E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS do të "shpërblehen" njësoj nga KQZ-ja


Partitë politike që në zgjedhjet e 28 qershorit mundën të fitojnë mandate përfaqësimi në Kuvend, do të "shpërblehen" nga Buxheti i Shtetit. Kemi të bëjmë me një mundësi që u krijon Kodi Zgjedhor këtyre forcave për të përfituar të gjithë shumën që do të detyrohet të kthejnë ato subjekte elektorale, që para zgjedhjeve përfituan nga buxheti dhe më 28 qershor nuk mundën të sigurojnë asnjë mandat përfaqësimi.

Në këtë mënyrë, ligji zgjedhor parashikon që shuma që duhet të kthejnë këto forca për shkak të rezultatit negativ që arritën në zgjedhje, t'u shpërndahet partive politike që u rikonfirmuan si forca parlamentare ose që u futën rishtazi në Kuvend. Në bazë të llogarive të bëra, rezulton se KQZ-ja, me një vendim të saj duhet të rishpërndajë për 6 forcat që arritën të marrin mandat deputeti, shumën prej 127 milionë lekësh të vjetra, të cilat do të kthehen nga 5 subjektet që nuk arritën të marrin asnjë mandat.

Përllogaritja e shumës që do t'u shpërndahet këtyre subjekteve do të bëhet në raport me mandatet që ka fituar secila forcë. Kështu, duke ditur tashmë se PD-ja mundi të marrë 68 deputetë, ajo do të marrë nga KQZ-ja një shumë prej 61.8 milionë lekësh të vjetra, PS-ja për 65 mandate do të marrë 59 milionë, LSI-ja për 4 mandate 3.6 milionë dhe 3 forcat e tjera PR-ja, PDI-ja dhe PBDNJ-ja nga 0.9 milionë.

Vendimi duhet të merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Po të llogarisim se shpallja e mandatit do të bëhet gjatë ditës së nesërme, i bie që brenda gushtit KQZ-ja të bëjë rishpërndarjen e këtij fondi. Në rast se fondi nuk është kthyer plotësisht nga subjektet zgjedhore, ky fond i kompensohet KQZ-së nga Buxheti i Shtetit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›