E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, rastet kur nxënësi përjashtohet nga provimi

Autori i Lajmit: red.
Rregullorja e Maturës Shtetërore 2009 ka lehtësuar procesin e provimeve për maturantët por ka shtuar edhe sanskionet. Kjo rregullore parashikon të gjitha procedurat që duhet të ndiqen nga maturantët dhe afatet e përgatitjes së udhëzuesit të formularit A1, dhe A1Z (gjeneralitetet e maturantit), me të dhënat e kandidatit për student dhe kërkesa e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje". Shtimi i lëndëve me zgjedhje është një nga risitë e rregullores së re, pasi nga 9 lëndë që ishin vjet, këtë vit shtohet edhe lënda e gjuhës italiane, me të drejtë zgjedhjeje nga maturantët. Kështu, nga 10 lëndë të mundshme me zgjedhje, këtë vit në dispozicion të maturantëve, 3 prej tyre janë gjuhë të huaja. Fjala është për gjuhët angleze, frëngjisht dhe italisht, ku maturantët do të mund të zgjedhin vetëm një gjuhë nga tri të mundshme, të listuara si lëndë me zgjedhje. Rregullorja e re i favorizon nxënësit në provimet e lëndëve me zgjedhje, pasi sivjet, ndryshe nga vitet e kaluara, maturantëve që i janë nënshtruar më parë provimit me zgjedhje, do t u njihet rezultati i fituar. Rregullorja e re këtë vit, u njeh maturantëve edhe të drejtën e ankimit, ku nxënësve do t u vihen në dispozicion 4 ditë për të dorëzuar kërkesën e rivlerësimit të provimit, kundrejt një pagese. Ndërsa provimet e detyruara, letërsi dhe matematikë nuk kanë pësuar ndryshime, ku çdo test do të ketë 25 pyetje, nga të cilat 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Rregullorja e re e Maturës Shtetërore, e vlefshme për këtë vit shkollor, detajon gjithë të drejtat dhe detyrimet e maturantëve, procedurat që duhet të ndjekin administratorët e provimeve si dhe sanksionet ndaj maturantëve, nëse abuzojnë në testim. Ndërkohë parashikohen edhe rastet kur për shkak të thyerjes së rregullores, nxënësi përjashtohet nga provimi i maturës. Sipas regullores nxënësi përjashtohet dhe nuk i njihet rezultati i provimit në qoftë se: nuk është i pajisur me dokument identifikimi; nuk qëndron në vendin që i caktohet; përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër; bën kopje ose komunikon me nxënës /kandidatë të tjerë; përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe(vetëm për provimin e matematikës)vizore e kompas; nuk duhet marrë me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve; largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit; heq, shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test si dhe dëmton testin(palos,zhubros,gris) ose nuk e dorëzon atë. Sistemi i Maturës Shtetërore, i krijuar katër vite më parë, synon reformimin e arsimit të mesëm dhe mirorganizimin e pranimeve të studentëve të rinj në universitete.

VII. ADMINISTRIMI I PROVIMIT
Neni 50
Rregulla për administratorin e provimit( AP)
Administratori i provimit që caktohet për mbikëqyrjen e nxënësve/ kandidatëve nuk është mësues i asaj shkolle dhe i lëndës që po merret në provim. Gjatë provimit ai zbaton rregullat e mëposhtme:
50.1 Ndalohet të mbajë celular gjatë zhvillimit të provimit.
50.2 Drejton çdo nxënës/kandidat nëpër vende dhe nuk lejon ndërrimin e vendeve.
50.3 Nuk lejon asgjë tjetër, përveç stilolapsit, dhe pasaportës(ose certifikatës personale, ose letër njoftimit) në tavolinën e çdo nxënësi/kandidati.
50.4 Sigurohet që çdo nxënës/kandidat e ka kuptuar se çfarë duhet të bëjë.
50.5 Gjatë kohës së provimit, zë një pozicion që të mbikëqyrë të gjithë mjedisin e provimit.
50.6 Nuk largohet për asnjë moment nga mjedisi i provimit.
50.7 Nuk lejon ngrënien, zhurmën, kopjen ose komunikimin e nxënësve/ kandidatëve me njëri-tjetrin.
50.8 Vendos çdo nxënës/kandidat në mënyrë të atillë që çdonjëri të shikojë në të njëjtin drejtim.
50.9 Nuk i përgjigjet asnjë pyetjeje të nxënësit/kandidatit mbi përmbajtjen e testit.
50.10 Nuk lejon për asnjë arsye largimin e nxënësit/kandidatit nga mjedisi i provimit pa realizimin e procesit të sekretimit dhe pa bërë dorëzimin e testit.
