova. Ndofta për këtë arsye m’u dukën të nxituara dhe shumë në stil komunist deklaratat e shoqatave, që të ofenduara nga fjala reaguan menjëherë, ndërkohë që trafiku i femrave, ngjarjet tejet të dhimbshme me to, keqtrajtimi dhe keqpërdorimi i tyre, shkelja e dinjitetit të tyre, vrasjet dhe plagosjet e tyre, kanë larë me gjak trotuaret e Evropës. Asnjëherë nuk kam parë reagim kaq të shpejtë, për qoftë edhe një rast të vetëm të ndonjë vajze të trafikuar, megjithëse këto ngjarje janë gati të përditshme në shtypin tonë. A vjen kjo se jemi shumë formalistë, se jemi të cekët, se jemi konformistë, se jemi militantë, se jemi të pandjeshëm, a vjen kjo se ndërhyjmë menjëherë kur ka një moment politik të vështirë, dhe asnjëherë nuk pyesim kur ka një moment njerëzor të vështirë ?
Kjo është njëra anë e asaj që përjetova. Ana tjetër është e lidhur me atë që u tha nga Berluskoni dhe që u përpoq të justifikohej nga Berisha. Kjo ishte pjesa që më bëri edhe më shumë për të qarë sesa për të qeshur. Ndjesia që përçuan këta burra, më solli në realitetin e dhimbshëm të marrëdhënies mashkull-femër, një realitet që sado të përpiqemi ta zbukurojmë, ta ndryshojmë, ta stilizojmë ndryshe, është po ai që është: gati i pandryshueshëm: një fasadë butaforike në varësi të qëllimeve të meshkujve të pushtetshëm. ..E në varësi të këtyre qëllimeve, gruaja lodron rreth mashkullit, bëhet herë deputete, e herë kryeministre, herë drejtoreshë, e herë presidente, por kjo shkon gjithmonë në përpjestim me politikën dhe me planet mashkullore. Nuk është rastësi që akoma vendet më të zhvilluara ku barazia gjinore ka përmasa shumë pozitive, ta kenë prioritet këtë temë, të shqetësohen për të. Thirrja për përqindjen e grave në Parlament, në thelb është një ironi dhe tallje e madhe…, por ja që ajo është zgjedhur si një zgjidhje…
Burri, sikurse çdo individ tjetër, funksionon si pasojë e kulturës që mbart, e traditës së vendit dhe familjes. Në familjen e madhe mesdhetare, dallimet janë shumë të vogla (Kam disa vite që i përfytyroj italianët në Ballkan). Edhe Berluskoni nuk bën përjashtim. Batuta e tij ishte shprehje e kulturës së tij, se sa ai është mësuar t’i respektojë gratë, se sa është edukuar me këtë ndjenjë, se sa i vlerëson ato, përveçse vlerësimit që mund të ketë për sipërfaqen e tyre. Paragjykimi gjithmonë të tradhton, edhe kur je lider i vendit.
Qarja është e vjetër, e gjatë dhe do të vazhdojë shumë. është histori e shekujve që na tregon se gruaja do ta ketë shumë të vështirë luftën me burrin për të fituar territorin e saj. Kjo është një luftë e ftohtë, e pafund.
Një tjetër tipar mesdhetar, tipik në këtë rast mashkullor, është diskriminimi. Këtu ndodh edhe ndryshimi i liderve të demokracive në botë: njëra palë e cila ka kaluar për një kohë të gjatë nën filtrin e antidiskriminimit, siç janë ata të Amerikës, Kanadasë, apo vendeve të Evropës së Veriut, e kanë të vështirë t’i verë vetes në gojë fraza të tilla: përsosja e këtyre shteteve ka për bazë jodiskriminimin. Ndërsa Evropa e vjetër ende mbetet tradicionale dhe i lejon vetes që paragjykimet të deklarohen: kjo është edhe arsyeja që shkalla e diskriminimit është më e madhe dhe quhet si pjesë e kulturës; një justifikim ky tepër naiv, por që funksionon. Diskriminimi ndaj femrës është i vetëndjerë, është marrë gati-gati me qumështin e vetë femrës dhe kjo është edhe arsyeja që ky lloj diskriminimi do të jetojë shumë gjatë e për ta ndryshuar qoftë edhe pak, do të ketë një betejë të madhe.
Ajo për të cilën ne flasim dhe bëjmë shumë pak është se si dhe kush do ta bëjë betejën. Kuptohet që gruaja duhet të hapë skenën dhe të prezantojë strategjinë e saj, megjithëse në këtë luftë të madhe ajo është e vetmja dhe e vetme…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›