E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Kredia mbështet stabilitetin financiar, interesi sipas tregut



Vetëm dy ditë më parë, ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi marrëveshjen për kredinë sindikale me “Alpha Bank” dhe “Deutsche Bank”. Kredia me vlerë 250 milionë euro është marrë nga qeveria shqiptare për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, duke përfshirë financimin e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash. Por marrja e kësaj kredie është bërë shkak për debate lidhur me interesin e lartë që ajo mbart. Ministri i Financave, Ridvan Bode, e ka pranuar dje për median se kredia ka interes të lartë, por marrja e saj, sipas tij, është sukses për qeverinë, pasi ekonomia shqiptare ka nevojë për likuidet në një kohë që remitancat kanë pësuar ulje. “Sigurisht që marrja e një kredie ndërkombëtare nga bankat evropiane dhe bankat e vendeve të tjera, përbën një sukses për ekonominë shqiptare. Qeveria shqiptare mundësoi përmes raporteve dhe besueshmërisë që ka shfaqur me partnerë të tillë seriozë ndërkombëtarë, si “Deutsche Bank” dhe “Alpha Bank”, që drejtuan procesin e kontraktimit të kësaj kredie, që të financojë në këtë vit të krizës financiare ndërkombëtare dhe krizës globale, të ekonominë shqiptarë, të importojë e të injektojë në ekonominë shqiptare një shumë prej rreth 250 milionë eurosh si kufirin maksimal”, - ka deklaruar dje Bode. Nga ana tjetër, ai ka sqaruar se kjo kredi do merret në dy transhe. Interesi i kredisë është variabël dhe përbëhet nga indeksi Euribor plus marzhi prej 9.65%. Bode tha se niveli i kredisë reflekton interesat e tregut dhe si i tillë në treg nuk mund të thuhet kurrë që u mor shtrenjtë apo lirë, sepse çmimet përcaktohen nga tregu. Ai përmendi faktin se dy vite më parë qeveria mori kredi me 5.2 % interes nga të njëjtët operatorë, “Alpha Bank” dhe NBG. “Sot kriza financiare ka detyruar të tjera rregulla dhe standarde. Sot tregu financiar nuk ka para për të dhënë dhe ju e dini që paraja është një mall dhe si i tillë i nënshtrohet rregullit absolut të kërkesës dhe ofertës. Ka shumë vende të tjera të rajonit tonë, vende në tranzicion, të cilët kanë kërkuar kredi edhe me 20% apo 23% dhe nuk kanë mundur dot të kontraktojnë, për arsye se ekonomitë respektive nuk japin besueshmëri tek bankat për të dhënë kredi. Edhe në tregun ndërkombëtar, edhe vende të tjera të zhvilluara, sigurisht që marrin sot bono thesari me interes sa dyfishi i dy viteve më parë. Dhe ky është tregu”, - nënvizoi Bode. Ai shtoi se e rëndësishme është që ne injektojmë në ekonominë shqiptare, në mbështetje të stabilitetit monetar të vendit euron, e cila është monedhë e fortë dhe garanton stabilitetin e kursit të këmbimit, që për një ekonomi si Shqipëria e lidhur fort me tregtinë ndërkombëtare do të thotë stabilitet në çmime dhe mirëqenie. Ai sqaroi se kur është thënë nga qeveria se kriza ekonomike ndërkombëtare do të ndikojë ekonominë tonë, janë pasur parasysh pikërisht këta faktorë. “Kemi pasur në konsideratë faktin që paraja do të shtrenjtohet. Dhe shtrenjtimi nuk është vetëm nga bankat private, por edhe nga Bankat e Zhvillimit, normat e interesit të tyre nuk janë më ato që kanë qenë dy vite më parë dhe ky është një rregull i përgjithshëm i tregut”, - tha Bode.

Faktorët që favorizojnë kredisë

Ministri Bode tha dje se kredia ka disa faktorë që e favorizojnë atë, duke nisur nga afati në të cilin shtrihet koha e shlyerjes, por edhe interesat, pasi sipas tij, vende të tjera kanë kërkuar kredi me interesa më të larta dhe nuk kanë mundur të marrin. “Ne e marrim kredinë për një afat trevjeçar, por në momentin që tregu ofron norma më të ulëta interesi, ne kemi të drejtë që pas vitit të parë të prishim kontratën, pra të kthejmë mbrapsht kredinë pa asnjë lloj penaliteti, as pagim interesash dhe as pagim gjobash a detyrime të tjera për prishje kontrate. Dhe kjo reflekton zhvillimet në tregun financiar ndërkombëtar”, - tha Bode. Nga ana tjetër, ai bëri me dije se kredia është diskutuar edhe me FMN–në dhe me BB–në dhe se sugjerimi i tyre ka qenë që e rëndësishme sot është që ju në qoftë se do të arrini të merrni kredi në tregun ndërkombëtar përbën një sukses shumë të madh, nuk ka rëndësi norma e interesit me të cilën do e merrni, pasi sot nuk ofrohen para. “Ne mundëm që të sigurojmë këtë kredi dhe shpresoj që ky është një lajm i mirë sikurse dhe privatizimi që deklaruam sot, sikurse dhe disa privatizime të tjera më të vogla dhe që i japin mundësi Shqipërisë që edhe në këtë vit të krizës financiare botërore, ne të mund të injektojmë valutë mbi 500 milionë euro në tregun e brendshëm dhe ekonominë shqiptare”, - tha ministri i Financave. Ai tha se kjo është një mbështetje e madhe në funksion të rritjes së shpejtë ekonomike dhe se nuk ka çmim më të madh sesa rënia ekonomike, sesa varfërimi i shqiptarëve dhe sesa futja e ekonomisë shqiptare në krizë. Bode tha se do të bëjmë ç’është e mundur që ekonomia shqiptare të mbetet jashtë vorbullës së krizës.