50.11 Kontrollon, gjatë marrjes në dorëzim të testit, mos-dëmtimin e barkodit dhe mos-dëmtimin e testit(palosje,grisje etj)nga ana e nxënësit/kandidatit.
50.12 Vendos në dosjen e caktuar materialet e provimit që dorëzohen nga nxënësit/kandidatët.
50.13 Ndalohet të shfletojë ose të bëjë shënime në materialet e provimit, si gjatë tij edhe pas tij.
50.14 Nuk lejon ASNJË nxënës/kandidat të ketë kohë shtesë për zhvillimin e provimit.
50.15 Nuk lejon asnjë individ tjetër të paautorizuar në mjedisin e provimit.
50.16 Pas shpërndarjes së testeve drejton procesin e verifikimit nga çdo nxënës të rregullsisë fizike të testit të vet.
50.17 Evidenton me detaje në proces-verbal çdo rast parregullsie të ndodhur në mjedis nga ana e ndonjë nxënësi.
Neni 51
Administratorët e sekretimit(AS)
51.1 Për kryerjen e procesit të sekretimit në mjediset e provimit që kanë mbi 60 nxënës/kandidatë, caktohen administratorë të sekretimit. Këta administratorë caktohen nga KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së. Për çdo 60- 70 nxënës/kandidatë ka nga një administrator sekretimi.
51.2 Administratorët e sekretimit kryejnë vetëm procesin e sekretimit dhe identifikimit të nxënësve.
51.3 AVA, mbështetur në numrin e nxënësve/kandidatëve të regjistruar, përgatit listën emërore të nxënësve/kandidatëve dhe barkodet përkatëse.
51.4 AVA përgatit udhëzimet për përgjegjësit e administrimit të provimit dhe administratorët që merren me sekretimin, për vendosjen e barkodeve në test-broshurën e nxënësit/kandidatit dhe në listën emërore. Neni 52
Hyrja e nxënësve/kandidatëve në mjediset e provimit
52.1 Nxënësi/kandidati paraqitet në shkollë 1 (një) orë përpara fillimit të provimit. Në këtë kohë kryhet identifikimi i nxënësit/kandidatit, hyrja në mjediset e provimit (klasa), ulja e tyre në vende si dhe leximi i rregullave për nxënësit/kandidatët.
52.2 Procesi i identifikimit të çdo nxënësi/kandidati gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij,ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës, administratorët e provimit dhe administratori i sekretimit.
52.3 Pas fillimit të zhvillimit të provimit, drejtori i shkollës qëndron në shkollë por NUK lejohet të hyjë në mjediset ku zhvillohet provimi.
52.4 Hyrja dhe ndarja e çdo nxënësi/kandidati nëpër klasa, bëhet duke ndjekur RIGOROZISHT rendin zbritës te listës emërore te dërguar nga AVA.
52.5 Nxënësi/kandidati, ditën e provimit, ka me vete për identifikim pasaportën[ose certifikatën personale me fotografi ose letërnjoftimin].
52.6 Lejohet hyrja në provim vetëm e nxënësit/kandidatit të shpallur në listë.
52.7 Sistemimi i çdo nxënësi/kandidati, në mjediset/sallat e provimit bëhet një nga një, sipas rendit te hyrjes se tyre. NDALOHET ndërrimi i vendeve.
52.8 Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve bëhet sipas rendit alfabetik.
Neni 53
Procedura e sekretimit të testit
53.1 Sekretimi i testeve fillon menjëherë, pasi ka filluar procesi i zhvillimit të provimit.
53.2 Procesi i sekretimit të testeve realizohet nga administratori i sekretimit dhe përgjegjësi i administrimit të provimit.
53.3 Administratori i sekretimit, pasi kryen identifikimin e nxënësit /kandidatit dhe prezencën e tij në listën emërore, realizon ngjitjen e etiketave të kodit të sekretimit(barkodeve) në hapësirat e parashikuara në test dhe në listën emërore.Gjatë procesit të sekretimit nxënësi të firmosë pasi të ketë verifikuar ngjitjen e barkodeve në listën emërore dhe në testin e tij.
53.4 Administratori i sekretimit ngjit njërën nga etiketat e kodit të sekretimit(barkodit) përkrah emrit të nxënësit/kandidatit në listën emërore dhe etiketën tjetër të barkodit, e ngjit mbi vendin e parashikuar në test.
