E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: “Korrupsioni, jo më “kalë beteje” për opozitën”

Autori i Lajmit: red.
“Raporti më i fundit rreth marrëveshjes për artikullin 4, që vendi ynë ka me FMN-në, është një raport inkurajues për Qeverinë shqiptare dhe tepër vlerësues për të gjithë aktorët politikë, ekonomikë dhe shoqërorë, që kanë kontribuar në gjithë këtë periudhë tranzicioni”

Raportet ndërkombëtare në vendin tonë vazhdojnë të lexohen në dy versione. Dy ditë më parë, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konsideroi raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar si një tjetër vlerësim negativ për Shqipërinë dhe për arritjen e standardeve evropiane të saj. Por mazhoranca ka një tjetër interpretim për këtë raport. Ministri i Financave, Ridvan Bode, e cilësoi raportin e FMN-së si inkurajues dhe vlerësues për reformat ekonomike. Ai kundërshtoi dhe qëndrimin e opozitës ndaj raportit dhe tha se në 107 faqet e tij nuk përmendet fjala “korrupsion” dhe se nuk është korrekte që një fjalë e vetme të përdoret nga ana e opozitës si “kalë beteje” dhe aq më pak si mallkim për Shqipërinë. Më pas ai është ndalur gjerësisht në të gjitha pikat e raportit të FMN-së. Lidhur me të ardhurat, ministri Bode tha se Shqipëria është futur këtë vit në listën e vendeve me të ardhura mesatare dhe kjo është arsyeja që vendi renditet në fund të listës në krahasim me vendet e tjera. Për sa i përket korrupsionit, i cili evidentohet në raportin e FMN-së, Bode deklaroi se ky mision ka kontraktuar një kompani për të përcaktuar nivelin e korrupsionit në vendin tonë.
Deklarata
Kreu i Financave përshëndeti në emër të Qeverisë shqiptare raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për "Contry Report" 2008, në të cilin, sipas tij, vlerësohet se Shqipëria po arrin në lartësi të reja të zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror. Bode tha se në vitet e fundit Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë është rritur më shumë se dy herë, rezultat si në asnjë vend tjetër në tranzicion, rritja ekonomike e Shqipërisë në këtë periudhë ka qenë 96 %, 17 vendet në tranzicion kanë një rritje mesatarisht prej 50 %. Vendet balltike, që kanë rritjen më të lartë ekonomike mes vendeve në tranzicion, kanë një rritje prej 74 %, vendet e BE -së me 50 %, ndërkohë që vendet e tjera me ekonomi emergjente dhe në tranzicion kanë një rritje prej vetëm 38 %.
“Rritja ekonomike, sipas raportit, është rezultat i politikave strukturore dhe i reformave, pasi elementët e tjerë që kanë të bëjnë me transformimin e ekonomisë, me liberalizimin e çmimeve dhe të tregut, etj, u ezauruan në një fazë të shkurtër gjatë fazës së parë të tranzicionit”,- nënvizoi ai. Më tej, Bode shtoi se autoritetet shqiptare, sipas Fondit, u treguan të afta që përtej situatës energjetike rajonale dhe të brendshme të pafavorshme, të garantojnë një rritje ekonomike prej mbi 6 % në dy vitet e fundit. Kreu i Financave tha se me gjithë këtë përgjysmim të taksave, vërehet në raport, niveli i arkëtimeve në buxhetin e shtetit përmes administrimit dhe uljes së informalitetit është rritur në mënyrë të dukshme. Sipas tij, në raport thuhet se buxheti shtesë, uli deficitin buxhetor në nivelin 5.2 % duke e bërë atë neutral ndaj zhvillimit të ekonomisë dhe kërkesës së tregut, duke e bërë neutral ndaj presioneve inflacioniste. Për sa u përket akuzave të opozitës lidhur me këtë raport, Bode u shpreh se opozita duhet të lexojë raportin e plotë dhe jo mes rreshtave, pasi në të ka intencione pozitive për të inkurajuar të gjithë aktorët. Sipas tij, raporti më i fundit rreth marrëveshjes për artikullin 4, që vendi ynë ka me FMN-në, është një raport inkurajues për Qeverinë Shqiptare dhe tepër vlerësues për të gjithë aktorët politikë, ekonomikë dhe shoqërorë, që kanë kontribuar në gjithë këtë periudhë tranzicioni dhe që kanë bërë të mundur kalimin e vendit nga një ekonomi e centralizuar drejt një ekonomie të lirë. FMN në raportin e saj vjetor kushtuar analizës së luftës kundër varfërisë dhe gjendjes së ekonomisë shqiptare në përgjithësi, raport i cili u publikua dy ditë më parë në Uashington, nënvizon një rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit tonë si dhe një rënie të nivelit të varfërisë. Megjithatë, në raport nuk kanë munguar as kritikat si, për shembull, ato për rritjen e disnivelit të jetesës në fshat dhe qytet, investimet e pakta në arsim dhe shëndetësi, aplikimi i politikave fiskale të rrezikshme apo dobësimi i punës së administratës publike.
S.T

Box
Ministri i Financave
Ulja e sigurimeve shoqërore, nxitje për biznesin

Ulja e taksës së kontributit të sigurimit shoqëror për punëdhënësit është cilësuar nga Ministri i Financave, Ridvan Bode,
si një masë për përmirësimin e administrimit dhe uljes së informalitetit. “Ne e kemi pranuar që informaliteti në tregun e punës, sidomos për biznesin e vogël, vazhdon të mbetet i lartë. Në këtë kuadër jemi duke përpunuar akte nënligjore për të nxjerrë nga informaliteti këtë kategori biznesi, por edhe të tjerë, dhe të ndihmojmë, të nxisim, nxjerrjen në dritë të gjithë punonjësve dhe të punësuarve nëpërmjet uljes së barrës fiskale, duke i zbritur nga 30 % që kanë qenë në vitin 2008 në 15 % nga 1 janari i vitit 2009”, - vijoi ministri. Ai tha se kjo ishte e fundit taksë që zbret në nivelin 50 % nga ato që kanë qenë mbi biznesin. “Kjo ka qenë një masë jo vetëm e nxitur nga nevoja për të luftuar informalitetin në tregun e punës, por edhe nga analiza që ne i bëmë sistemit tonë fiskal me ato të vendeve të tjera që kanë barrë më të ulët fiskale”, - shtoi ai. Sipas Bodes, niveli 15 % është nivel nxitës dhe ndihmues për biznesin dhe që përmes kësaj uljeje të mos shkaktojmë diferenca të mëdha në buxhetin e Sigurimeve Shoqërore, në skemën e pensioneve, duke kompensuar nga të ardhurat e buxhetit dhe duke rritur pjesërisht grantin, si një moment fillestar, deri në prodhimin e rezultateve pozitive që do të japë ulja e taksës.
Ky lajm është publikuar: 22/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›