Topalli takon kryeministrin e Luksemburgut: Liberalizimi i vizave do të realizohet së shpejti
Luksemburgu, vendi ku Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE-në, e sheh Shqipërinë në rrugën e duhur të integrimit në Bashkimin Europian dhe NATO. “Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ishte një rezultat i hapave të bërë nga Shqipëria dhe kemi besim se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në prill të 2009-s do të bëhet”, - u shpreh në takimin me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, kryeministri i Luksemburgut, Junker. Kryetarja e Kuvendit, nga ana e saj, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e rëndësishme të dhënë nga Luksemburgu për MSA-në, marrjen e ftesës për NATO, si dhe për Kosovën. “Bashkimi Europian dhe NATO, - tha kryetarja e Kuvendit, - janë objektiva të qarta tonat, promotorë të ecjes sonë përpara. Përshpejtimi i proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor do të përbëjë një garanci për të gjithë rajonin ballkanik, paqen dhe stabilitetin e tij”. Më tej biseda u fokusua në liberalizimin e vizave, çështje të cilën kryetarja e Kuvendit e cilësoi si shumë të rëndësishme për studentët dhe për të gjithë shqiptarët, të cilët pas pesë dekadave izolim meritojnë të lëvizin të lirë në Europë. Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se realizimi së shpejti i kartave të identiteti dhe i pasaportave biometrike do të plotësojnë standardet për këtë lëvizje të lirë të qytetarëve. Nga ana e tij kryeministri Junker garantoi se liberalizimi i vizave do të bëhet i mundur së shpejti, duke konfirmuar angazhimin serioz të Bashkimit Europain për këtë çështje.
Takimi Berisha-Junker. “Luksemburgu do ta ndihmojë Shqipërinë për kualifikimin e bankierëve”
Qeveria e Luksemburgut do ta ndihmojë qeverinë shqiptare për kualifikimin e bankierëve dhe të gjyqtarëve. Kjo është bërë e ditur dje nga kryeministri Zhan Klaud Junker, i cili zhvilloi një takim me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Në këtë takim Junker ka theksuar se marrëdhëniet midis dy vendeve do të forcohen më tej në të ardhmen. “Në planin dypalësh ne kemi vendosur të thellojmë marrëdhëniet tona ekonomike, të bashkëpunojmë në kualifikimin e gjyqtarëve, do të fillojmë zbatimin e një programi të nënshkruar midis Shqipërisë dhe Luksemburgut për formimin e bankierëve të rinj, të cilët mund të vijnë e të kryejnë trajnime në Luksemburg. Ne do të lidhim një marrëveshje për taksimin e dyfishtë, kusht thelbësor për të thelluar marrëdhëniet tona ekonomike. Ne do të vazhdojmë të bashkëfinancojmë projekte hidroenergjetike dhe do të vlerësojmë mundësitë që ekzistojnë për të vendosur një bashkëpunim në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës. Pra, ne do të mbetemi miq dhe qëndrimi ynë do të jetë në nivelin e ambicieve tona”,- është shprehur Junker. Ndër të tjera ai ka vlerësuar reformat e realizuara nga qeveria shqiptare, dhe ka shprehur admirim për hapat e shpejtë të ndryshimit të vendit. Junker gjithashtu ka shprehur besim se Shqipëria në prill të vitit të ardhshëm do të bëhet anëtare me të drejta të plota të NATO-s.
Kryeministri Berisha nga ana e tij ka falënderuar kryeministrin Junker për ndihëm që Luksemburgu ka dhënë në fushën e infrastrukturës me projekte që shtrihen nga Durrësi, në Kukës, Mamurras, Laç e zona të tjera të vendit, në furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza, si dhe projekte të tjera në kualifikimin e gjykatësve.
26 Shtator 2008