E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dërgesat e emigrantëve rriten 1.3 për qind në 2007

Paratë që emigrantët sjellin për familjet apo të afërmit e tyre kanë një rëndësi të madhe jo vetëm në ekonomitë familjare, por edhe në ekonominë vendase në përgjithësi. Nga viti në vit, niveli i dërgesave pëson ndryshim, duke pasur tendencën e rritjes. Në përgjithësi të ardhurat nga emigracioni llogariten në rreth 1 miliard dollarë. Viti 2007 shënoi një rritje të të ardhurave nga emigrantët, në krahasim me vitin 2006. Këtë e konfirmon raporti i BSH-së për vitin 2007. Sipas këtij raporti, të ardhurat nga emigracioni gjatë vitit 2007 u vlerësuan në rreth 947 milionë euro, ose 1.3 % më shumë se një viti më parë, duke arritur në 12 % të PBB-së, bëri të ditur Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të saj mbi "Stabilitetin financiar". Sipas BSH-së, remitancat (të ardhurat nga emigracioni) vlerësohen si një burim shumë i rëndësishëm i të ardhurave për ekonomitë familjare. Por në vitin 2008 duket se niveli i të ardhurave nga emigrantët do të bjerë. Kjo si pasojë e krizës globale. Ndonëse kriza financiare nuk jep efekt direkt në vendin tonë, sidomos në sistemin bankar, pasi ai paraqitet i sigurt dhe likuid, kriza do japë efektet në disa drejtimi, por mbi të gjitha tek remitancat.

Një studim i bërë nga Banka e Shqipërisë në vitin 2007 ka nxjerrë në pah se shumica e dërgesave nga emigrantët vijnë nga Italia dhe Greqia, pasi numri më i madh i emigrantëve është në këto vende. Një studim i Bankës së Shqipërisë mbi remitancat ka nxjerrë në pah se nga kategoria e emigrantëve që sjellin dërgesa pranë familjeve të tyre, djali i familjes zë që përqindjen më të lartë, me 76 për qind të totalit, kundrejt vajzës me 9 për qind dhe me pas vjen kryefamiljari. Nga studimi i BSH-së rezulton se më se 85 për qind e dërguesve të remitancave janë djali ose vajza e kryefamiljarit. Kjo flet për një lidhje të fortë me bërthamën familjare në Shqipëri. Si në frekuencë ashtu edhe në vëllim, vërehet se djemtë mbështesin financiarisht familjet në Shqipëri. Megjithëse në thuajse 20 për qind të rasteve emigrantët janë femra (vajza), mesatarja vjetore e dërgesave të tyre rezulton e ulët, ato dërgojnë rreth 9 për qind dërgesa krahasuar me grupet e tjera. Ndërkohë që bashkëshortët shfaqin mesataren më të lartë të hasur (2.448) në dërgesa, por në total kap një shifër prej 12 për qind. Ende nuk mund të ketë një numër të saktë të emigrantëve shqiptarë, pasi një pjesë e mirë e tyre janë pa dokumente në vendet ku jetojnë e punojnë. Por sipas studiuesve të ndryshëm, vlerësohet se nga Shqipëria, me një popullatë prej rreth 3.2 milionë banorësh, gati 1 milion kanë emigruar, kryesisht në Greqi dhe Itali.

Rreth 186 mijë familje përfitojnë nga dërgesat e emigrantëve

Sipas vrojtimit, rreth 189.736 nga 728.000, ose rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave. Në masën më të madhe, remitancat janë të përfituara nga popullsia e Tiranës 19 %, e Vlorës 12 %, e Shkodrës 11% dhe e Fierit 8 %. Fluksi mesatar vjetor i remitancave për familje vlerësohet afërsisht në 1.897 euro dhe ndryshon nga qyteti në qytet. Familjet në Kuçovë, Peqin dhe Pogradec shfaqin fluksin më të ulët të remitancave gjatë vitit (nën 1.000 euro), ndërkohë që në Pukë, Tropojë, Bulqizë dhe Gramsh hasen vëllimet më të larta të remitancave për familje (në një interval nga 3.000 deri në 8.000 euro në vit). Remitancat janë më të shpeshta në zonat rurale. Rreth 59 për qind e familjeve pritëse banojnë në zonat rurale dhe rreth 41 për qind e tyre në zonat urbane. Po kështu, në zonat rurale, totali i përfituar gjatë vitit përfaqëson rreth 64 për qind të totalit të përgjithshëm të remitancave vjetore. Nga analiza mbi madhësitë e familjeve pritëse të remitancave, rezulton se ato janë të madhësisë së mesme, me afërsisht 3.5 pjesëtarë për familje. Rreth 72 për qind e tyre rezultojnë se janë deri në 4 pjesëtarë dhe 22 për qind, deri në 6 pjesëtarë për familje. Sipas studimit të BSH-së, të ardhurat mujore për familje mesatarisht vlerësohen në nivelin 39.382 lekë. Në përqindëshin e 25-të, vëllimi i të ardhurave mujore vlerësohet rreth 22.000 lekë dhe në përqindëshin e 75-të arrin nivelin 49.500 lekë për familjet e zonave urbane, të ardhurat mesatare mujore vlerësohen në intervale më të larta se ato në zonat rurale. Të ardhurat mujore për familjet që jetojnë në zona rurale vlerësohen mesatarisht në 34.787 lekë. Në zonat urbane, mesatarja e të ardhurave

mujore për familje vlerësohet 46.038 lekë. Rreth 51 për qind e familjeve raportojnë të jenë të përfshira në sipërmarrje të vogla biznesi apo aktivitete bujqësore. Kontributi i këtyre kategorive në të ardhurat mujore të familjeve vlerësohet mesatarisht në rreth 19 për qind të buxhetit mujor. Sipas studimit, rreth 53 për qind e familjeve ia dalin të kursejnë gjatë vitit, me frekuencë më të lartë në zonat rurale (62 për qind). Kursimi mesatar vjetor, për totalin e familjeve që kanë raportuar kursime, vlerësohet në 63.115 lekë ose 508 euro. Ndërkohë që rreth 30 për qind e familjeve pritëse të remitancave zotërojnë një llogari bankare, në masën më të madhe kursimet mbahen në cash.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›