Malaj: Kredia me interesa shumë të larta, rritet borxhi publik

Deputeti i opozitës, Arben Malaj, ka reaguar dje pas firmosjes së kredisë prej 250 milionë euro nga qeveria shqiptare. Ai tha dje për median se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shpreh shqetësimin për risqet në ritmet e rritjes ekonomike, rritjen e deficitit, rritjen e borxhit publik dhe rritjen e kostos së borxhit të kësaj qeverie. Malaj tha se qeveria shqiptare edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë ka frikë të informojë opinion publik për koston e kësaj kredie, aq më tepër për një qeveri që brenda dy viteve dhe vetëm për segmente rrugore, ka marrë rreth 480 milionë euro kredi. “Këto kredi të rënda do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Kriza e borxheve të rënda ka prekur sot disa vende të Evropës Lindore. Shumë abuzues është fakti që rreth 53 lekë në 100 lekë të këtij borxhi nuk shkojnë për të financuar rrugën, por për normat e larta të fitimeve të kompanive ndërtuese dhe financuese. Çdo shqiptar e kupton se sa më e lartë është norma e kredisë që ata marrin, aq më e rëndë ajo bëhet të nesërmen”, - tha Malaj. Sipas tij, normat e larta të interesit nga 11,5 deri në 15 % janë shumë të rënda për të nesërmen. Malaj argumentoi se zhvlerësimi i monedhës kombëtare do të bëjë akoma më të rëndë kthimin e kësaj kredie, çdo shqiptar që ka marrë kredi nga bankat në euro, e ndjen vetë se sa e rëndë i është bërë kthimi i kredisë.

BB, 60 milionë euro garanci për projektit e privatizimit të OSSH–së

Ministri Ridvan Bode nënshkroi dje me Bankën Botërore marrëveshjen e garancisë prej 60 milionë euro, për garantimin e projektit të privatizimit të OSSH–së. Kjo marrëveshje është pjesë e kontratës së shitjes së aksioneve të OSSH sh.a., që është miratuar tashmë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Ajo çfarë Banka Botërore ka marrë përsipër të garantojë financiarisht dhe me reputacionin e saj, është fakti që Republika e Shqipërisë dhe organet e saj shtetërore do të respektojnë rregullat që tashmë janë të miratuara dhe pjesë e legjislacionit shqiptar. Ministri i Financave theksoi se kjo “kredi nuk shkakton asnjë kosto për buxhetin e shtetit, deri në momentin kur do të vërtetohet se pala shqiptare, qeveria do të respektojë në mënyrë rigoroze deklaratën rregullatore të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike dhe qeveria shqiptare angazhohet me këtë rast që të respektojë këtë deklaratë rregullatore, në mënyrë që e gjithë kjo kredi prej 60 milionë eurosh të mos përdoret për të tilla veprime, por të jetë për t’u përdorur për modernizimin e sistemit energjetik në tërësi”. Marrëveshja u përshëndet edhe nga përfaqësuesja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, zonja Greta Minxhozi, e cila theksoi se kjo do të garantojë përmirësimin e mëtejshëm të situatës energjetike në Shqipëri.

Mars 2009, deficiti tregtar ulet me 1.4 për qind

Deficiti tregtar në muajin mars 2009 ulet me 1.4 për qind. Sipas të dhënave që publikon INSTAT, në muajin mars të vitit 2009 u eksportuan 7.95 miliardë lekë mallra, me rritje 5.9 për qind në krahasim me muajin shkurt 2009. Ndërkohë që eksportet krahasuar me muajin mars të vitit 2008 kanë shënuar një ulje prej 13.5 për qind. Importi i mallrave gjatë këtij muaji arriti në vlerën 33.5 miliardë lekë mallra me rritje 0.3 për qind në krahasim me muajin shkurt 2009 dhe rritje 0.8 për qind në krahasim me muajin mars 2008. Deficiti tregtar i këtij muaji është 25.5 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 1.4 për qind krahasuar me muajin paraardhës. Krahasuar me muajin mars 2008 një vit më parë, deficiti tregtar i këtij muaji pësoi një rritje prej 6.3 për qind. Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 68.5 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 63.7 për qind dhe importi 28.1 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 16.1 për qind dhe importi 14.7 për qind. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup mallrat tregon që: eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 82.9 për qind, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 20.4 për qind, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 17.7 për qind etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›