E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: “Ja pse Qeveria nuk ka përgjegjësi për Jalën”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ministri i Financave, Ridvan Bode, hodhi poshtë akuzat e opozitës ndaj Qeverisë për abuzime në administrimin e projektit për menaxhimin e bregdetit të Jalës. Në seancën e djeshme plenare, kreu i Financave renditi arsyet që, sipas tij, vërtetojë se Qeveria nuk është e përfshirë në këtë çështje. Ai theksoi se problemi me projektin nuk ka lidhje me Qeverinë, por me procedurat e brendshme të Bankës Botërore, që në dizenjimin e projektit nuk mori në konsideratë rregullat e bankës. Investigimi lidhet me çështjen e prishjes së ndërtimeve pa leje në bregdet. Por, sipas Bodes, prishja e ndërtimeve nuk ishte nismë e një individi, por u bë pas kërkeses së autoriteteve të bankës, që detyroi edhe përshpejtimin e këtij procesi. Opozita tashmë prej ditësh, nëpërmjet të dhënave të ndryshme, fajëson Qeverinë për problemet me projektin në Jalë.
Bode
“Zyra e Panelit të Inspektimit pranë Bankës Botërore ka për mision investigime të procedurave të brendshme të Bankës dhe nuk ka për kompetencë dhe objekt, investigimin e Planit të Zhvillimit të Bregdetit të Jugut”, - tha ministri Bode, duke reaguar kështu ndaj deklaratave të opozitës për abuzivizëm në administrimin e Planit të Zhvillimit të Bregdetit të Jugut. Ai shpjegoi se Qeveria shqiptare, në Planin e Zhvillimit të Bregdetit të Jugut, ka përcaktuar kriteret ligjore, ku nuk mund të ndërtohet. Sipas tij, kriteret që ka përcaktuar kjo Qeveri, janë të ndryshme me kriteret e përcaktuara nga qeverisja e mëparshme, e cila kishte vendosur njolla ndërtimi. Bode tha se do të jenë autoritetet lokale, të cilat do të përcaktojnë mënyrat e ndërtimit dhe që do të japin lejet e ndërtimit. “Banka Botërore do të shqyrtojë në datën 17 shkurt, raportin për Planin e Zhvillimit të Bregdetit të Jugut dhe jam i sigurt se deklarata e kësaj Banke do të jetë krejt e kundërta e asaj që ju pretendoni”, - u shpreh Bode, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës. Ndërkohë që kundër Qeverisë ka reaguar dje edhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nikollaq Neranxi. Sipas tij, zbulimi i përgjegjësisë së personave të palës shqiptare në lidhje me këtë projekt të Bankës Botërore, ka për ta cenuar edhe më tepër imazhin e administratës së qeverisë “Berisha” brenda dhe jashtë vendit. “Unë kam denoncuar publikisht, së pari, kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano, si person të implikuar në këtë aferë, duke vënë në dispozicion funksionin e tij si i zgjedhur lokal, dhe natyrisht edhe duke përfituar mbështetje politike për bëmat e tij. Ky njeri i korruptuar nga koka tek këmbët, bënte prishje ndërtesash selektive, duke guxuar të çonte rruspat edhe në atë zonë ku ai nuk kishte kompetenca veprimi, natyrisht e theksoj, i menaxhuar mirë nga një dorë nga lart. Unë jam shprehur me këmbëngulje se me tokat e Himarës po bëhet mashtrim, vjedhje, përvetësim, manipulim, falsifikim, po lindin latifondistë të rinj të cilët në mënyrën më absurde u gdhinë një ditë pronarë të disa qindra hektarëve tokë, natyrisht të mbështetur mirë nga "fabrika" e prodhimit të dokumenteve false”, - tha ai. Debati për këtë projekt është hapur pak ditë më parë po në seancë plenare. Nënkryetari i deputetëve socialistë, Erion Braçe, kërkoi hetime nga drejtësia shqiptare në lidhje me projektin e Bankës Botërore, të ndërmarrë për zonën e Jalës. “Qeveria dhe përfaqësues të saj kanë gënjyer në shërbim të interesave klienteliste. Institucionet e drejtësisë në Shqipëri duhet t i shkojnë në fund kësaj çështjeje”, - është shprehur Braçe. Ai ka shtuar se në raportin e Bankës Botërore thuhet se në zbatimin e këtij projekti ka konflikt interesi. “Menaxhimi i projektit të bregut të Jugut të vendit ka qenë në konflikt të pastër interesi. Këtu në raport thuhet se drejtori i këtij projekti është një prej familjarëve, të një prej udhëheqësve më të lartë të qeverisë shqiptare, dhe ky është Kryeministri i vendit. Dhe drejtori i projektit është dhëndri i tij”, - ka thënë deputeti socialist.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›