Basha: Projektet tona për 4 vitet e ardhshme
Në katër vitet e ardhshme, rritja e pagave dhe pensioneve, asfaltimi i çdo pëllëmbe rruge në fshat e qytet, lufta kundër varfërisë do të jenë prioritetet e qeverisë së djathtë. Sipas ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, “anëtarësimi në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidatit në Bashkimin Evropian dhe, së shpejti, liberalizimi i vizave, - tha Basha, - janë meritë vetëm e reformave të kësaj mazhorance”. Ndaj ai kërkoi votat e qytetarëve shqiptarë për të vazhduar më tej progresin, pasi Shqipëria ka ndryshuar nga jugu në veri. Z. Basha në takimin me banorë të komunave Shalës, Grekan dhe fshatit Deshiran, bëri të ditur se brenda këtij viti do të përfundojë rruga Belsh-Kuçovë, 14 km e gjatë, me një investim prej 590 milionë lekësh dhe, po brenda këtij viti, do të përfundojnë edhe 13 km të rrugës që lidh Pajovën me Belshin, një investim prej 390 milionë lekësh. “Sot, - tha Basha, - falë kësaj mazhorance, Shqipëria ka ndryshuar nga jugu në veri, është zhvilluar dhe i është bashkuar familjes euroatlantike. Edhe në këtë fshat, kudo në këtë rreth, si kudo në këtë qark, qytetarët shqiptarë kanë një jetë më të mirë. Besimi i shqiptarëve për një të ardhme më të mirë për ta dhe për fëmijët e tyre, përfundimisht, është ulur këmbëkryq në çdo vatër dhe në çdo familje”, - theksoi z. Basha. Ai akuzoi: “Opozita po na jep një model tjetër, një model ku jepen 28 leje dhe 19 i merr një studio, kur jep 18 punë publike dhe 14 i merr një firmë. Ky model, ku paratë përfundojnë në xhepat e disa personave, të cilët pastaj financojnë media, të cila censurojnë dhe bëjnë propagandë si njëherë e një kohë, është modeli që po mundohet të rikthehet i paketuar si një model i ri. Si mundet që një forcë politike, e cila synon pushtetin, zëdhënësit e saj të dalin dhe të thonë nuk duhet të rritni pagat dhe pensionet?! Jo, ne kemi një filozofi të qartë: përkushtim, ndershmëri, punë”.
Velipojë, Topalli: Ne shpërblyem Shqipërinë
Reformat e kryera nga qeveria e djathtë janë shpërblimi më i mirë ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi turin e saj “Shqipëria po ndryshon” në kKomunën e Velipojës nga ku deklaroi se kjo qeveri shpërbleu Shqipërinë. Përpara mijëra banorëve të Velipojës, Topalli përzgjodhi thëniet e liderëve botërorë për të vlerësuar reformat në Shqipëri. Ajo tha se Shqipëria po ndryshon jo vetëm për faktin se e thotë kjo mazhorancë, por se një fakt të tillë e konfirmon sot çdo qytetar. “Obama e quajti Shqipërinë vendin e reformave të jashtëzakonshme. Angela Merkel i tha Sali Berishës në Berlin: “Ti po merr shpërblimin e reformave të vështira që ke guxuar për të marrë”. Sarkozy i tha Sali Berishës: “Do të mbështes në të gjitha përpjekjet e tua për integrimin e Shqipërisë në BE”. Barrot në Shqipëri tha: “Unë do t’ju mbështes për liberalizimin e vizave”, - deklaroi Topalli. Duke qenë në Velipojë, Topalli tha se gjatë këtij mandati, kjo komunë ka marrë 12 milionë dollarë investime, të pakrahasueshme me vitet e qeveritë e mëparshme. Sipas saj, ky ndryshim ndodhi për shkak se kjo qeveri luftoi korrupsionin. “Vij këtu në Velipojë, rrugë e re, urë e re, shkollë e re, ujësjellës i ri, rrugë të tjera të reja. Kjo është Shqipëria që po ndryshon. Kjo është Velipoja që po ndryshon. Kjo është ajo që kishim premtuar. Kjo është fjala që ne mbajmë”, - deklaroi znj.Topalli.