E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat transparencë me interesat

06/03/2009  Rregullorja e re, bankat detyrohen të tregojnë mënyrën e llogaritjes së kredive

Nëse e shlyeni para kohe kredinë, banka duhet të reduktojë koston totale

Një rregullore e veçantë për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore për individët do të zbatohet nga bankat e nivelit të dytë. Kjo rregullore, e cila hyn në fuqi 15 ditë pa botimit në Fletoren Zyrtare parashikon edhe kushtet për overdraftin. Banka e Shqipërisë me anën e kësaj rregulloreje synon mbrojtjen e konsumatorëve. Në nene të veçanta parashikohen edhe detyrime për reduktimin e normës së interesit për konsumatorët nëse ata e shlyejnë para afatit kredinë e marrë. Mbi të gjitha kjo rregullore detyron bankat që të jenë sa më transparente dhe të informojnë klientët e tyre që në firmosjen e kontratës për normat e interesit, por edhe për gjobat nëse këto para nuk i kthehen bankës.

Kushtet

Sipas rregullores, konsumatori ka të drejtën që të shlyejë plotësisht ose pjesërisht para afatit detyrimet e tij, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e kredisë konsumatore. Në këtë rast, banka duhet të bëjë një reduktim të kostos totale të kredisë. “Ky reduktim konsiston në uljen e interesave dhe kostove të aplikuara mbi pjesën e pashlyer të kredisë, për periudhën e mbetur sipas kontratës së kredisë”, - thekson rregullorja. Në një nen të veçantë është parashikuar kredia hipotekore dhe kushtet e saj. “Në çdo kontratë kredie hipotekare për individin, banka plotëson kërkesat dhe pajis individin me informacion në formë të shkruar mbi mënyrën e përllogaritjes apo të ndryshimit të normës së interesit të kredisë hipotekare për individin”, - thekson rregullorja. Në këtë rast banka duhet të ofrojë për klientin indeksimin e normës së interesit të bankës me normën bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë për marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjella të riblerjes.

Overdraft-et

Një kontratë kredie kufi ose e njohur ndryshe overdraft-i ose për kartë krediti duhet të ketë gjithashtu informacion për konsumatorin, i cili informohet rregullisht, por jo më pak se një herë në vit për gjendjen e llogarisë së tij. Banka duhet të mbajë një dokument me titullin “gjendja e llogarisë ”. Ky dokument duhet të përmbajë periudhën së cilës i përket gjendja e llogarisë, data e fillimit dhe data e fundit, gjendja në fillim të periudhës, shumat e pagesave dhe datat përkatëse kur janë kryer pagesat nga konsumatori, si dhe përshkrimin e veprimeve. Mes tyre duhet të jenë norma e fundit e interesit për të cilën palët kanë rënë dakord, çdo shpenzim apo pagesë për interesat dhe komisioni që është aplikuar.

Shlyerja

Nëse parashikohet shlyerja e kredisë para afatit banka duhet të shpjegojë kushtet e shlyerjes së parakohshme, nëse ka të tilla, si dhe shpenzimet plus që mund të sjellë kjo shlyerje. “Kur s’është e mundur të përcaktohen shpenzimet që në këtë moment, duhet të shprehet qartë që një shumë e tillë e mjaftueshme do të jetë e pagueshme për të kompensuar kostot e bankës për kryerjen e transaksioneve”, - thekson dokumenti.

Rregullorja

Banka e Shqipërisë sqaron se qëllimi i rregullores është mbrojtja e interesave të kredimarrësve të kredisë konsumatore dhe kredisë hipotekare për individin. Rregullorja synon të sigurojë transparencë dhe pajisjen e personave që duan të marrin kredi me informacionin e nevojshëm, për të krahasuar ofertat në treg. Rregullorja është e detyrueshme për bankat, degët e bankave të huaja dhe subjektet financiare jobanka.

Kontratat

Kontratat bëhen me shkrim dhe një kopje e firmosur nga palët, i jepet konsumatorit ose i dërgohet me postë të regjistruar në adresën e konsumatorit, brenda 10 ditësh. Në rastin e çdo kontrate garancie një kopje e kontratës së garancisë dhe e kontratës së kredisë i jepet edhe garantuesit të kredisë, që është dorëzanësi. Në kontratë përcaktohen qartë kushtet, qëllimi i përdorimit të kredisë, afatet e shlyerjes dhe penalitetet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›