E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: “Jemi të aftë t’i menaxhojmë situatat edhe pa FMN-në”



Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka konfirmuar edhe një herë vendosmërinë e qeverisë për të mos e rinovuar apo zgjatur mandatin e FMN-së në vendin tonë. Duke iu kundërpërgjigjur dje pretendimeve të opozitës se “pas largimit të FMN-së nga Shqipëria vendi rrezikon që të përfshihet nga një krizë ekonomike”, ministri i Financave, Bode, tha se qeveria është e aftë që të administrojë çdo situatë. Sipas ministrit Bode, “fakti që ka përmirësime të ndjeshme në mbledhjen e të ardhurave, ulje të informalitetit, të evazionit fiskal dhe korrupsionit, gjë e cila shprehet dhe në raportet më të fundit të ndërkombëtarëve, tregon që qeveria ka arritur që të realizojë shumë nga reformat e saj”. Ai ka vijuar më tej duke thënë se, “pavarësisht paralajmërimeve të FMN-së, shtimi i të ardhurave nga doganat dhe tatimet krijojnë mundësi për lehtësimin e biznesit nga barra fiskale”. Sipas ministrit Bode, përjashtimi i TVSH-së për librat e huaj dhe OJF-të është pjesë e favoreve për biznesin dhe qytetarët. "Janë ligje që ulin nivelin e taksave dhe zgjerojnë hapësirat për biznesin",- deklaroi ministri Bode. Deklarimet e ministrit të Financave u bënë dje pas një reagimit të kreut të PS-së, Edi Rama, i cili akuzoi direkt kreun e qeverisë dhe ministrin e Financave, Ridvan Bode, si autorë të piramidave që sollën përmbysjen e shtetit në 1997-n, duke i etiketuar ata si “presidenti dhe ministri i financave të piramidave”. Rama tha se mosrinovimi i marrëveshjes me FMN-në mund të çojë në tronditjen e financave publike.
Zyrtarisht FMN-ja e përfundon mandatin me Shqipërinë në janar të vitit 2009. Në konferencën e organizuar tri ditë më parë, kreu i delegacionit të FMN-së në Tiranë, Gervin Bell, deklaroi se “shumë vende të botës kërkojnë zgjatjen e mandatit të misionit në periudha elektorale”. Por, nga ana e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh se qeveria shqiptare ka përballuar deri tani situata shumë më të vështira sesa një vit elektoral.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›