Për provimet e lëndëve me zgjedhje mund të përdoren barkode treshe.
53.5 Përgjegjësi i administrimit të provimit së bashku me administratorët e sekretimit bëjnë mbylljen e kodeve të sekretimit të papërdorura, pas përfundimit të procesit të sekretimit.
Neni 54
Përjashtimi ose mosnjohja e rezultateve të provimit të nxënësit/kandidatit
Ditën e provimit nxënësi/kandidati përjashtohet dhe nuk i njihet rezultati i provimit në qoftë se:
54.1 Nuk është i pajisur me dokument identifikimi .
54.2 Nuk qëndron në vendin që i caktohet.
54.3 Përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër.
54.4 Bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit.
54.5 Merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës /kandidatë të tjerë.
54.6 Bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit.
54.7 Përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë:stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe(vetëm për provimin e matematikës )vizore e kompas.
54.8 Merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve.
54.9 Largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit.
54.10 Heq, shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test.
54.11 Dëmton testin(palos,zhubros,gris) ose nuk e dorëzon atë.
Neni 55
Penalizimet e nxënësve/kandidatëve
Në qoftë se një nxënës/kandidat thyen rregullat e provimit, atëherë administratori i provimit njofton përgjegjësin e administrimit të provimit dhe merr këto masa disiplinore:
55.1 Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi, në qoftë se thyen rregullat e provimit.
55.2 Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi dhe i hiqet e drejta të japë provimet e Maturës për vitin në vazhdim, në qoftë se nuk zbaton rregullat e pikave 54.3, 54.4, 54.5, 54.8.
Në qoftë se përgjegjësi i administrimit të provimit merr një nga masat e parashtruara në pikën 55.1 ose 55.2, ai urdhëron nxënësin/kandidatin të largohet nga salla e provimit, pa shqetësuar të tjerët.
Në rast se nxënësi/kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit,evidenton rastin me procesverbal dhe lejon vazhdimësinë e provimit.

Neni 56
Të drejtat e nxënësve/kandidatëve
56.1 Në rast se nxënësi/kandidati vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit, PAP-i ose përfaqësuesi i DAR/ZA.
56.2 Nxënësve maturantë të verbër, pasi u jepet broshura e testit, të veçohen në një mjedis të përshtatshëm. PAP cakton një person për leximin e pyetjeve të testit dhe për plotësimin e përgjigjeve, që jep me gojë nxënësi, në fletën e testit. Në këto raste të mundësohet regjistrimi i përgjigjeve.
56.3 Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi para dy orësh nga fillimi i tij,por të grumbullohen në një sallë, të përcaktuar që më parë.
56.4 Nëse testi që i jepet nxënësit është i dëmtuar ose me faqe të bardha,ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e testit.

VIII. PROCEDURA E VLERËSIMIT TË TESTEVE
Neni 57
57.1 Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve/kandidatëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë.
57.2 Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi/kandidati për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve.
57.3 Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës/kandidat. Çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme e dhënë nga nxënësi/kandidati për çdo kërkesë, vlerësohet me pikë, sipas skemës së vlerësimit.
57.4 Nxënësi/kandidati vlerësohet me 0 (zero) pikë, kur jep përgjigje të gabuar, kur nuk jep asnjë përgjigje ose kur në pyetjet me alternativa shënjon në më tepër se një alternativë.
57.5 Pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit.
57.6 Vlerësues të jashtëm vlerësojnë testet e provimit të Maturës.
57.7 Vlerësues i jashtëm për provimet e Maturës është çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi.
57.8 Drejtori i AVA-s emëron vlerësuesit e jashtëm dhe përgjegjësit e tyre.
57.9 Zgjedhja e vlerësuesve të testeve kryhet çdo vit. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit.
57.10 Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson.
57.11 Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit te testeve te AVA trajnon vlerësuesit e testeve.
57.12 Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga AVA dhe miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.
57.13 Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues.
57.14 Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, përgjegjësi i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar.
57.15 MASH-i ngre grupe monitoruesish të vlerësimit të testeve sipas lëndëve, të cilët në mënyrë të rastësishme monitorojnë testet e vlerësuara. Këta grupe gjithashtu shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve.
57.16 MASH ngre komisione të posaçme (KOPOTED), që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve.
57.17 Për të gjitha parregullsitë që konstaton, secili KOPOTED informon MASH-in,i cili merr vendimin përkatës.
57.18 Procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret nga përfaqësues të Komitetit të Maturës Shtetërore.
57.19 Shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, pas çdo provimi të Maturës.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›