E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha po e largon FMN-në për qëllime elektorale”

“Largimi i FMN-së na kthen në vitin 1996, kur Bode bëri rrush e kumbulla buxhetin”. “PS-ja është kategorikisht kundër vendimit për largimin e FMN-së nga Shqipëria”

Eljona Ballhysa
Partia Socialiste ka kundërshtuar dje vendimin e qeverisë për mosrinovimin e kontratës me Fondin Monetar Ndërkombëtarë për të qëndruar në Shqipëri. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një konference të posaçme për shtyp, ka akuzuar për këtë vendim kreun e qeverisë Sali Berisha dhe ministrin e Financave Ridvan Bode. Sipas Ramës, ky vendim merret në një kohë kur e gjithë bota është përfshirë në krizë ekonomike dhe në një kohë kur vendi ndodhet në një vit elektoral. Sipas kreut të PS-së, qëllimi i largimit të FMN-së është që Berisha e Bode të përdorin financat e shtetit për qëllime elektorale. Rama e cilësoi këtë vendim një kthim në vitin 1996, vit kur u largua për herë të parë FMN-ja nga Shqipëria, në kohën kur në pushtet ishte Partisë Demokratike.
Akuzat
“Është krejt e qartë se Sali Berisha nuk udhëhiqet as nga interesat e vendit, as nga arsyeja dhe e mira e Shqipërisë dhe e shqiptarëve duke vendosur të largojë FMN-në nga Shqipëria, po vetëm nga interesi i ngushtë i pushtetit të tij personal, që kërkon ta mbajë duke i shpërdoruar financat e shtetit për qëllime ekskluzivisht elektorale. S’ka asnjë dyshim se këtë qëllim, aspak të përbashkët me të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve, kryeministri ynë i paaftë e i papërgjegjshëm nuk mund ta realizojë nën vëzhgimin e rreptë të FMN-së”, - është shprehur Rama. Kryetari i PS-së u shpreh se FMN-ja është një institucion që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për tranzicionin shqiptar, duke dhënë drejtpërdrejt një ndihmë të pazëvendësueshme për reformat në të gjitha fushat, veçanërisht për financat publike e për ristrukturimin e sistemit bankar, si edhe duke hapur dyert e bashkëpunimit të Shqipërisë me të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ai shprehu shqetësim për vendimin e qeverisë për të mos rinovuar kontratën e bashkëpunimit me këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar. “Mua si qytetar i këtij vendi më vjen turp për nivelin ku ka rënë qeveria e Shqipërisë, ndërsa si kryetar i opozitës shqiptare paralajmëroj se me këtë qëndrim të papranueshëm ndaj FMN-së të Sali Berishës së sotëm, jemi vetëm një hap larg kthimit në kohën e Sali Berishës së djeshëm. Kujtoj se presidenti i vitit 1996 dhe ministri i tij i piramidave, Ridvan Bode, bënë rrush e kumbulla qysh në gjashtëmujorin e parë të gjitha lekët e buxhetit të atij viti, vetëm e vetëm për qëllime elektorale”, - është shprehur Rama.
Angazhimi
Ai bëri të ditur se në rast se PS-ja është kundër këtij vendimi dhe në rast se qeveria vendos përfundimisht ta largojë FMN-në, puna e parë që do të bëjë PS-ja kur të vijë në pushtet është nënshkrimi i marrëveshjes së rikthimit të FMN-së në Shqipëri. “Partia Socialiste është kategorikisht kundër vendimit shumë të rrezikshëm të kryeministrit Sali Berisha për largimin e FMN-së nga Shqipëria. Unë deklaroj publikisht se në rast se Sali Berisha do të ndërpresë arbitrarisht marrëdhëniet me FMN-në, duke mos e rinovuar marrëveshjen me këtë institucion të domosdoshëm për ecurinë e vendit në këtë fazë të rrugës së tij, marrëveshja e parë që ne do të nënshkruajmë pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2009 do të jetë marrëveshja me FMN-në”, - është shprehur Rama. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se qeveria shqiptare po e largon FMN-në pasi ky është institucioni i së vërtetës, që ka rrëzuar në raportin e muajit gusht për Shqipërinë të gjitha gënjeshtrat e kryeministrit Berisha. “Kujtoj se raporti i gushtit i FMN-së nxori në pah të vërteta shumë dramatike për gjendjen e vendit, duke konfirmuar se, ndryshe nga ç’trumbeton Sali Berisha me spotet e turpshme të propagandës personale, që paguhet me taksat e shqiptarëve, korrupsioni në vendin tonë është dyfishuar në raport me vitin 2005”, - është shprehur Rama.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›