E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Kredia do të stabilizojë monedhën vendase

06/03/2009  Qeveria negocion me katër banka për të marrë 250 milionë euro kredi

Ministria e Financave, 150 milionë euro plus për Durrës - Kukës

Kredia e marrë në monedhën evropiane nga Qeveria shqiptare për vitin 2009 do të shërbejë për stabilizimin e monedhës vendase, lekut. Ministri i Financave Ridvan Bode theksoi dje gjatë një konference për shtyp ku sqaroi gjithë procedurën e marrjes së një kredie prej 250 milionë euro në tregun e huaj bankar, se qëllimi i kredisë është pikërisht lehtësimi i sistemit. Ndërkaq ministri i Financave sqaroi se për rrugën Durrës-Kukës nga kjo kredi do të hidhen më shumë se gjysma. Në buxhetin e shtetit për këtë vit është planifikuar edhe një shumë prej 250 milionë eurosh dhe po kështu një pjesë e mirë e parave nga privatizimet strategjike do të shkojnë për këtë rrugë. “Ne mendojmë që deri në qershor nga projekti i rrugës Durrës – Kukës, mund të disbursohen jo më shumë se 150 milionë euro. Por nuk është se ka një ndarje të parave, kredia ndihmon që të mos kemi konvertim të lekut në valutë për të paguar kontrata, pra për të mos e bërë faktor buxhetin në lojën e tregut, por përkundrazi, buxheti të bëhet faktor i stabilitetit monetar, jo i destabilitetit. Ky është qëllimi i kësaj kredie”, - theksoi në fjalën e tij ministri Bode. Gjithashtu, në stabilizimin e situatës së krijuar pas forcimit të monedhave të huaja në raport me lekun, ministri Bode sqaroi se paratë që do të merren nga privatizimi janë në euro. “Të ardhurat nga privatizimi i ARMO–s sikurse e dini janë 125 milionë euro, të cilat janë përdorur dhe përdoren në këtë vit pasi u ofruan në mes të muajit dhjetor. Kemi privatizimin e OSSH–së që po ashtu do të ofrojë rreth 102 milionë euro dhe do të jenë disponibël për tregun. Kemi privatizimin e AMC–së rreth 50 milionë euro dhe disa privatizime të tjera të aksioneve që ka Qeveria shqiptare në ndërmarrje publike, të cilat gjithashtu janë në euro. Pra mendojmë që disponibiliteti i euros do të rritet nga ana e qeverisë dhe qeveria nuk do të jetë një konsumator, por ofrues në treg për të dhënë një stabilitet më të madh monetar në vend”, - tha Bode. Kredinë do ta disbursojnë tre banka të huaja nga shtatë të paraqitura në tender. Sipas ministrit të Financave, asnjë nga bankat në garë nuk ofroi shumën e kërkuar. Ndërkaq, ai nuk bëri publike interesat e kredisë, por shpjegoi kushtet dhe termat e dhënies së saj.

Kriza ekonomike

Ministri i Ekonomisë theksoi se aktiviteti tregtar në botë ka pësuar një tkurrje. “Në tregtinë ndërkombëtare ka së pari rënie të vëllimit të eksporteve për shkak të rënies së eksportit të mineraleve dhe rënie të vëllimit të importeve për shkak të rënies së çmimeve. Kjo do të thotë që në bilancin financiar total ka impakt jo të drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare”, - tha Bode. Sa i takon tregtisë së brendshme, sipas Bodes, treguesit janë pozitivë. “Kemi treguesit dy mujorë të nxjerrë nga tatim-taksat dhe TVSH –ja që është taksa që mat vëllimin e qarkullimit të mallrave në ekonominë e brendshme, e cila është rreth 15% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2008. Kjo do të thotë që ekonomia vijon të ketë ritmin normal”, - tha Bode.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›