Bode: “Donatorët duhet të na i kalojnë fondet më shpejt”
Ervin KOÇI
Donatorët ndërkombëtarë kanë siguruar mbështetje për Shqipërinë edhe gjatë viteve në vijim. Gjatë një tryeze të rrumbullakët qeveri-donatorë, Ambasadorja e Zvicrës, si Kryetare e radhës e Sekretariatit Teknik të Donatorëve theksoi nevojën për bashkëpunim të mëtejshëm midis qeverisë dhe donatorëve për një bashkërendim të ndihmës financiare të ofruar nga Bashkimi Evropian. Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, si drejtues i kësaj tryeze përmendi reformat e 6 muajve të fundit të qeverisë në një sërë fushash dhe impaktin e tyre në zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në BE. Ndërsa kreu i Financave, Ridvan Bode, ndër të tjerash bëri një prezantim të buxhetit të vitit të ardhshëm, ku vuri theksin në rritjen ekonomike pozitive që siguron ky buxhet. Ai u kërkoi donatorëve të huaj që të shpejtojnë alokimin e fondeve për projektet për Shqipërinë. Ministri Bode në tryezën e rrumbullakët donator-qeveri u shpreh edhe se shpesh fondet nuk përdoren në mënyrën më të mirë. Ndërsa përsa i përket buxhetit, Bode deklaroi se, ai do të mbështesë rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik. Takimi qeveri-donatorë ka një ndikim të rëndësishëm në çështjet e koordinimit të donatorëve në përmirësim të efektivitetit të ndihmës së huaj në Shqipëri.
Financat
Ministri i Financave, Ridvan Bode, mbajti një fjalim në kuadër të konferencës së donatorëve. Bode deklaroi se ekonomia shqiptare, pasi arriti të përballojë mirë presionet e forta negative të fundvitit 2009, duke mundur të evitojë recensionin ekonomik e të regjistroje një rritje pozitive, si dhe njëkohësisht duke mundur të mbajë brenda parametrave të pranueshëm stabilitetin makroekonomik, duket se tashmë po shkon gradualisht drejt ritmit të saj potencial të rritjes ekonomike. Kjo, sipas tij, është vënë re në ecurinë e treguesve makroekonomik gjatë vitit 2010. Bode sqaroi se, pas tremujorit të fundit të vitit 2009, i cili shënoi periudhën më të vështirë për ekonominë tonë përgjatë gjithë periudhës së krizës globale, ekonomia ka treguar një performancë pozitive dhe gradualisht në rritje gjatë vitit 2010. “Në tremujorin e parë të vitit 2010 ekonomia regjistroi një rritje reale prej 2%, ndërsa në tremujorin e dytë të këtij viti rritja reale kapi nivelin e 3.3% me tendencë rritje edhe për periudhën në vazhdim. Të gjithë treguesit indirekt të disponueshëm tregojnë se akselerimi i ritmeve të rritjes ka vijuar edhe në tremujorin e tretë dhe e njëjta ecuri pritet edhe për tremujorin e katërt të tij. Rrjedhimisht, ne kemi besim se rritja reale ekonomike për vitin 2010 në tërësi do të jetë sipas parashikimeve tona rreth nivelit 4.1%”,- theksoi Bode.
Donatorët
Donatorët bëjnë thirrje që të ketë një parlament funksional që të miratojë ligje dhe të luftohet krimi dhe korrupsioni në mënyrë që fondet e dhëna të investohen në mënyrën e duhur. Në emër të donatorëve ambasadorja e Zvicrës Ivana Enzler u shpreh se ndër të tjera duhet që të kufizohen edhe lëvizjet e shumta të punonjësve në administratë për arsye politike. “Liberalizimi i vizave është një përparim i rëndësishëm për Shqipërinë. Kjo tregon se vendet ka bërë përparime në fushën ekonomike dhe atë të të drejtave të njeriut apo minorancave. Problem aktual për vendin mbetet lufta ndaj krimit dhe korrupsionit dhe pikërisht në këtë drejtim duhet që të luftohet. Po ashtu edhe parlamenti duhet që të jetë funksional në mënyrë që të miratohen ligje”,- tha ambasadorja zvicerane. Një tjetër pikë në të cilën donatorët kërkojnë që të bëhet kujdes është edhe kufizimi i lëvizjeve të punonjësve për arsye politike, pasi kjo shpesh zbeh performancën e institucioneve. Programet e ndihmave të donatorëve është mirë që të futen në disiplinën buxhetore në mënyrë që fondet të kenë një menaxhim më të mirë të tyre.
BOX/////////////////////////////////
Lufta ndaj korrupsionit, ministri Pollo përpiqet të bindë donatorët
“Projektet e donatorëve janë zbatuar në mënyrën më të mirë nga qeveria dhe korrupsioni është luftuar në të gjitha format e tij”. Kjo është deklarata që ka bërë dje nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, në takimin e zhvilluar mes qeverisë dhe donatorëve. Ai tha se, Shqipëria është kthyer në një histori suksesi në luftën kundër korrupsionit. “Lufta kundër krimit, korrupsionit përfshirë edhe pastrimin e parave mbetet prioritet dhe komuniteti i donatorëve ka mbështetur Qeverinë me projekte të ndryshme në forcimin e masave antikorrupsion”,- tha ai. “Vendimi i BE për të hequr vizat Schengen për Shqipërinë, është një hap historik për çdo qytetar shqiptar. Ky vendim është një sukses përsa i përket lirisë dhe dinjitetit të çdo shqiptari, por që gjithashtu shoqërohet me përgjegjësi të mëdha për të mos lejuar abuzimet me të”,- tha Pollo.
METE, masa ndaj tregtimit të gazit të lëngshëm
Rreth 180 pistoleta nga 488 gjithsej të kontrolluara, që përdoren për tregtimin e gazit dhe karburantit, janë mbyllur për shkak se nuk kanë instrumente matëse që përdoren në mënyrë ligjore. Drejtori i Metrologjisë së Përgjithshme, Leonard Beqiraj, ka deklaruar se janë vendosur një sërë gjobash kundrejt subjekteve që merren me tregtimin e karburantit dhe gazit të lëngët. Ndërsa përsa i përket prodhuesve dhe tregtuesve të produkteve të parapaketuara, pjesa më e madhe e kontrolluar plotësonte kërkesat metrologjike por krahas kësaj janë konstatuar edhe shkelje kryesisht për produktin e orizit të kompanive të ndryshme.
Bashkëpunim me Italinë për certifikimin e ushqimeve
Italia dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë për certifikimin e produkteve ushqimore dhe për realizimin e projekteve për ullirin dhe drurët frutorë. Detajet e këtij bashkëpunimi janë diskutuar dje mes kryeministrit Sali Berisha dhe ministrin italian të Politikave Agrare, Ushqimore dhe Pyjore, Giancarlo Galani. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria mund të përfitojë nga njohuritë dhe përvoja e gjatë e Italisë. Berisha vlerësoi dhe përvojën që ka Italia në certifikimin e produkteve ushqimore. Ministri Galan shprehu kënaqësinë që ndodhej për vizitë në një vend mik si Shqipëria, në të cilën, theksoi ai, sa herë që vij gjej ndryshime mbresëlënëse.
4 Dhjetor 2010