E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushqimet, bien çmimet e pakicës

Çmimet e shitjes me pakicë të ushqimeve në javën e fundit të muajit tetor, në tregjet e vendit, kanë pësuar ulje kundrejt një jave më parë, bëjnë të ditur burime nga Drejtoria e Statistikës në Dikasterin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, (MBUMK). Produktet e bulmetit shënojnë uljet më të ndjeshme, si djathi kaçkavall nga 608.5 lekë/kg shitet me 600 lekë/kg, djathi i fshatit nga 364.1 lekë/kg në 240.5 lekë/kg, gjalpi nga 548.8 lekë/kg shitet këtë javë me 524.2 lekë/kg etj. Sipas burimeve të mësipërme, "ulja e çmimit për produktet blegtorale janë si rezultat i stabilizimit të furnizimit me qumësht të punishteve të përpunimit, që kanë marrë një zgjerim të madh në të gjitha rrethet e vendit". Java që sapo u mbyll, bën të ditur MBUMK, shënoi ulje të çmimit edhe për perimet që janë në "pikun e prodhimit" si patate, spinaq etj., ndërkohë që vihet re stabilitet i çmimeve për disa produkte të tjera bujqësore, të cilat këtë sezon vazhdojnë të importohen. Çmimet e tjera të shitjes së ushqimeve si sheqer, makarona, oriz etj., këtë javë ruajnë po të njëjtat nivele sa në javën e kaluar. Specialistët bëjnë të ditur se diferenca e çmimit mesatar të shitjes nga rrethi në rreth ndryshon në vartësi të shpenzimeve të transportit, që bëjnë tregtarët për t'u furnizuar nga rrethet kryesore. Sipas burimeve të mësipërme, Tirana, Vlora e Gjirokastra, renditen si qytetet me çmimet më të larta në fund të kësaj jave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›